back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Persekutimi i shkrimtarëve dhe artistëve… Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

Persekutimi i shkrimtarëve dhe artistëve

nga diktatura komuniste…

nga Visar Zhiti

Ka patur një kohë paradoksale, të pabesueshme dhe të rëndë, aspak të largët, madje ngjitur me tonën sipas një muri tashmë të shembur, kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarë e artistë, libra, lexues, drama, festivale këngësh, ngrehina bibliotekash, madje dhe vetë metafora, edhe pse duket e pamundur të arrestohet një figure letrare, duke shkuar deri në dënime me varje shkrimtarësh.
Goditeshin vandalisht realiteti përballë dhe kolonat e traditës, gjithçka që dilte kundër sundimit të fitimtarëve të pas Luftës II Botërore, utopisë së tyre me doktrinë gjysmake, socializmit real, asaj diktature që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri të njeriut të ri. Dhe më përpara se të hapeshin universitete, u hapën burgje.
Shqipëria ishte vendi më i vogël në perandorinë komuniste me diktaturën më të madhe në Europë, ku u provuan të gjitha: komplotet e heshtjes vrastare, zhbërjet, larje kolektive trush, internime, burgosje, pushkatime, madje dhe Krijuesi suprem, vetë Zoti, u ndalua, pasi u shembën tempujt e besimeve dhe kulteve.
Ndërkohë diktatura kultivonte shkrimtarët e saj, artistët e vet dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat apo fermat, ndërkaq kishte kryer zëvendësimin e Zotit me vetveten dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ekzekutive. Në fund të fundit dhuna permanente ushtrohej po me intelektualë, jo vetëm me policë, me propagandistë, me shkrimtarë dhe veprat të tyre në shërbim të ideokracisë dhe sistemit totalitar.
Njohja e së keqes, studimi i saj tani, institucioni i kujtesës janë të domosdoshëm, për t’u njohur e kaluara, historia jonë dhe e vërteta jonë, pra vetja si individ dhe kolektiv, që shumçka të shndërrohet në përvojë dhe vizion, me qëllim që të mos përsëriten diktaturat dhe e ardhmja të bëhet sa më shpejt e tashme.
Kundërshtimet e mëdha, ndarjet, disidenca, martirizimet, revoltat, diksioneri i qëndrestarëve, deri dhe te viktimat, jo vetëm që meritojnë nderim, por shërbejnë dhe si mësim i mekanizmit të madhërishëm të kundërveprimit ndaj maqinerisë së përbindshme të dhunës dhe tjetërsimit çnjerëzor. Të kujtojmë! Po, kemi 20 vjet që kujtojmë me mençuri, duke (ri)edukuar kohën tonë!

Fitimtarët e tmerrshëm

Menjëherë sa erdhën në pushtet fitimtarët, pas 1944, teatrot dhe kinematë ekzistuese i shndërruan në salla gjyqesh!! Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës: Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë, etj, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozha të teatrit rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta, teksa dora zgjatej për monoklin, kapte revolverin!!
Në altoparlantët jashtë në rrugë dëgjohej gjyqi si gjëmim, formë e re kërcënimi. Dënohen me pushkatim: Kol Tromara, Alizoti… Hurshiti… Konstandin Kote… Leka, Merlika, Golemi… Terenc Toçi, Zef Kadarja… Borshi… Valteri… Omari… Cani… Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi… Me burgime të rënda: Koço Kota, Vrioni… Cara, Leskoviku… Jakov Mile, Mihal Zallari, Lazër Radi… Gjergj Bubani, Libohova… etj, etj. Duartrokitje si batareja e plotonit të pushkatimit. Vazhdojnë vrasjet: Dom Ndre Zadeja… Intelektuali i lartë Xhevat Korça vendos të vdesë në burgun e Burrelit me grevë urie, e para grevë në komunizmin e këtushëm.
Ndërkaq poetit Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i fundit”, madje i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Ngaqë kish qënë prift antibolshevik dhe nacionalist, ai s’duhej të ishte as i vdekur!!
Edhe autori i romanit të parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, futej në burg në moshën 82 vjeçare si kundërshtar i regjimit dhe vdiste po në burg pas 5 vjetësh. Dhe tragjediani Et’hem Haxhiademin e helmojnë pak javë para lirimit. Edhe dramturgu tjetër Krist Maloku vdes në burg.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Madhështia e qëndresës

