back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Përtej nji urimi për 2015 nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi (1929)
Lek Pervizi (1929)

Përtej nji urimi për 2015 nga Lek Pervizi

Editorial i Revistes “Kuqezi” Numri 94

“Mos e kërko bizhdilën në synin e tjetrit,
kur e ke traun në synin tand.”
Jezu Krishti

Kur hyn Viti i Ri gjithë bota gëzohet e shpreson se ai do të sjellë mirësi, begati dhe do të kunorzohet me suksese në çdo fushë të jetës së njerzve dhe shteteve… Ta ndjellësh të mirën ajo edhe mund të realizohet. Jo vetëm ne si shqiptarë dëshirojmë që Atdheut tonë t’i vijë nji e mire, që të zajë karar e ta rimarrë veten nga trauma e madhe e diktaturës, por edhe nga traumat jo të vogla të nji demokracie të paformueme, trauma të cilat shqiptarët po i pësojmë prej 25 vjetësh. Le të themi se ky vit i ri – 2015, të hapë rrugë për nji afirmim ma të fortë demokracisë, ku sipas mendimi tonë qëndron edhe në afirmimin e autoritetit të shtetit për forcimin e ligjeve në luftën kundër korrupsionit që ka marrë dimensione tepër të mëdha e zhvillohet pothuejse ashiqare. Gjithashtu për zgjidhjen e çeshtjes së madhe të pronës dhe kompensimin e të përdjekunve politikë… Dy plagë të randa këto në trupin e Shqipnisë që kërkojnë mjekim e shërim.
Por ne do të kapërcejmë mbi çeshtjet tona karshi ngarjes madhore që shkundi Francën e tronditi botën e qytetnueme, sepse po ka dhe nji botë tjetër që nuk njeh qytetnim, e mbështetun mbi parime të përçudme të nji fondamentalizmi absurd, ku liria e demokracia nuk ekzistojnë as me fjalë e letër as me punë. Pra si thamë, Franca, vendi i Revolucionit që shpalli para historisë tre parimet themelore të lirisë, barazisë dhe vllaznimit, u godit me pabesi prej atyne që ajo u jepte strehim, bukë e gëzonin të gjithë drejtat themelore të njeriut e që simbas proverbit shqip shprehet me thanjen “të han bukën e të përmbys kupën!”.

Nderim viktimave të vrara të revistës satirike Charlie Hebdo në sheshin Republika në Paris
Nderim viktimave të vrara të revistës satirike Charlie Hebdo në sheshin Republika në Paris

