back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poet i internuar, me shpirt prej loti… Kozeta Zylo (Dielli)

Gazeta

Kozeta Këze Zylo
Kozeta Këze Zylo 2011

 

Poet i internuar, me shpirt prej loti…

Këze Kozeta Zylo, 23 maj 2011 (gazeta Dielli)

Libri “Fletorja e vjeshtës” i autorit Jozef Radi

Nji pikël shiu/Prej qiejsh të qorruem
Tejpërtej e shpoi/ Shpirtin tim prej loti…

Kam gati një javë që jam duke lexuar librat e dhuruara në New York nga z. Jozef Radi, libra që kanë për autor z.Radi dhe babanë e tij, intelektualin e shquar, të burgosur e të internuar, prizrenasin prej Kosove, të ndjerin Dr. Lazër Radi.
Jam ngujuar brenda botës së një poeti të internuar, mos e dhëntë Zoti që kritika të bjerë në “koma” për moslexim të këtyre librave!!! se ndryshe s’do të shërohet kurrë e keqja kanceroze, harrimi i vuajtjeve të bashkatdhetarëve tanë, piklat e gjakut të djemve që u binin nënokeve në përparëset e punës, një punë dhe dhunë aq e rëndë dhe tronditëse gjatë sistemit që kaluam, jo pak, por 50 vjet.
Libri është shkruar i tëri në gegnisht, një pasuri aq e vyer e gjuhës amtare.
Autori Radi na ka vënë në pëllëmbë të dorës me gjithë çiltërsinë, zemrën e tij të artë, ku ne lexojmë qartësisht mendimin e tij të hapur se: “Kët libër kam tan jetën që e shkruej. Tash atij i erdh dita mos me qenë ma veç i imi.”
E lexoj dhe rri mendueshëm përballë këtij arti të shprehuri aq të ndjerë dhe të dhimbshëm, shkruar nga dora e njw shkrimtari, që u lind dhe u rrit në internim, pse babai i tij, intelektual i shquar i Kombit, u burgos, e u internua pse kishte mendime drejt orientimit perëndimor, pse kishte mbaruar avokatinë në universitetet e Italisë, profesion të cilin s’e ushtroi kurrë.
Nuk ka lexues dhe bir shqiptari që të mos kaplohet nga trishtimi i thellë, por njëkohësisht edhe të mos ngazëllehet shpirtërisht kur autori flet me adhurim për të ëmblën gjuhë shqipe, gjuhë me të cilën e ka shkruar këtë libër. Ja si shprehet autori: “E kam shkrue dhe e përsëritë jo vetëm si poezi, por dhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e stërlexue gjer në lodhje rrjedhën e saj, e s’ka njeri që ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun…”
Çdo fjalë e autorit është art, është mjeshtëri pene, ndaj dhe ai flet me aq zjarr dashurie për gjuhen shqipe, duke e quajtur atë “...aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji identitet s’asht ma i fortë se ajo…”
O Perëndi, them me vete duke mbajtur duart në tëmtha gjatë leximit të librit: “Më duket sikur një muzikë hyjnore dëgjohet nga qielli dhe këndon aq ëmbëlsisht për gjuhën tonë dhe pikërisht është kjo gjuhë thotë poeti “…që s’më la qoftë dhe nji ditë të vetme me e gjetë vedin viktimë të së keqes, ku qe zhytë jo vetëm fati im prej fëmije…”
Libri është ndarë në tri fletore vjeshte që janë aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën, janë fije shpirtërore edhe pse t’ikunish kahera… Poezitë në të tria fletoret e vjeshtës janë pa tituj, por që vetë vargjet e pagëzojnë bukur titullin brenda tyre. Liria për autorin e lindur dhe rritur në internim është pikërisht brenda tyre, brenda gjakut të kuq shqiptar dhe jo ata që i burgosën, dogjën dhe i rrethuan. Për këtë autori do të arrijë në përfundim llogjik se: “Jo, s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime/ të lirë janë ata që rrethohen me mure/ prandaj i rrethojnë:/ të vritet liria e tyne!”
Autori nuk pajtohet kurrë me politikën ulëritëse të botës së çmendur, por as djali i poetit që i njeh mirë në ekranet gri fytyrat e sadamëve me mustaqe apo dhe gangsterëve të tjerë politikë, ndaj dhe ua pret kokat me t’vetmen lodër që ka, telekomandën. Fëmija i tij mbeti peng i udhëkryqeve politike…
Në mënyrë vëllazërore i drejtohet mikut të tij se kur si hije të kenë ngelur duhet të ketë mbetur dikush për të dëshmuar mizoritë dhe barbarizmat. E gjithë kjo më kujton librin e At Zef Pllumbit, “Rrno për me tregue”, ku me të drejtë Kadareja e vlerëson këtë libër brilant me këto fjalë: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë!”.
Libri i ndërtuar mbi metaforën e vjeshtës është një sagë e vuajtjeve të autorit gjatë periudhës diktatoriale, ndaj ai lutet që dikush duhet të jetojë: “Rrno për me tregue”…
