
Persiatje rreth antologjisë “Kjo botë shpirtnore vajzash e grash”
nga Emrije Krosi
Rrëfimi femëror, përmes një Antologjie, përpos shpirtit poetik femëror dhe vokacionit poetik, është një udhëtim fatesh, pikëtakimesh, emocionesh, përjetimesh prej 29 femrash, që ndjesitë saora përrokin kumte përballjesh jetësore në kërkimn të vetvetes, në kërkim të individualitet, përtej qenësisë femër. Ngjizja e lëndës jetësore, përtej honeve të thella të shpirtit, ku shtjellat e jetës blatojnë shtegun dhe universin e femrës, përmes mbartjes së emocionece të thella. Dimensione kulturore paralele, të ngjashme dhe të përskajme me njëra-tjetrën në përmasa kohore dhe hapsinore, me elemente të një bote të padukshme shpirtërore, ku vetëm një vijë e hollë, vesh dhe zhvesh “rrobën” e ngjyrave (ku kufijtë/ nënkufijtë/ horizontaliteti/ vertikaliteti) zgjerohet tejpërtej çdo kufiri jetësor, dashuror, ndiesor, ku e padukshmja, e paprekshmja, e ndjeshmja, e përkora merr formë dhe trajtë drejt lexuesit.
Pse një antologji femërore?
Artshkrimi nuk është vetëm një mjet për të gjallëruar të bukurën shpirtërore brenda nesh (përkundër dhe çdo lloj shkrimi gjinor), ku në tempujt e pluhurosur të shekujve zërat e shpirtëror të “seksit të bukur”, kanë cicëruar edhe para Safos. Këto Penelopa Universale, kanë endur fijet e jetës me ngjyrat e zemrës, për të na kujtuar se poezia nuk është vetëm dëshmi me simbolikë individualiste dhe gjinore, por edhe dëshmi letrare, e tubuar në një antologji. Antologjitë sot janë si këpurdhat, që më shumë “helmojmë” sesa “shijojnë”. Antologji vetëm me numra por pa cilësi. Antologji dhe antologji, secili dhe gjithkush, që rrëmbejnë copëra dhe “shqyejnë” ku të munden, e futen si pyka, ca me çmime, ca me para, ca me përmbajtje dhe shumë e shumë pa forma ku kumtet e tyre të “përzgjedhjes” janë klanore, sipërfaqësore, deri në vulgaritet, ku vetëm vlera “vlen për të dëshiruar”, me përmbajtje lloj-lloj mishmashi, si çorba të lëtyrta, mes tallavasë modern dhe lirikave të svetënuara, me “dashuri të përdhunuara” deri në infinit, falë metaforave pyka dhe numrave të likeve të “lexuesve virtualë” sqimatar, që ngjallin “të vdekurit” nga joshja e talenteve fejsbukiane. Ndërkohë antologjitë shtohen e shtohen… papushim! Por, kjo antologji femrore ka brenda saj rebelim/ forcë/ metamorfozë/ grua/ nënë/ dashnore/ simfoni/ amshim/ dirigjim/ triumf/ shpagim/ mungesë/ adhurim/ mohim/ delirium/ frymë/ plagë/ rrëfime/ udhëkryqe/ ecjejakje/ mosbindje dhe sigurisht është vullkan femëror. Vargjet: un’ kam heshtë,/ n’kohën e kryeme,/ n’paskajoret rebele/ për m’u ndigjue/ në tana t’ardhmet,/ kur pasthirrmat e mia,/ kanë me triumfue/ n’vetën e parë,/ veç n’mue…!, a nuk janë dëshmi që dëftojnë se femrat janë Pema e jetës dhe Evat e Ringjalljes Biblike? …emërtimi; “kjo botë shpirtnore grash dhe vajzash”…
Sepse aty është përtejbota e tyre e fisme dhe e tejdukshme, ku gjurmojnë penat e Ada Halilaj-t, Ailda Mëngjezi-t, Ardita Jatru-s, Arjola Zadrima-s, Asja Mulgeci-t, Albina Gjergji-t, Barie Çupi-t, Bukra Hysenukaj-t, Denada Ndreca-s, Desantila Rranxa-s, Donika Dabishevcit, Elida Rusta-s, Erenestina Halilaj-t, Erina Çoku-t, Emmy Krosi-t, Enkelejda Ristani-t, Gabriela Mujaj-t, Gentiana Kone-s, Griselda Doka-s, Herman Çuko-s, Ilirjana Stankaj-t, Jasmina Kotrri-t, Jorida Satka-s, Manjola Brahaj-t, Marsela Neni-t, Naime Beqiraj-t, Shqipe Bytyqi-t, Vlora Ademaj-t, Zhaneta Barxhaj-t, nga të gjitha trojet tona dhe në gjithë hapsirën e Disporës që nga Italia deri në Australi. Se bota e femrës është e dlirë, e egër, e çmenduar si vetë Venera e saj, herë urtake dhe herë e egërsuar, herë Afërditë e Perëndeshë, herë Circe e Gorgonë, herë Psikë e Lilith, herë Mari e herë Defne.