Atentati mizor që kaloi në nji masakër të paprecedent kundër lirisë së shtypit dhe lirisë së mendimit që janë në themel të demokracisë të të gjithë vendeve demokrate, e që përbajnë qytenimin perëndimor, at qytetnim që i dha dritë e zhvillim botës mbarë, përveç vendeve që mjerisht mbulohen nga errsina, injoranca e prapambetja, të cilëve u shtohet fanatizmi i pakufi dhe fondamentalizmi i papërmbajtun. Siç dihet ky atetntat iu ba gazetës satirike pariziane “Charlie Hebdo”, ku atentatorët masakruen ekipin e gazetarëve prej 12 vetësh, dizenjatorë të përmendun e njohun botnisht. Shkaku: pse ata kishin paraqitë disa karikatura të Muhametit. Vrasësit ishin dy vllazën musulmanë, që kishin hy në shërbim të islamistëve ekstremistë te Alqaedës dhe SIS, dhe ishin stërvitun ushtarakisht në Yemen. Të financuem prej atyne qendrave, ishin ngarkue për ta krye at atentat që me të drejtë u quejtë si vrasje e lirisë. Ishte atentati ma i madh i ndodhun në zemër të Europës, në Paris, që godiste barbarisht lirinë e shtypit dhe lirine e shprehjes, dy përbamsit kryesorë të demokracisë. Gjithë bota e qytenueme e dënoi at akt barbar, si akt kriminal e gjakatar, përveç vendeve islamike që e himnizuen at vepër mizore duke i shpallë heroj e martirë dy vllaznit e shokun e tyne që në at tërbim fanatizmi të pakufi kishin kryer nji masakër të shëmtueme me 17 viktima. Krim që mori përmasat e 11 shtatorit. Manifestimet e mëdha që mbuluen gjithë Parisin e gjithë Francën dhe pothuej gjithë kryeqytetet dhe qytetet e Europës e të Amerikës, ishin shprehje e nji solidariteti të fuqishëm. Nji solidaritet me ndjenja të larta humanitare, sepse duke dënue aktin e shëmtuem të atentatit, dënoheshin individët që në emën të Zotit e të fesë së tyne kryenin të tilla vepra kriminale. Vetë feja islame, nuk duhej të aprovonte nji të tillë barbarizëm që zbatohej në emën të islamizmit. Tjetër punë me ndërhy me marrëveshje e mirëkuptim që nuk ishte mirë që figura e Profetit të karikaturizohej me ato vizatime ne gazetën Charlie Hebdo. Me siguri problemi do të gjente zgjidhje, pa qenë nevoja me kalue në nji akt vrasjeje krimianle, që tronditi botën demokratike e futi në sherr shoqninë njerëzore të dy anëve, ku pasojat mund të jenë katastrofike. Pra zjarri duhet shue dhe jo nxitun e zmadhue deri sa mos t’i bahet ballë për ta shue. Vendet islamike duhet ta dënonin aktin kriminal që bahej në emen të tyne. Nga ana tjetër të hapnin bisedime rreth trajtimit të figurës së Muhametit që ata mbajnë si profet. Kët nuk ua ndalon kush. Por nji gja duhet të dihet mire, nuk mund të ketë religjon që të predikojë vrasje e të mos respektojë besimet e tjera. Zoti asht nji për gjithë njerëzimin dhe nuk mund të jetë vetëm e nji pjese. Historia e tregon qartë. Bibla e Kurani kanë po të njejtën përmbajtje, ku njihet vetëm nji Zot. Nuk do të kishte asnji kuptim që çdo religjon të kishte Zotin e vet. Nese dalin individë që në emën të fesë e të Zotit bajnë krime, vetë ajo fé duhet t’i dënojë e jo t’i glorifikojë. Kemi dhe diçka për të shtue. Sikur karikaturistët të kishin përdorë figurën e Krishti për nji skicë satirike, që s’ka dyshim që e kanë bërë, në mos këta të Charlie Hebdos, të tjera gazeta dhe disenjatorë, asnji i krishterë s’ka reague e protestue ndonjiherë as do të kishte protestue, por do të kishin qeshun.

Revista "KuqeZi" Nr. 80
Revista “KuqeZi” Nr. 80

Gazeta “Charlie Hebdo” asht nji organ satirik- humoristik i njohun botnisht, ku s’kanë mbetun pa u paraqitë në karikaturë mbretën, presidentë, kyeministra, gjeneralë e perandorë, deri edhe papë, kardinalë, peshkopë e prifta. Po ashtu nga shoqnia kulturore, artistike, sportive, bisnesmenë, profesorë e akademikë, etjerë. Publiku e ka blerë vazhdimish at gazete për t’u zbavitun. Si gazeta Hosteni dikur, ku karikaturoheshin gjithë personazhet “armiqsore”, si: Tito, De Goli, Papët, Presidentët e Amerikës me figurën e Daj Samit, e me radhë deri dhe Hrushovi, Teng Hsiao Pingu, etjerë. Gazetat humoristike e satirike ekzistojnë kudo në botë dhe askush s’i merr për të keq karikaturat që paraqitën aty dhe s’asht ngritun askush me protestue e jo ma me mbrritë me ba krime të shëmtueme, siç ndodhi në Paris. Ajo ngjarje ishte nji 11 shtator i përsëritun në nji formë tjetër, që mori madhësinë e nji krimi dhe u quejt vrasje e Lirisë. Të asaj lirie që asht themeli i popujve të qytetnuem, themeli i demokracisë dhe i shprehjes së lirë të mendimit. Themeli i të drejtave univesale të njeriut. Kjo asht gjitha.
Marrë nga nr. 94 i Revista “Kuqezi” që botohet në Bruksel, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.