
Poetët dhe Shkrimtarët Martirë
nga Zekerija Idrizi
Në librin tim tetëvëllimësh “Portrete shkrimtarësh” kam shkruar me theks të veçantë, me admiratë dhe pietet edhe për poetët e shkrimtarët tanë Martirë. Ditën në vijim do të theksoj edhe emrat e krijuesve letrarë të përndjekur, të keqtrajtuar e të burgosur nga diktatura, për të cilët kam shkruar gjithashtu me konsideratë… Lavdi!

-Patër Anton Harapi – Apostulli i Bashkimit Kombëtar pa dallim besimi, dialekti e krahine, ishte frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar (i pushkatuar nga regjimi më 1946 – nuk i dihet varri),
-Dom Ndre Zadeja – prift katolik, poet, shkrimtar dhe dramaturg i shquar. (i pushkatuar nga regjimi më 1945),
-At Lazër Shantoja (1892-1945) ishte poet dhe eseist nga Shkodra. Më 1944 autoritetet komuniste e arrestuan dhe e pushkatuan më 1945.
-Terenc Toçi (Terenzio Tocci, 1880-1945) lindi më 9 mars 1880 në Strigar (ital. San Cosmo Albanese), ku kishte lindur edhe poeti lirik Zef Serembe (1844-1901). Ishte jurist dhe botues arbëresh. U arrestua nga regjimi komunist dhe u pushkatua në Tiranë, më 14 prill 1945.
-At Gjon Shllaku (1907-1946) ishte frat françeskan, arsimtar dhe publicist. Drejtor i Hyllit të Dritës. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1907. Filloren dhe gjimnazin e ulët i kreu në vendlindje. Pasi kreu liceun Illyricum, u dërgua në Holandë për teologji. Në vitet 1936-1937 doktoroi për filozofi në Universitetin e Sorbonës në Paris. Pas studimeve u kthye në atdhe. Në janar 1946 u arrestua nga regjimi komunist. U pushkatua në Shkodër më 4 mars 1946.
-Lef (Elefter) Nosi – botues, arkivist, filolog, folklorist, etnograf, numizmatist, arkeolog dhe politikan (i pushkatuar nga regjimi më 1946),
-Nebil Çika lindi në Borsh në vitin 1903. Drejtoi gazetën Arbëria dhe revistën Minerva. Pushteti komunist e pushkatoi në Tiranë më 17 nëntor 1944.
-Baba Ali Tomori (Ali Tyrabiu) – shkrimtar bektashian, lindi në fshatin Shalë të Tepelenës më 1893. Regjimi komunist e akuzoi si bashkëpunëtor të anglezëve. Më 1947 u dënua me vdekje. U pushkatua më 14 janar 1948.
-Manush Peshkëpia (1910-1951) lindi në Vlorë. Ishte punëtor finance, poet dhe publicist. Ishte anëtar i Ballit Kombëtar. Poezitë e tij u botuan nëpër revista në vitet ‘30, sidomos në “Përpjekja Shqiptare”. Nën akuzën “armik i popullit”, më 13 prill 1945, u dënua me 5 vjet burg. Pas katër vjetëve u lirua. Më 20 shkurt 1951, u arrestua sërish. Tani për incidentin në Ambasadën Sovjetike. Në të gdhirë të 27 shkurtit të po atij viti u pushkatua pa gjyq, bashkë me 21 intelektualë të tjerë. Që të gjithë u hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës. Linguisti dhe albanologu austriak Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963) e përfshiu në “Antologjinë e poezisë shqipe” (Albanishes Lesebuch) të botuar në Lajpcig më 1948. Nga Presidenti i Republikës u nderua me titullin “Nderi i Kombit”.
-Bernardin Palaj (1894-1947) është poet françeskan. Ishte i dhënë pas folklorit. U arrestua në Shkodër nga tiranët komunistë, u keqtrajtua dhe u dënua me vdekje për tradhti. Vdiq në dhjetor 1947 në një burg të Shkodrës.
