
Përtej gravitetit të ekzistencës –
nga Robert Martiko
(Reflektime rreth një poezie të poetit Agron Shele)
Nga krijimet artistike të poetit Agron Shele, më tërhoqi vëmendjen një poezi që i dedikohet vetë artit të poezisë. Gjen të trajtuar në të temën e thelbit metafizik të poezisë, duke e paraqitur si një forcë hyjnore, që lidh shpirtin e njeriut me diçka më të lartë. Në këto raste, poezia më shumë se sa një formë e thjeshtë arti, shikohet si një rrugëtim shpirtëror, një përpjekje për ta prekur absoluten. Kjo pikërisht ka rëndësi për lexuesin, nëse bëhet fjalë që nëpërmjet një bote gjithnjë e më të lartë shpirtërore, të synohet drejt ndryshimit vetjak. Është diçka që nuk duhet harruar kurrë.
Teorikisht duke folur, sado e pakapshme të duket një poezi, ajo mbetet një formë e padiskutuar e së vërtetës. Është një ambient artistik që shpalos të pathënën dhe të pashprehshmen, një urë drejt një realiteti më të thellë. Kur Agroni bën fjalë për “rrugëtimë për t’u ngjitur gjer tek ty”, ai sugjeron një kërkim për një të vërtetë më të lartë. Është diçka që e kthen mendimin në fillesat e filozofisë platonike, te përpjekjet e para të mendimit klasik grek për të arritur idetë e pastra qiellore. Këto pikërisht ndikuan në ndërtimin e parë shpirtëror të Evropës, në një kohë kur gjithçka në këtë kontinent ishte e kredhur në egërsi dhe kaos, si gjithë pjesa tjetër e botës.
Ndërsa vargjet “klithmat zjarr”, “vullkanet e shpirtit”, “ëndrrat e harbuara të prekin lart hyjnitë” shprehin një përvojë poetike që e tejkalon të zakonshmen, duke u futur në sferën e sublimes. Kjo qasje, që përfaqëson një përjetim estetik të madhështisë dhe frikës së përzier me magjepsjen, është trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Immanuel Kant, filozofi i madh i moralit dhe estetikës.
Përveç kësaj teme me karakter transcendent, autori tregon se poezia nuk është thjesht një mjet për të shprehur emocione, por edhe një tundim i fortë me karakter përjetues, që e vendos njeriun përballë madhështisë së artit, duke ushtruar mbi të një efekt ndryshues. Në vargun “Të derdhem fjalët e pashtershme të poetit mbi honet e magmës përvëlim”, poezia shfaqet si një akt krijimi në mënyrë për të dhënë kuptim vetë ekzistencës.
Kjo poezi e sheh artin poetik si një akt të shenjtë, një përpjekje për të arritur transcendenten, për të zbuluar të vërtetat më të thella dhe për të ndriçuar errësirën e ekzistencës. Poezia bëhet kështu një akt shpëtimi, një mënyrë për të kapërcyer kufijtë e përditshmërisë me qëllim për të prekur një dimension më të lartë të qenies njerëzore.

Poezisë! – nga Agron Shele
Shumë rendin të kapen pas teje
o e magjishmja poezi
dhe shumë të tjerë humbasin vargëzimesh
pas etudesh dhe rimash simfoni.
Shumë…
e më shumë humbasin psaltit tënd
drithërohen klithmave zjarr
shpërthejnë vullkanet e shpirtit trazim
dhe dergjen pikave, lot-meditim.
…dhe unë rend sot pas teje
valëzimesh dallgë të muzës perëndim
kapem pas ankthit të yjeve pasthirrmë
dhe agut që jetën e shndrin.
…dhe fjalës së shenjtë që ujvarat zgjon
stërkalash ngritur ajrit shkumëzim
O Zot! Falma hyjninë e madhështisë
që ëndrrat e harbuara të prekin lart hyjnitë.
Të derdhem fjalët e pashtershme të poetit
mbi honet e magmës përvëlim
të zbardhë terret e jetës njerëzore
jetës, plang e angshtim.
Shumë rendin të kapen pas teje
o e magjishmja poezi
çmenden rrugëtimës së fjalës më të shenjtë
rrugëtimës për tu ngjitur gjer tek “ty”.
Nga cikli: Kritika Letrare – udhërrëfyese për kuptimin e jetës
Marrë nga Muri Robert Martiko, 1 prill 2025