back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 3 Nëntor, 2024

Piktori shkodran Pjerin Sheldija asht i Pavdekshem – nga Fritz Radovani

Gazeta

Pjerin Sheldija - Autoportret
Pjerin Sheldija – Autoportret

Piktori shkodran Pjerin Sheldija asht i Pavdekshem

nga Fritz Radovani

Piktorve të mëdhaj si Pjerin Sheldija asht e vështirë me Ju dijtë mosha!
Të punojsh mbi 200 afreske në Shqipni, Mal të Zi, Kosovë e Angli, nuk asht aspak gja e vogël, asht një thesar i madh i artit nga peneli i Pjerin Sheldisë.
E mos harroni se edhe Pjerin Sheldija ka kalue telashe të mëdha gjatë asaj kohe kur shosha e Sigurimit vazhdonte shoshitjen në rininë shkodrane.
Me Pjerin Sheldinë mbyllet edhe koha e breznisë së paharrueshme të një vargu piktorësh që vështirë se i vijnë ma Shkodrës tue fillue nga Ferdinand Paci, Jakup Keraj, Ndoc Gurashi, Ismail Lulani e sa të tjerë, tue mos harrue skulptorë, shkrimtarë e artista që kanë lanë gjurmë n’at qytet, ku arti i pikturës asht i vjetër me sa e sa shekuj vepra arti të mrekullueshme.
Piktori Pjerin Sheldija gjithnjë do të kujtohet edhe për qëndrimin e tij të një Burri që nuk njifte gjarpnimet e kohës, por gjithmonë tue ruejtë tabanin e traditave të vjetra të Burrnisë, Besës dhe Bujarisë, tradita shkodrane që edhe pse u punue një gjysë shekulli me i shpartallue ato, ka pasë atëherë dhe ka edhe sot, nga ata që i ruejtën ato tradita të rranjosuna në Shkodër.

Tabllo pikture nga Pjerin Sheldija
Tabllo pikture nga Pjerin Sheldija

Koha asht dishmia ma e sakta e ruejtjes së atyne visareve të çmueshme. Për ata që i ruejtën virtytet e pastërta në Shkodër gjithmonë koha ka me i pasë në memorien e vet të kujtesës, e në kjoftë kush ndër vendet e para, asht e ka me kenë gjithmonë nder të parët piktori ynë i paharrueshem Pjerini.
Besoj e kujtojnë ata pak shokë që janë në Shkodër qendrimin burrnor të piktorit Pjerin Sheldija ndër mbledhjet që organizoheshin në shtëpinë e kulturës: Gjithmonë i matun, i pjekun ndër mendime dhe asnjëherë randues i shokut, kjoftë mik ose jo. Pjerin Sheldija ruente korrektesën me fanatizëm.
Askush nuk besoj se ka pasë rastin me u randue nga ky Burrë fisnik i yni. Ai ishte i brumosun me cilsitë e moralit shkodran ku ishin ma fisnikët dhe ma të çmueshmet, që ruheshin e trashigoheshin me kujdesin ma të madh.

Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija
Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija

Dij me thanë sot që Pjerini nuk jeton ma, i kishte të rrallë Shkodra burrat si Pjerin Sheldija, po gjithmonë me shpresë se i ka trashigue virtytet e veta.
E gjithmonë ndër këto rasa i drejtohemi shoqeve të jetës së tyne, ku shpresa nuk venitet kurrë si tek Zonja Maria e Pjerinit tonë të dashtun.
Pjerin Sheldija me veprat e veta t’artit ka hy në galerinë e Pavdeksisë n’art!
Ai do të kujtohet gjithmonë si artist i madh, po edhe si një shkodran i nderuem dhe gjithmonë i pranishëm për fisnikinë e tij në pikturë e n’jetë.
Pjerin i dashtun, jam shumë larg sot, kur duhet me kenë shumë afër Teje, po Ti e beson se unë sot, jam ma pranë se asnjëherë me Ty! Ishim miq!
E largësia nuk paska të bajnë aspak ndër këto ditë! Ashtu si dikur ndër ata ambjente të bukra të Kështjellës Rozafat, ku gurtë e saj i shifshim me andje.

Piktori shkodran Pjerin Sheldija ne studion e tij
Piktori shkodran Pjerin Sheldija ne studion e tij

Ashtu si Ata, do të kujtoj gjithmonë edhe ty Mik i dashtun Pjerin Sheldija!
I përjetshëm asht kujtimi i portretit tand fisnik e burrnor!
Melbourne, 31 Gusht 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.