-Dom Ndoc Nikaj (1864-1951) – botues e prozator i shquar shkodran, u quajt baba i prozës gege të shekullit XX apo edhe baba i romanit shqiptar. Më 9 shtator 1946, mu në ditën e kryengritjes së Postribës, në moshën 82-vjeçare, arrestohet në Shkodër nga regjimi komunist. Nën akuzën e të qenit pjesë e kryengritjes së sipërthënë, dënohet me pesë vjet heqje liri. Vdes në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.
-Kristo Floqi (1873-1951), dramaturg i shquar – lindi në Korçë më 24 maj 1873. Pas luftës u arrestua. Vdiq në burg më 1951 pas shtatë vjet qëndrimi në ferr.
-Hafëz Ibrahim Dalliu – Teolog, shkrimtar e përkthyes i shquar, lindur në Tiranë. U arrestua nga regjimi komunist dhe vdiq në kushte e rrethana mizerable në burg më 25 maj 1952.
-Mirash Ivanaj (1891-1953) – Jurist dhe publicist, lindi më 12 mars 1891 në Podgoricë (Mal të Zi). Studimet universitare i kreu në Romë. Në vitet 1933-1935 ishte ministër i arsimit. Arrestohet më 1946 si agjent i anglezëve dhe dënohet me shtatë vjet heqje lirie. Në burgun e Tiranës kryen përkthime për nevojat e regjimit. Vdes më 22 shtator 1953, në spitalin e Tiranës 12 ditë para se të lirohej.
-Xhemal Farka i Tiranës – Studiues, mësues, gazetar, publicist, satirist dhe mbledhës i të folmeve tiranase (i pushkatuar nga regjimi komunist më 1948, sot e kësaj dite pa varr),
-Gjergj Bubani (1899-1954) – Përkthyes dhe poet i spikatur. Njihej edhe si Jorgji Bubani. Lindi më 20 janar 1899. Studioi në Athinë. U shpërngul në Rumani. Përktheu pjesë teatrore e tregime nga rusishtja dhe rumanishtja, sidomos vepra të dramaturgut rumun me prejardhje shqiptare Viktor Eftimiut (1889-1972). Më 1945 u kthye në Shqipëri, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Vdiq në burg më 28 shkurt 1954. I biri i tij është poeti Dionis Bubani (Bukuresht, 1926 – Tiranë, 2006).
-Trifon Xhagjika (Peshtan, 1932 – 1963) (Ushtaraku, gazetari dhe poeti disident Trifon Xhagjika ishte nga Përmeti. U shkollua në Normalen e Elbasanit. Në gusht të vitit 1963, u arrestua bashkë me një grup shokësh. Ishte vetëm 31-vjeçar kur u ekzekutua në dhjetor të vitit 1963. Në çastin e ekzekutimit recitoi poezinë e vet “Atdheu është lakuriq”. Vendvarrimi nuk i dihet)
-Havzi Nela – Disidenti Poet i spikatur (i varur në litar nga regjimi diktatorial – më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit),
-Genc Leka – Poet disident (i pushkatuar nga regjimi më 1977),
-Vilson Blloshmi – Poet disident (i pushkatuar bashk me Genc Lekën më 1977),
-Musine Kokalari – Studiuese, shkrimtare dhe veprimtare kombëtare (përfaqëson disidenten e parë shqiptare nga femrat; Më 12 nëntor 1944, iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. Vëllai më i vogël, Hamit Kokalari shpëtoi vetëm për shkak se ishte i sëmurë rëndë. Musine Kokalari u arrestua dy herë gjatë periudhës 13-28 Nëntor 1945; u arrestua edhe më 23 Janar të vitit 1946 dhe iu nënshtrua torturave të vazhdueshme në qeli por refuzoi të hiqte dorë nga bindjet e saj për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë – pas gjyqit turma ia shkulte flokët; asokohe ajo u dënua me 25 vjet burgim (nga të cilat 16 vite i kaloi në burg) si dhe me persekutim të përjetshëm. Gjatë kohës së burgut, iu nënshtrua torturave të tmerrshme e nga më të ndryshme të regjimit. Sidoqoftë, edhe torturat e vazhdueshme nuk ia ndryshuan pikëpamjet, idetë progresiste dhe qëndrimin e lartë moral. Më 1962, Musineja u transferua nga ambientet e burgut në internim