Një tjetër antologji…
Ndoshta! Por, duhet të kalojnë ca kohë. Një brez tjetër poetesh që do të “piqen”. Kjo moshë mesatare penash femërore (më të mirat për momentin), do të mbeten në nivelin e tanishëm, apo do të ngjiten në aurat më të epërme. Një antologji e tillë, e rrallë në llojin e saj, me një punë përzgjedhëse, skrupuloze, me një numër prej 11 poezish, krejt individualiste si një sprovë letrare e një pene mashkullore, poet, përkthyes, botues dhe publicist, Jozef Radi, në bashkëpunim me një poete, që fati i saj, ishte të njihte kritikën anglosanksone në Londër, Desantila Rranxa, (bashkëautore në antologji), totalisht punë voluminoze dhe pa asnjë ndihmë monetare, si në rrafshin e përimtësimit të vlerave, me një koncept krejt të ri për veten, drejt lexuesit, pa ndonjë lloj çmimi publik. Kurse poetet e reja, kanë kohë të “piqen” e të “rriten”, sepse shumë pak lexohet nga të rinjtë, se “armiku virtual” ua ka rrëmbyer librat digjitalizimi. Por, nëse antologjitë nuk kanë “shpirt kritik”, ndoshta këto poete që përfshihen kanë një moshë relativisht mbi 40+, janë në substratin e poetëve përfaqësuese të pas viteve ’90- të. Të mirëshkolluara dhe të sukseshme në botën letrare poetike shqiptare dhe jashtë saj (me botime edhe në gjuhë të huaja italisht/ anglisht/ greqisht), në bazë të këtyre kritereve që janë:
-botime të këtyre poeteve pas viteve 2000,
-gruaja që e shkruan poezinë shqipe edhe larg realiteteve sociale-shoqërore shqipe,
-stili individualit si çelës komunikimi me një lloj lexuesi të panjohur,
-shkrimi në realitete të ndryshme jetësore/ kohore/ rrethanore/ profesionale,
-ballafaqimi me lexues, që jetojnë në realitete paralele. Por, femrat nuk e formësojnë vetëveten estetikisht, (në të kundërt poezia mashkullore e idealizon atë), femrat formësojnë vetveten dhe nga hiçi, herë si vajza, herë si nëna, herë si gra, herë si ëngjëllushe e herë si djallusha.
Vështrime estetike…
Motive jo vetëm lirike, po edhe filozofike, atdhetare, ekzistencialiste, botë poetesh sa rebele aq dhe romantike, sa hermetike aq dhe ndiesore me zëshmëri e ngjyra, penat femërore që receptojnë dhe perceptohen sipas Radit, “si një gjeografi e dhimbshme emigrimesh poetike” kaq të ngjashme dhe po aq të ndryshme, poete post/moderniste të derdhura të gjitha rastësisht në burimin e âmëlsisë së gjuhës gege, dëshmojnë trashëgiminë dhe rrënjët, përmes një bote më të mirë, më të paqtë, më motivuese, ku shenjohen tematika të kahershme të penës së letërsisë femrore shqipe, por sidomos gjithëpërfshirja e poeteve në emigracion, ku konceptualizmi dhe eksperimentizmi, madje dhe gjuhësor/ tematik/ stilistik, herë-herë ka qenë kaq i vogël dhe kaq e pavënreshëm, të rrymave të hermetizmit/ imazhinizmit/ absurdit dhe vetëm pak “lirika të buta”. Ka dhe poete që mbartin lëndë nga mitologjia biblike por dhe mitologjia e përzier. Këlthitja; jam femër, me vargjet: nejse, një grua që shkruan vargje/ është vetëm kaq: një grua që shkruan vargje/ rrugën për në ferr e ka të shkruar pa asnjë mundim/ që nga toka/ nëse ferri është mbartur diku tjetër, pra femrat nuk e harrojnë dot veten dhe “ferrin” e tyre. Ngjeshja dhe përdorimi i fjalës, apo “rafinimi” i strukturave stilitsikore-gjuhësore, duke dhënë sidomos trajta dhe forma të folurit dialektor të gegnishtes së zonave të Malësisë së Gjakovës nga Mulgeci, Brahaj Hysenukaj, apo “elementeve biblike” të Mujas dhe Zadrimës, sendërtuar me erotizmin dhe dukuritë ekzistenciale që nga Dabishevci tek trishtimi “erotik” i Mëngjezit, Rustës, Nenit, Satkas, deri tek “pikëllimi mizogjinian” dhe zvogëlimi apo tkurrja e rolit të gruas, përkundër dhunës maskiliste ndaj grave ku Doka e Çuka lëvizin në mënyrë të vetëdishme dhe të përshkallshme, përtej përmasave dramatike të një shoqërie këlthitëse dhe rebeluese, të poeteve Ristani, Krosi, Jatru, Bytyqi (kundër censurës, palirisë, humanizmit, moralizimeve, paragjykimeve, hipokrizisë), duke e zhvendosur deri në skajet e metafizikës, absurdit, neverisë së Çoku-t, Rranxa-s dhe Brahaj-t. Ato janë simotra që vallëzojnë në vallen e fjalëve. Të melodive të thella shpirtërore. Ato nuk janë vetëm zëra. Janë simfoni. Janë shumësi fjalësh. Se fjala lindi e para. Ciklet e jetës, fuqitë, shndërrimet, metamorfoza, dimensionet, trashendentalja, metafizikja, shpirtërorja, tokësorja, qiellorja, jokonkretja, jorealja, përmasa, ndryshimi, domethënia, perceptimi thyejnë herë-herë subjektin natyror, që mjekon dhe shëron dhimbjet e realitetit shumë herë fatalist femëror te Çupi-t, Kone-s, Rusta-s, Beqiraj-t, Kotrri-t. Unike, sensuale, individualiste, përtej botës shpirtërore të këtyre vajzave dhe grave, zëri femëror josh dhe projekton poezinë si art po edhe si mision, përtej performacës femërore, në një botë globale ku roli i tyre, po bëhet dominues dhe konkurues.