back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Përulësisht, Faleminderit Ambrozia… – nga Albert Vataj

Gazeta

Kryeministri Rama dhe Ambrozia Meta
Kryeministri Rama dhe Ambrozia Meta 

Përulësisht, Faleminderit Ambrozia

nga Albert Vataj

…që na bërë të krenohemi
dhe të besojmë se ende ka shpresë
për të ëndërruar dhe besuar tek liria e fjalës…
.
Përballja e gazetares Ambrozia Meta me Kryeministrin, Edi Rama i ngjet asaj shkreptime të beftë që në një çast të vetëm shpërfaq në dritë gjithçka që hetuam papritmas se paska qenë e kyçur në terr. Kjo rishtare e doktrinës të së drejtës për të besuar në atë që mijëra të tjerë sakrifikojnë çdo ditë jetën atje ku vdekja hap varre, shkoi përtej çdo caku që shtyn kurajoja.
Ajo që po vdiste së bashku me dashurinë tonë për profesionin e gazetarit, sot kaloi një bay-pass të suksesshëm. Pulsi uturitës i një qëndrese guxoi të godasë fuqishëm mbi ndërgjegjen tonë të topitur. Apatia dhe frika që zgjatuar agoninë e vullneteve tona të ndrydhura, marrin saora një goditje shkundëse. Orët e pafundme të llomotitjes televizive dhe narcizmit bajat, shterojnë në asgjënë asgjesuese të kësaj përvoje që vjen të bëjë më shumë se ç’u përpoq të thotë Ambrozia Meta në ato minuta apokaliptike të betejës me kreun e ekzekutivit.
Një ëndërrtare guxoi të besojë se ideali kërkon ngadhënjyes dhe se ajo, gazetarja Ambrozia Meta mori mbi vete meritën e sakrificës në emër të dinjitetit, një çmim që fisnikëron ëndrrën e saj dhe lartëson profesionin që ajo ka zgjedhur.
Zbulesa e kësaj shërbese të legjitimitetit për të besuar te liria e shprehjes dhe integriteti i gazetarit është se shembulli i kësaj kolegeje na ngazëlleu. Por mbi të gjitha, ajo që na mbush me besim, ose e rafinon më shumë hipokrizinë tonë, është solidariteti i dishepujve të këtij besimi, të cilin fatmirësisht sot kanë kurajën ta vlerësojmë rolin dinjitoz të gazetares në përballjen me Kryeministrin.
Kjo edhe nëse nga përvoja personale, shumë prej atyre kanë shkelur mbi përbetimin e shenjtë të këtij profesioni; në shumësinë e herëve për hir të ruajtjes së marrëdhënieve të punës, diku për të garantuar përfitime dhe privilegje dhe jo pak herë nga ajo paburrëri e neveritshme. Kjo qasje e ububushme e promovimit të dinjitetit të një gazetareje, është një lajm i mirë dhe një premisë për të shpresuar ende se ky profesion ka ende tharm për të mbrujtur ëndrrat e atyre që dashurojnë gazetarinë dhe atyre që janë të afeksionuar nga ata që përpiqen gjithnjë të jenë dinjitozë në kryerjen e misionit të tyre.
Marrë nga muri i fb i Albert Vatajt, 18 maj 2018
.
Kryeministri Rama me dy ministrat e tij të Brendshëm: Tahiri - Xhafaj
Kryeministri Rama me dy ministrat e tij të Brendshëm: Tahiri – Xhafaj

Përballja Rama – gazetarja Meta

Rama: Jepi mikrofonin që ta heqi merakun
Gazetarja: Në fakt meraku im lidhej me pyetjen që ju bëra, ju si ndjeheni kur dy persona që juve ju keni besuar ministrinë më të rëndësishme, i pari është në arrest shtëpie dhe i dyti akuzohet se ka mbrojtur të vëllain. A nuk ka në Partinë Socialiste përfaqësues, të cilët nuk kanë kushërinj ose vëllezër që merren me trafik droge që mund ta drejtonin këtë ministri?
Rama: Ëëë… Së pari njëherë janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe së dyti pyet pronarin se dhe ai ka një vëlla që…a do ishte i gatshëm ai, pronari juaj që të jepte llogari për vëllain e tij?!
Gazetarja: Unë po ju pyes juve sepse ju jeni kryeministër dhe qeverisni vendin
Rama: Më falni, nuk vimë këtu për të bërë debat. Ju e bëtë pyetjen unë po jap përgjigjen. Ju kërkoni përgjigje nga unë apo jo?! Dhe përgjigja ime është kjo: pyesni pronarin tuaj dhe thuajini që a ka ai vetë ndonjë përgjegjësi për vëllain se janë në të njëjtën fushë të dy.
Gazetarja: Pronari im nuk ka lidhje me rendin dhe qeverisjen e vendit, kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend! Unë ju pyeta përse duhet të jetë gjithnjë kaq e diskutueshme një ministri, përse duhet të kemi gjithnjë ministra që implikohen në këtë çështje për shkak se ajo është një nga ministritë më të rëndësishme të vendit kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend për pronarët e televizioneve, të cilët nuk lidhen me qeverisjen e vendit.
Rama: Kurse unë e gjej krejt pa etikë që ju vini këtu, gazetare, për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë. Kjo është pa etikë!
Gazetarja: Absolutisht nuk është propagandë është një pyetje referuar zhvillimeve!
Rama: Të lutem, të lutem! Rregullat..
Gazetarja: Nuk është propagandë është një pyetje referuar zhvillimeve! Kemi një ish-ministër që është në arrest shtëpie për trafik droge dhe kemi një ministër të Brendshëm që akuzohet se i ka krijuar të vëllait imunitet. Pyetja ime është pse duhet të jenë persona të tillë, të akuzuar? Nuk është propagandë!
Rama: Unë u tregova shumë respektues…në momentin që…
Gazetarja: Dhe unë jam respektues, respektuese por nuk mund të pranoj që të thoni se po bëj propagandë sepse nuk është propagandë, është thjesht një pyetje…
Rama: Hajde këtu dhe vazhdo të thuash fjalën e fundit, Mirupafshim… O Zot!
Marrë nga Hashtag.al

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.