back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Piro Kuqi dhe proza e tij poetike

Gazeta

Poeti Piro Kuqi (1942-2006)
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)

Kush është Piro Kuqi

(25 maj 1942 – 27 dhjetor 2006)

Piro Kuqi lindi në Tiranë, më 25 maj të vitit 1942.
Kreu shkollën e mesme të përgjithshme dhe një kurs të lartë për gjuhën frënge.
Në vitin 1960 u dënua me 4 vjet burg për “agjitacion e propagandë.”
Më pas, për motive politike iu hoq e drejta e botimit
dhe u pa gjithmonë si njeri “i dyshimtë” nga regjimi komunist.
Ka shkruar dhe botuar poezi, tregime dhe ka punuar me përkthime letrare.
Disa vlerësime të pakta, aty këtu në shtypin periodik.
Asnjë çmim, asnjë shpërblim për punën e tij një jetë të tërë në lëmin e poezisë,
përveç ndonjë honorari të mjerë, që megjithatë e bënte të lumtur.
Dhe këtë lumturi ai e ndante me shokët.
Krijuesit i mbetej vetëm “Lavdia”.
Piro Kuqi nuk u radhit kurrë në ndonjë parti.
Partia e tij ishte biblioteka ku i kishte miqtë e shumtë.
Po! Mund të themi me plot gojën se Piro Kuqi ishte poet.
Poet i dhimbjes njerëzore, të cilën e shprehu me lirizëm dhe humanizëm të thellë.
Lirizmi i tij nuk ishte i shtirur. Ai buronte nga dashuria për jetën
dhe rridhte lirshëm, natyrshëm, siç rrjedhin uji, flladi i pranverës,
siç bien rrezet e diellit, të gjitha elementë të poezisë së tij.
Ndër veprat e Piro Kuqit, përmënden:
“Botë e përgjakur” (1998);
“Blatimi” (2001);
“O sa lule, o sa ngjyra” (1998). 

Piro Kuqi në strehën e Mjerimit
Piro Kuqi në strehën e Mjerimit

Netëve – prozë poetike

Fragment nga proza poetike ‘Netëve’

“…Shpesh herë zgjohem netëve. Dua të fle. Kujtimet më buisin në kokë. Shikoj draprin e hënës që varet si hajmali në gjoksin e qiellit. Jam vetëm me hënën përballë, kaq larg e kaq afër njëri-tjetrit. Dua të zgjas dorën, të rrëmbej draprin e saj dhe të korr kujtimet. Pastaj të fle, të fle…
Por, duke kaluar nëpër llagëmin e thellë të natës, vjen frymëzimi.
Ai vjen tek unë në mënyrë tinzare, prek si me shkop magjik, kujtimet dhe ato hedhin valle para syve të mi.
Dua të thërras në ndihmë, me gjithë mushkëritë e mia, gjumin, harrimin. Po ndjej një shtrëngim në gjoks. O Zot! Përse u dashka të rijetoj ato që kam jetuar? Përse u dashka të vuaj sërish ato, që i kam vuajtur njëherë?
I mbyll sytë. Po vallja e kujtimeve sillet rreth meje më kryeneçe dhe ironike, sikur ironizon dëshirën time për gjumë, për harrim. Ajo më sugjeron vetëm një zgjidhje: të kap stilolapsin dhe të shkruaj.
Kujtimet nuk duan të vdesin.
Në botë çdo gjë vjen një moment dhe vdes. Për mua ky është një moment dhe vdes. Për mua ky është i vetmi ngushëllim. Po kujtimet, duke mos pranuar vdekjen, ma mohojnë këtë ngushëllim.
Ndez dritën. Shikoj pezhishkat e merimangave të varura nëpër qoshe. Vetë nata është një merimangë e madhe dhe unë përpëlitem në pezhishkën e saj. Siç duket kujtimet e dinë këtë, prandaj më nxisin t’i hedh në letër, që të mos vdesin bashkë me mua.
Dhe unë orvatem të shkruaj.
Hajmalia e hënës që varet në gjoksin e qiellit, sikur varet edhe në gjoksin tim. Kujtimet braktisin vallet dhe vërshojnë mbi letrën e bardhë. Unë dua që të kenë durim, të mbajnë radhë, ashtu siç kishim durim në burg, kur na numëronin rojet, kur ktheheshim nga ajo punë rraskapitëse, ashtu siç mbanim radhë me tasin në dorë përpara atij kazanit të lëtyrëtë…”

Dera e shtëpisë... si derë burgu
Dera e shtëpisë… si derë burgu

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.