në Rrëshen. Këtu u detyrua të punojë në punë të rënda ndërtimi, në kushte shumë të vështira e nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë që u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, ajo arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate” ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpjegon alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti ta ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”. Më 1980, Musineja u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në Gusht të vitit 1983)
-Et’hem Haxhiademi – arsimtar, nëpunës, shkrimtar, nëpunës dhe veprimtar politik i Ballit Kombëtar (më 1947 u arrestua dhe u dënua me vdekje. Me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit iu fal jeta, mirëpo mbeti në burg ku vdiq disa muaj para se të përfundonte dënimin),
-At Vinçens Prenushi – klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885 (i vdekur ne burg – U arrestua më 19 maj 1947, ndërsa vdiq më 19 mars 1949 në burgun e Durrësit. Më 8 maj 1993 u shpall “Martir i Demokracisë”. Më 26 prill 2016 Papa Françesku lëshoi dekretin e martirizimit. Lumnimi dhe shenjtërimi i tij u bë më 5 nëntor 2016 në Shkodër)…
Poshtëshënim: Vilson Sami Blloshmi (1948-1977) lindi në Brëzeshtë të Librazhdit më 18 mars 1948. Nuk iu lejua të punonte si mësues. Punoi në Ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve në Stravaj. Pas kësaj punoi në kooperativë. U arrestua në Librazhd më 5 gusht 1976 dhe u dërgua në Tiranë. Më 1 qershor 1977 u nxor para Gjykatës Popullore së Rrethit të Librazhdit nën akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”. Më 13 qershor 1977 u shpall fajtor dhe bashkë me Genc Lekën e dënoi me vdekje pushkatim e konfiskim të pasurisë. Vendimi u la në fuqi si nga Gjykata e Lartë, ashtu edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri për ekzekutim i Ministrisë së Brendshme. Dy poetët u pushkatuan në mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, pesë-gjashtë kilometra larg Librazhdit.
Më 1994, ditën e rivarrimit, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen “Martir i Demokracisë”. Më 1995, një shkollë 8-vjeçare në Librazhd u emërtua me emrin “Vilson Blloshmi”. Po këtë vit u dekorua me urdhrin “Mësues i Popullit”. Më 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në prani të Presidentit të Republikës, u përurua në Librazhd memoriali i dy poetëve, martirë të demokracisë – Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit. Po këtë ditë ata u shpallën “Qytetar Nderi” të Bashkisë së Librazhdit. Në janar 2009, për librin poetik më të mirë të vitit, iu dha postum çmimi “Lasgush Poradeci”. Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës i akordoi urdhrin “Nderi i Kombit”.
-Poeti Genc Bardho Leka (1941-1977) lindi më 23 mars 1941 në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Më 1950 i ati u arratis në Jugosllavi. Në vitet 1957-1961 ndoqi shkollën pedagogjike në Elbasan. Më 1960-1961 u emërua mësues në Zdrajsh të krahinës së Çermenikës. U arrestua më 31 gusht 1976. Procesi gjyqësor u zhvillua në Librazhd prej 6 deri në 13 qershor 1977. Më 16 qershor 1977, bashkë me mikun e tij Vilson Blloshmin, u dënua me vdekje pushkatim. Më 16 korrik 1977, gjakpirësit e Presidiumit të Kuvendit Popullor refuzuan kërkesën e tij për faljen e jetës. Të nesërmen, më 17 korrik 1977 Ministria e Brendshme nxori urdhrin e ekzekutimit. Dy poetët u pushkatuan po atë ditë.
Letërsia Moderne 1 maj 2025