
Përsiatje rreth një fotoje të vjetër
nga Nestor Kraja
Në fakt nuk është se kanë kaluar shumë kohë. Janë vetëm 70 e ca vjet më parë që shumë djem e vajza i dërguan me studime në Moskë nga e cila vjen edhe kjo foto.
Lart: Pjetër Gaci, Avni Mula, Tish Daija dhe Milto Vako; poshtë, Ibrahim Tukiçi, Çesk Zadeja dhe Rifat Teqja.
Janë vetëm 7 prej tyre. Disa për kanto (Mula e Tukiçi) disa për dirigjim (Vako e Teqja) disa për kompozicion (Zadeja e Daija) dhe njëri për violinë (Gaci). Në fakt në këtë kryeqytet të rëndësishëm të botës lindore komuniste u dërguan për studime dhe të tjerë, duke nisur nga viti 1951 deri në vitin 1959, por le të përqëndrohemi tek kjo foto:
Për ta nisur komentin nga aparenca drejt brendisë të bën përshtypje serioziteti i veshjes, kravatat, të cilat sot për brezin e ri janë jo vetëm demode, por dhe antisportive. Në fakt janë antisportivë, sepse ata i nisën studimet e tyre, si i gjithë brezi i asaj kohe, jo me sportivitet, por me seriozitet të plotë dhe me një pasion të tillë i cili u bë piedestal i kontributit të tyre në kulturën tonë muzikore për shumë dekada. Më i madhe prej tyre ishte Daija, megjithëse ngjan si më i riu, pas tij vijnë Tukiçi (në një moshë) Zadeja, Teqja, Vako e në fund Gaci. Edhe pse nuk ishte më i madhi, Zadeja paraqitet gjithnjë në mes të grupeve në shumë foto të kohës. Kjo ose për talentin e tij, ose për humorin e hollë, ose për përvojën artistike. Ai kishte qenë me studime në Itali, kishte nisur muzikën herët dhe kishte kontribut të njohur në Shqipëri.
Po të mundohemi të depërtojmë në përkthimin e fjalëve të syve të tyre do të thoshim se vështrimi më kurioz ishte i Gacit, Avniu ka një vështrim të vendosur diku, Tishi plot gaz e humor, Vako vështrim zyrtar pasi ishte dhe i vetmi anëtar partie në këtë grup, por dashamirës; Tukiçi vështrim të përhumbur por i kënaqur, ndërsa Zadeja vështrim inteligjent shikon diku larg dhe i gatshëm të reagojë. Vështrimi më pllakatesk është i Teqes, serioz, i bindur, për të realizuar një foto që do t’i rezistojë kohës. Të gjithë të krehur me kujdes me flokë nga lart apo anash.
Ishin caktuar të gjithë me pedagogë të shquar: Tishi me Vladimir Georgievich Fere, Avniu me A. L. Dolivo, Gaci me Abram Ilich Yampolsky-n, Vako me Vladislav Gennadievich Sokolov, Zadeja me Mikhail Ivanovich Chullaki-n etj. Nga lartësia e kohës sot mund të themi me plot gojën se në fakt prunë në vend një kulturë dhe dhanë kontribut të jashtëzakonshëm. Teqja me vullnetin dhe gjestikulacionin e tij të shkëlqyer, Vako me kulturën e të kënduarit koral, Zadeja e Daija kanonet profesionale të kompozicionit, dhe Mula e Tukiçi gurgullimën e zërave burrërorë. Nga këta vetëm Gaci devijoi drejt kompozicionit për të lënë shpirtin e tij të madh aty.
Pothuajse të gjithë janë nga Shkodra (me përjashtim të Rifatit – nga Peqini, megjithëse dhe ai studioi për pak kohë në Shkodër dhe Vakos – nga Pogradeci) dhe do të bindemi për këtë po të dëgjonim dialektin e tyre në komunikim. A nuk ishte Shkodra ndër qytetet më të kulturuara të kohës? Një pjesë e tyre patën përgatitje që fëmijë në ambjentet e kishës në Shkodër (Zadeja, Daija, Tukiçi, Mula)
Disa vinin nga familje me tradita muzikore si p.sh Gaci (babai muzikant popullor lahutar) Zadeja, por të tjerët ishin nga familje të thjeshta pa beckground muzikor. Katër prej tyre u martuan me vajza ruse (Zadeja, Vako, Gaci dhe Mula) Ishin të mrekullueshëm në artin e tyre, të dashur të bukur dhe të gjithë mendonin se lidhja me Rusinë do të ishte e përjetshme dhe e frutshme.
Përveç Milto Vakos, i cili u burgos dhe u denigrua nga karriera artistike, të gjithë të tjerët marrin titullin “Artist të Popullit” dhe në fakt të gjithë shkëlqyen në profesionin e tyre dhe morën peshë sipas peshës së vështrimit të tyre në këtë foto. Më shbiruesi Çesku, më i vendosuri Avniu, më i padjallëzuari dhe i çiltri Tishi, më i paqti Milto e me rradhë.
Nuk ishin më shumë se 20 studentë e studente gjithsej që u dërguan në Rusi në vitet ‘50, por ndërtuan një kulturë të tërë e madje një art të zhvilluar muzikor e koreografik të cilën e kishin lakmi fqinjët tanë. Sot studiojnë me qindra të rinj në shkollat më të mira të botës dhe nuk ka as një ide se si mund të kthehen për të kontribuar për vendin.
Por mendoj se do të vijë një ditë…!!!
Marrë nga Muri i FB, Nestor Kraja 13 janar 2026
***
Në kërkesat e Bashkimit Europian për muzikën jemi jo me përqindje, por disa herë ma e ultë si investim. Kur duem ta përfaqësojmë vendin tonë në botë, me çka do të paraqitemi? Me muzikë! Por dikush mendoj me futboll… dhe i hoqi lëndës së muzikës në shkolla nji orë dhe e la me nji orë në javë. Kjo rrudhi edhe frekuentimin e shkollave të muzikës deri në Akademi e dobësoi edukimin muzikor ndër shkolla e cilësinë e veprimtarive të tyne.
Do vijë, do vijë ajo kohë, kur të kemi nji shtetar Mecenat, sepse të gjithë muzikantët shqiptarë jashtë bajnë emën kur punojnë temat shqiptare.
Robert Prennushi