back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Pjetër… domethanë… GUR!! nga Fritz Radovani

Gazeta

Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)
Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)

Pjetër… domethanë… GUR!! nga Fritz Radovani

Shkodër, 28 Korrik 1988… 28 korrik 2013

25 vjet ma parë…

Nji ditë krejt e veçantë në qytetin ku Pjetri, u kishte tregue “dyerve të ferrit” forcën e Gurit në Shkodër, të vendosun që në vitin ’65 mbas Krishtit, në Kështjellen “Rozafat”. Dielli ishte marrë dhe dukej krejt qyteti në pragun e një eklipsi, kur “gjysëhana” po i merrte dritën dhe frymën… Vapa kishte kalue çdo kufini, frymëmarrja e njeriut ishte randue, sa dukej se je në nji gropë të thellë ku ngjet edhe shembja! Fjala u hap si rrëfeja e mori dheun… Ka vdekë At Pjeter Mëshkalla S.J… Vetëm tërmet s’ra… at ditë! Muret e Gurit të skalitun në Kështjellë ishin trandë me kohë! Pikë shiu nuk binte kund… Vorret e Rrëmajit, jo ma larg se 200 metra larg shtëpisë së Tij, ishin mbyllë prej vitit 1970… At Pjetri do të vorrosej në vorrezat e Stom Golemit… Edhe atje kishte nevojë për nji Prift!! Në vitin 1967, kur Nana ime e takon në rrugë Padër Mëshkallën, i cili e thirri në shtëpi dhe i dha me vedi disa skica pse kisha fillue me ilustrue vjershat e Tija tue i thanë: “…Merri me vedi, mbasi unë s’do t’i mbaj ma, sepse mund t’më arrestojnë e s’due me m’i gjetë kush skicat e Fritzit këtu!..” Nana e pyet nëse kishte ndigjue gja në lidhje me arrestimin, Ai i tha: “Jo! …por, kjo do të ndodhë, mbasi para pak ditësh jam ulë në gjunjë para statujës së Zojës (aty ku Ai thonte meshën çdo ditë në dhomën e Tij) dhe i kërkova Asaj me më mësue se shka me ba në kët kohë kaq të vështirë. Zoja ma shndriti mendjen dhe unë i shkrova nji letër Mehmet Shehut… kështu kjo letër do të bahet shkak me m’arrestue; njikohsisht këta do të m’dënojnë për përmbajtjen e letrës, pse i kam shkrue atij dhe s’kanë me më pyet se shka kam bisedue sa në nji shtëpi e në nji tjetër, mbasi ashtu do të marr në qafë gjithë njerëzit, sepse unë kam hy e dalë në të gjitha shtëpijat e Shkodrës. Mbasandej, ajo që ka randësi asht se edhe ndonji meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtarë, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania jonë aty…” Mandej i kishte lexue letrën që i kishte dërgue xhelatit… At Pjetër Mëshkalla, asht arrestue me 21 nandor 1946, dhe ka ba 15 vjet burg në Burrel… Me datën 29 Prill 1967, At Mëshkalla u arrestue për të dyten herë… dhe, ka ba edhe 10 vjet tera burg. Imz. Mikel Koliqi, ka thanë: “Ai e meriton me u dekorue, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba…!”(1992)

Fritz Radovani
Fritz Radovani

Ja edhe disa kujtime nga bashkvuejtësit e At Mëshkallës:

Prof. Arshi Pipa kujton: “…në kjoftë se kam shpëtue nga Burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerë, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).

Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun, Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… Padër Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qan zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! Padër Mëshkalla qeshet. Ai nervozohet dhe i thotë: – Ç’e ke at buzëqeshje, or jezuit i poshtër?… Padër Mëshkalla i thotë: “Unë po qeshi me ty! Ende s’e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti em, Jezu Krishti! Ende s’e keni kuptue? E çka mundesh me më ba ti ma shumë se sa i kanë ba shokët tuej, Krishtit…?”