Megjithatë “Shqipëria që shtypej” ruajti dinjitetin, guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës më 1946. Këtu u kap dhe poeti Martin Camaj, që do të arratisej për në Gjermani, sipas dëshmisë se poetit të burgosur politik Pano Taçi. Vetëm 19 ditë ishte ajo që bota e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonte qëndresa me armë në dorë: Gjomarkajt, Mirakajt, Bajraktarët, Kolët, Sulkurtët, Merlikajt, Kazazët, Lleshanakët dhe betejat e tyre do të zgjasnin 10 vjet!
Përrenjtë sillnin edhe gjakun e tyre.
Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, u arratis në Itali, ku themeloi në Romë katedrën universitare të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Por në atdhe u dënua vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai e dënoi diktaturën komuniste duke shkruar dramën e mrekullueshme “Rrajët lëvizin”, ku si një antioruellian, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e profetizoi. Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalarin, të lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluesen e nje partie demokratike, e burgosën, më pas e internuan, punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të.
Poeti dhe studiuesi, profesor Arshi Pipa, kundërshtar i hapur, pasi doli nga burgu, u arratis bashkë me poezitë e tij, i kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh, i gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepseje. E botoi në Romë më 1959.
Në burg futën dhe drejtorin e parë të Radios-shqiptare, gazetarin dhe përkthyesin Gjergj Bubani. Edhe autori i operas së parë që u vu në skenë pas Lufte, Preng Jakova, pasi i vranë të vëllanë si kundërshtar, e liruan si moshë e vogël, dhe gjithë jetën do të mbetej me maninë e persekutimit deri sa vrau veten… Në burg ishin përkthyesit e mëdhenj të Homerit, Dantes. Ai i Shekspirit s’u kthye kurrë nga Amerika…
…Siç thashë, këtu dënoheshin librat, edhe kur ishin letërsi e përkthyer po nga vetë sistemi, ndaloheshin sipas konjukturave p.sh. Remarku, Hemingueji, Shollohovi, Mopasani, madje dhe Go Mo Zho-ja, etj, nxirreshin nga qarkullimi për arsye ideologjike dhe bashkë me libra të tjera nga letërsia shqipe, të traditës ose libra të posabotuar gabim çoheshin në fabrika për t’u ricikluar në letër.
Ndodhte që punëtorët të vidhnin ndonjë… unë ende ruaj libra të tillë në bibliotekën time, nuk m’i gjetën kur më arrestuan dhe mua për metaforat, pse s’lejohej hermetizmi i tyre, shumkuptimësia e dëmshme, se përçonte ide të fshehta kundërshtuese. Më dënuan me 10 vjet burg. Akt-ekspertizuesit e poezisë time ishin dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, që zbuluan se “nxija realitetin dhe shpesh aludoja hapur kundër udhëheqjes së partisë dhe sistemit socialist…”

Perspektivë dhe retrospektivë:

I ndihmuar nga distanca kohore dhe nga vizionet e reja që të jep liria, unë them tani se shkrimtarët dhe artistët shqiptarë kanë qenë të dënuar në mënyrë gjenerale: një pjesë e ndjeshme, si kundërshtarë, duke i futur burgjeve, duke u ndaluar veprën dhe duke mos i lejuar të shkruajnë, apo duke i vrarë dhe pjesa tjetër u mbyllën në metodën e realizmit socialist, duke krijuar letërsi propagandistike, mashtruese plot lajka për sistemin, derisa u tjetërsuan, në viktima fatlume, po i quaj. Mediokriteti kështu u bë dënim po aq i rëndë, për letërsinë dhe kulturën, por jo për autorët e tij të privilegjuar.
Prandaj dhe poeti qiellor shqiptar, liriku i mrekullueshëm: Lasgush Poradeci vendosi të mos shkruante më. Ai thuri poemën e mallkuar të heshtjes së vet dhe, për të mbijetuar, përkthente Gëten, Hajnen, Pushkinin, por edhe Brehtin. Nga klasikët e vdekur lejohej veç ndonjë gjë. Madje një hebre shqiptar, Robert Shvarc, guxoi dhe përktheu nga Brehti “Marrshi i viçave” si i shkruar posaçërisht për këtu: “Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin…”
Është paradoksale dhe shtirje naive të besosh se në diktaturë, me mungesë të tmerrshme lirie, mund të bëheshin vepra të mëdha. Regjimet totalitare e racionojnë lirinë ashtu si ushqimet e përditshme. Cave ua heqin lirinë fare dhe ndocave, të përzgjedhur dhe këta, u japin më tepër se racioni. Pse? Që të shkruajnë për të bërë alibinë e diktaturës ndaj botës jashtë dhe ndaj së ardhmes. Pati shkrimtarë në komunizëm që ditët ta shfrytëzojnë këtë kusht dhe kjo është arsyeja kryesore që edhe në diktaturë arrihet të bëhen vepra jetëgjata, të cilat ndodhte t’u jepeshin që t’i përkthenin të burgosur pa emër dhe shteti ua ofronte që të botoheshin në vende të tjera si maskë politike e diktaturës, që ajo të mos dukej aq e keqe. Dhe shpenzimet merreshin nga puna e papaguar e të burgosurve nëpër minierat infernale, ku ishin dhe kolegë të tyre, por me shenjën minus.
Me shpërbërjen e perandorisë komuniste dhe me rënien e diktaturave të saj, Shqipëria zbuloi një letërsi tjetër, e rroposur, që vinte nga nëntoka, por që dukej se kishte dalë të priste në të ardhmen. Letërsia tjetër po sillte dëshminë e saj dhe vlerë artistike të tjera dhe nuk kërkoi të përzërë ç’ka qenë vlerë, por për të sjellë vetveten.
Dolën vepra nga burgjet, erdhën nga balta e internimeve, i nxorën nga sirtaret e brejtur nga koha… Shqipëria e mrekulluar pa se paskësh patur, edhe pse ilegale, disidencë, kundërshtarë, martirë, jo vetëm viktima, të cilat edhe ato ndërgjegjësoheshin në burg. Persekutimi frymëzoi dhe tragjeditë antikitetit grek dhe Shkrimet e Shenjta.