Lexon poezitë e autorit Radi, të përmbledhura në “Fletoren e Vjeshtës” dhe të duket sikur lexon Migjenin me “Vjeshtën në parakalim” në të cilën shkruhet: “Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona/ Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli/ Lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona/ Dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi”.
Autori edhe pse i rrethuar nga sytë e urrejtjes, ai s’pati kohë me humb në urrejtje të askujt, ai mban në ninëzat e syve dashninë e atyne dyqind syve, që besonin tek jeta – te ajo foshnje në grazhd… Ashtu siç dhe e thashë pak më lart pena e tij sjell një magji hyjnore, sjell frymën e Zotit, që të mban larg nga e keqja, larg nga qeniet jo njerëzore. Poezitë e këtij libri, kanë frymëzuar z.Leka Ndoja, i cili quan librin: “Betlehemi” i poetit Jozef Radi.
Ai sot jeton në një strehë me vrasësit e poetëve, që natën të vrasin dhe ditën të qajnë me lot krokodili, e megjithatë poeti ka shpirt prej loti lutet për ta duke thënë: “Jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës,/ Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…”
Vargu i poetit është dhe cicërimë zogu, cicërimë që e ka vetëm për qiellin e kthjellët të shpirtrave të kristalta, ndaj dhe ai ndalon në ndonjë degë dhe këndon!
Edhe bukurisë magjiplotë të botës femërore ai i këndon: “Ishe pishe a s’ishe pishë,/ qiellit retë me kreshtë m’ia shprish,/ pashë as pashë veç shtegut rashë,/ s’ishe pishë, por ishe vashë…!”
Buzëqeshjen e trëndafiltë të vashave dhe imazhin e bukur të tyre që jetojnë brenda shpirtit të poetit e përshkruan me këto vargje: “…dhe qesh lehtas kur ndokujt nga ne i humb filli/ e qelqet ndër buzë i krisin si puthje prilli/ ajo hesht e bindun se imazhi i saj jeton mbrenda nesh/ ndaj ecën e shlirët dhe lutet dhe lotet, na shkel padashtas dhe qesh…”
Autori duke qenë në internim njeh nga afër figura të shquara, të ndritura intelektuale dhe shpirti i tij lidhet me ta pafundësisht. Ai i respekton ata gjer në dhimbje, respekton mikun e ngushtë të të atit, Pashko Gjeçin një përkthyes nga më të zotët. Në poezinë: “Requiem për Pashko Gjeçin” ai e ngre lart at shpirt prej shenjti… dhe ja si shkruan: “U shue si qiri nji njeri,/ jo s’u shue bota,/ u shue pak Homer, pak Gëte, pak Dante Shqipnie,/ u shue shum njeri te “nji tesh” prej Shkodre,/ e kori i kambanave nën za e tha alelujan e mbrame…”
Nuk ka lexues me ndjesi njerëzore që s’do të shokohet kur të lexojë këtë sagë vuajtjesh të treguara aq mjeshtrisht dhe artistikisht nga pena e autorit, por dhe pse autori e mbyll librin duke thënë se “…kët libër mund t’mos ma lexojë askush; fëmijët e mi sigurisht asgja veç kopertinës, (ata po i lexon për qejf marria e kohës së tyne)…” Por tjetër gjë mendon autori për bashkëshorten e tij, bashkëvuajtsen besnike. Ai është i bindur se “…gruaja e ka lexue të pashkruar këtë libër, por megjithatë ajo s’ka për ta heqë nga çanta e saj…”
Është tragjike nëse ky libër do të bjerë në veshët shurdhanë, është ngjethëse nëse këto poezi nuk do të lexohen dhe komentohen nga kritika profesioniste, ky do të jetë një mëkat tjetër karshi kulturës dhe letërsisë, ku një prej tyre që e përfaqson denjësisht është dhe “poeti i internuar me shpirt prej loti…” z.Radi.
Megjithatë shkruan poeti, “ky libër është shkruar me gjak ma shumë se me penë; asht shkrue me dhimbje ma shumë se me vrull, me heshtje ma shumë se me fjalë…”
“Se jo gjithkush i bje në gjunjë mëkatit të vet e pendohet me t’vërtetë prej tij… ky libër asht mëkati im i fundit, e mëkati i fundit i këtij libri jam bash unë vetë…” f.130
Dhe poeti Radi e përfundon librin “Fletorja e vjeshtes”, duke pyetur se “…deri kur do të jemi pemë të frigueme lulesh, dega t’thyeme nën peshë të fruteve tona…” ndërkohë dhe unë si lexuese pyes se: -A do të vijë ajo ditë që të kërkojnë falje mëkatarët? Përgjigja vjen natyrshëm nëse lexojmë këtë libër të një poeti të internuar i cili thotë se: “Kët libër ua kam kushtue gjithë atyne që ma s’paku e meritojnë… ata janë pjesa ma e madhe e kësaj bote… e nëse dashnia s’e zbut sado pak shpirtin e tyne, t’paktën s’ka me e egërsue edhe ma…”
Maj, 2011
Staten Island, New York

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.