Zotni Pjetër Dedë Deda, i pranishëm në gjyqin e parë tregon: “Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, se e mbërtheu me shpatulla për muri trupin gjykues… At Mëshkalla u përgjegj, se: “Dy letra i kishte dërgue Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnji përgjegje nuk kishte marrë as nga ai… Unë nuk dij kujt me i shkruar më nalt, tha Ai…” (1947)

Zotni Agim Musta, bashkvuejtës i At Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronim të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

Zotni Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”.

Zotni Riza Kuçi, shkruen: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua Padër Mëshkalla dhe më dha një gotë çaj të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë… “s’mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në personin tim veprimi njerëzor i Padër Mëshkallës…”

Kryeministri Mehmet Shehu ishte në Burgun e Burrelit bashkë me gjeneral Gjin Markun, tue vizitue të burgosunit e ngucin At Mëshkallën, për me pa nse ia ka dobësue guximin vuejtja… dhe Ky iu tha atyne: “Na jemi nën dhé e ju mbi dhé… por na jemi ma të fortë se ju!”.

Tregon nji plakë në Gjuhadol (Shkodër): “Ishte tue kalue rrugës Dava, një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjeve e kampeve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha gjithnji kishte priftën. Lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit…!! Në kthesë të rrugës ajo takon Padër Mëshkallën dhe i tregon se mbas pak ditësh donte me shkue në nji kamp pune, mbasi kishte grumbullue pak të holla e ndonji plaçkë… Padër Mëshkalla, menjiherë, i thotë Davës me e pritë nji minut aty dhe drejtohet kah plaka që ishte n’derë t’oborrit… Ajo habitet për nji çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë nji xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishë veshi xhaketën, e në at natë të ftohtë vjeshte del… dhe drejtohet nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na kët xhup dhe nepja X, se ai s’ka shka me veshë e po afrohet dimni!..”.

Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjes së At Pjetër Mëshkallës, viti 1989: “Ç’ka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”.

Disa thanje të At Pjetër Mëshkallës:

(Dosja 4191/1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

“Unë them se, me kët luftë kundra fesë ne, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.”
***
“Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta me dashni të madhe. Qëllimi em ka kenë gjithmonë i mirë… me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerzve pa dallim Feje!… Këtë kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në nji ZOT, jemi të nji gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë nji rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’u durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e nji ditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni… Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës…”
***
“Kjo asht arsyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë s’asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë s’ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi… Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX… Njerzit i dinë të gjitha, por s’guxojnë me folë se s’ka liri fjale e tashti s’ka as liri feje e ndërgjegje… Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin… edhe pa Kisha e Xhamija.”
***
“Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këtë mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”
***
Kishin hy në zyrën e drejtorit të kampit dy oficerë nga Tirana dhe i kanë kërkue Padër Mëshkallës, mos me shkue ma në punë te kryporja, por me u angazhue me përkthime në nji dhomë të veçantë, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjermane dhe do t’i sillej nga Tirana. Bahej fjalë për veprat origjinale të materializmit… Por Padër Mëshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, s’i la me vazhdue bisedën… tue ua ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me kët punë mbasi s’i jap as rinisë, as pleqve, t’përkthyeme me dorën teme helmin e marksizëm-leninizmit, at helm kundër të cilit jam kenë tan jetën teme!” Atëherë, ata e pyesin se: “Çfarë punët tjetër di me ba ti?” – Ai u përgjigjet: “Vetëm Meshtar!” (1968)
***
“Po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerzit), ky Pushtet s’ka për të zgjatë shumë.” (1967)
***
“Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse ju, shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi juej!
***
Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!” (Fjala e fundit në gjyq, 1967)
***
“Vllazën me të gjithë! Kësodore kemi me provue me fakte se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e ma e frytshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë tue e ndjékë besnikrisht.”
***
At Pjetër Mëshkalla thonte: “Asnjiherë Shqipnia nuk asht kenë e përgatitun për nji parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës, ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të përgatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje nji shkatrrim për të gjitha fushat, sepse, as që, mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”
***
Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjet staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.
***
Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ato, do të ndërtohen prap nji ditë!..”(1967)

E ky klerik… “Nuk asht vue në listë… për Shejt!!”
Melbourne, Korrik 2013.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.