back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pesë poezi… të Pier Kolond dhe nji shenim prej Jozef Radit

Gazeta

Pier Kolond (Pjerin Ndreka)
Pier Kolond (Pjerin Ndreka)

Pesë poezi… të Pier Kolond

dhe nji shenimi vogel

Pier Kolond, asht emni artistik i Pjerin Ndrekës, i cili shpesh më ka fut “detyrimin” me e lexue “pa kushte” poezinë e tij… Nji poezi që asht e tija, veç e tija dhe e askujt tjetër… Pjero me nji natyrë të shtrueme rrëfimtare, me at shpirtin e djaloçit të përjetshëm, me at sinqeritetin pothuaj fëminor të godet me vargje të nji bukurie rrëmbyese, me nji muzikë poetike të mbrendshme, e cila shpesh s’mundet me i shpëtue nuancave epike… prej nga rrjedh si duket edhe shpirti lirik i Pjerinit…
Mbas leximeve të herpashershme, si ai që s’rrin dot pa ba ndonji vërejtje, ndalem dhe i them, Pjerin ktu, e Pjerin atje… Pjerin kët e Pjerin at… dhe ai më ndigjon me vëmendje e me jep të drejtë, pothuej gjithnji… dhe mue s’më mbeti rrugë tjetër veçse me i tregue Pjeros, historinë e famshme të Fidias me Sokratin…
“Skulptori ma i madh i Antikitetit grek, Fidia ishte bashkohas i Sokratit… dhe mbas çdo kryevepre që ai nxirrte prej duerve të veta, e ftonte urtësinë e Sokratit me i dhanë mendimin e tij, të cilin Ai e vlersonte mjaft. Dhe Sokrati… si mendje e mprehtë që ishte, merresh me imtësitë e imtësinave ma të vogla, aq sa nji ditë Fidia mbasi e ndigjoj i tha: Po këto janë gjana krejt të vogla o Sokrat, mund ti bash edhe ti vetë… dhe i dha limën… Kështu që asnji kryevepër e Fidias, nuk asht edhe pa firmën e limës së Sokratit… E gjitha kjo paralele filozofike, vlen me theksue faktin se poezitë e Pier Kolondit (alias Pjerin Ndreka), janë të bukura, por ndodh që n’at shkujdesjen e së përditshmes dicka i tret, por gjithsesi ai e kryen ma së miri misionin sa lirik aq edhe epik me vargjet e veta…
Prandaj s’munda që kët shijim temin të mos t’kërkoja me e zgjanue… sepse asht poezia e tij që e meriton kët gja… kërkush tjetër…
7 janar 2014

...dhe rrezet e diellit m'i nxirrte sysh...
…dhe rrezet e diellit m’i nxirrte sysh… 

…dhe rrezet e diellit m’i nxirrte sysh…

poezi nga Pjerin Ndreka

S’ishte zor…

Jo, s’ishte zor
m’e pa vedin n’andërr me sy çilë,
kur isha veç tremdhjet vjeç,
e kurrë s’më buzqeshte e njajta vajzë,
e tjetra m’gjuete n’guralec.
Unë recitojshe rolet e Allen Delonit,
pa za
e tanë shokt e klasës
m’brohoritshin me zili.

A ju kujtohet E……a,
kangtarja ma e mirë e shkolls,
që s’lènte rast pa m’thirrë “Artist”,
e rrezet e diellit m’i nxirrte sysh?
Jo, s’ishte zor
m’e pa vedin n’andërr me sy çilë
tuj i vu n’rresht
vajzat e klasave ma t’nalta,
kur shoqet e klasës
u shtijshin indiferente
tue lexue me za teoremat e algjebrës.

Sod, mue, plota e jets
m’a ka marrë tremdhjet vjeçarin
ma shumë se katër herë,
po jo at t’vjetrin zakon
m’e pa vedin n’andërr me sy çilë.
E kurrë veç s’e shof.
Ende mendja m’shkon
n’andërr…
zhgjandërr
vedin s’e njof.
7 janar 2014

Shkambi i Diells

At’ ditë që s’erdhe
jam njitë majeshkambi
pagzue prej meje
Shkambi i Diells.

Kam pa nji çerdhe
me do zogj t’vegjël me skjep të hapun,
sikur diçka pritshin prej qiells.
A pritshin t’amen, a t’pritshin ty,
a i thoshin diellit “Xej! Kena t’ftoftë!”
Mejherë e lane kangën
e m’panë n’sy
tue’ u dridhë friget se s’më kanë njoftë.

Kam lmue shkambin
aty n’at kand
ku përditë gjoksin ke mbshtetë,
e prej gzimit kjeç tuj u trandë
kur emnin tem n’të
t’shkruem e kam gjetë.

Kam britë si i marrë
“Diellë, emnin tand
e mbaj në zemër.
Lexoje vetë!”
Me vedi qeshi dielli;
m’bani me dorë
e ma shumë rreze i lshoi qiells.
E zogjt ndër çerdhe
ia nisën n’kor
nji kangs të gzueshme
me emnin tem
edhe të Diells.
29 dhjetor 2013

Pasqyra

Deshta me u pa n’pasqyrë
n’bebe t’syve t’babs.
Aty kishte aq shumë dritë;
e s’mujta me hi.

Prej dy piklash lodes s’gzimit
dolën dy djelm t’ri.
Prej majes s’Taraboshit,
dielli m’i lshoi sytë.

Se ça desht me m’thanë, s’e di;
po pse u pendue?!
Mandej
uli sytë e mori rrugën e Ulqinit.
Vala po e pret n’breg,
shtratin me ia shtrue.

Po e pvet vala me t’butë:
-Ça ke qe je mrrole?
Pava gjyshin me dy nipa
– ia nisi me folë –
lodja synin ma përvloj;
e pata zili.
29 dhjetor 2013

Dimën

E kam pa diellin
tuj u njite qiells me sy përtokë.
Nji hije deket n’boje t’ndryshkut
ftyrs i ka ra.

Na shikjon mrrolshëm;
e s’i shkon ndër mend me na ‘xe.
S’di pse dreqin m’ra ndërmend
shefi i zyrs.

S’jam inatçuer;
e s’di ku rrin inadi me shpi.
Jena n’dhetuer;
verì i hakmarrjes m’shpoi në bri.
18 dhjetor  2013

Pata mall

Iu ktheva edhe ‘i herë
do rreshtave t’mshehun
n’fletoren e vjetër, që s’ia kallxoj kuj.
N’nji sekond m’kalon nata;
bubazheli i pakrehun
m’shtihet si dreqi në andërr.
E thrras n’emën, e m’thotë:
-Mos truj!
-M’à tha fyti… s’di ç’ka pi!
Buzt e plasuna prej edit
syve u kërkojnë ‘i pikë ujë.
E di mirë se çka po m’gjen;
po prap zhytem n’ata rreshta.
S’e di pse e mundoj vedin.
Pse me hi n’at purgator?
Do kujtime që m’mundojnë
me i nda me ju un’ deshta.
Shpirti, fjalt i pat ndry n’burg
po unë due me i qitë jashtë me zor.
A mos pata mall për pranverën,
tesh që edhe vjeshta mbaroi.
12 dhjetor  2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.