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Na trondit së thelli aq sa revoltat, ajo çka shkruan poetët e pushkatuar, aq të rinj në moshë, Trifon Xhagjika, që pasi recitoi në gjyqin e tij “Atdheu është lakuriq”, në fjalën e tij të fundit kërkoi, si artilier që ishte, një top, që t’i binte Komitetit Qendror. Poeti Vilson Blloshmi edhe para pushkatimit refuzoi kërkesën për t’u bërë bashkpunëtor: “…më mirë baltë, – u tha, – se sa me ju…!” I varuri i fundit në perandorinë komuniste, bashkëvuajtësi ynë Havzi Nelaj, kishte shkruar në burg poezi për Helsinkin dhe të drejta e njeriut, kur këtu, jashtë burgut s’i dinin ç’ishin këto!!
I burgosurit politik Astrit Delvina ka ende romane në dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe polemikat e tij kundër socrealizmit në hetuesi. Por ai ka vdekur që t’i kërkojë… dhe në vendin tonë të vdekurit harrohen shpejt!
Letërsisë shqipe iu shtuan veprat monumentale të kujtesës të At Zef Pllumit dhe Amik Kasoruhos, nga Fatos Lubonja e Marsen Bungo, nga Pjetër Arbnori e Agim Musta, Engjëll Çoba e Spartak Ngjela, Jorgo Bllaci e Pano Taçi, Petrit Kalakulla e Zyhdi Morava, Ahmet Kolgjini, Ylber Merdani e Leka Tasi, Frederik Rreshpja, Henrik Gjoka e Eugjen Mërlika, Gëzimët, Çela e Medolli, vëllezërit Çoku, që ishin bashkë në burg me një prangë dorë më dorë.
Dolën nga varret e heshtjes poezitë moderne të ish të burgosurit Zef Zorba dhe komeditë e ish të burgosurit tjetër Hekuran Zhiti. Edhe vepra madhore shkencore e Profesor Kolec Topallit, por edhe lutjet e shenjtores tonë Nënë Tereza…
Emra, emra, emra, emra një apel i hatashëm. Unë kam nxjerrë 201 emra shkrimtarësh dhe artistësh të dënuar, 43 në Kosovën e pushtuar, pra sa 1/5, kurse në Shqipëri më shumë se aq u pushkatuan, edhe gra si shkencëtarja që kishte studiuar në Torino, zonja Sabiha Kasimati. Në Kosovë u vranë vetëm 15, shumica në luftën e 1999, është fjala për shkrimtarë e artistë, kur dhe një njeri është shumë.
Ndërkaq në Shqipëri po ndodh një dukuri e çuditëshme, nëse trashëgohej dënimi si një pasuri e patundëshme si p.sh., at e bir, Lazër dhe Jozef Radi, bij të dënuarish po tregojnë tani për burgun, kur shkonin të takonin prindërit si shkrimtari Agron Tufa, poetja Luljeta Lleshanaku, studiuesi Leka Ndoja, Ron Kubati dhe Ornela Vorpsi përtej detit në Itali…
Edhe unë arrita të nxjerr poezi nga burgu, botova dhe të tim eti duke besuar se po vëmë gurët tanë në këtë mozaik marramendës, që s’është më i nëndheshëm.
Ringjallje e quan në një nga veprat e tij historiani-shkrimtar Uran Butka, që bashkë me Pjetër Pepën kanë zhvarrosur histori kombëtare. Por mjerisht kurrë nuk do të vijë dot ajo që nuk u la të bëhej nga jetët e ndërprera, kultura jonë do të ketë brenda një si varrezë të madhe kolektive.
Koha do ta kujtojë gjithmonë që është vrarë kohë njerëzore: Në Shqipërinë e diktaturës socialiste shqiptarët bënë: 914.000 vjet burg dhe 256.146 vjet internim, pra më shumë se 10 mijëvjeçarë dënim. Kurse koha pas pushkatimeve është e pamatshme, llahtar me shenjën infinit.
I vetmi ngushëllim është mospërsëritja e tyre.
(Botohet me shkurtime, Fjala e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve kundër Komunizmit…)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Mendimi yne eshte qe zoti Zhiti nese e ndjen sa do pak peshen e asaj shtrese qe perfaqeson, duhet te japi menjehere e publikisht doreheqjen. Ne te kundert ne si nje grup fare i vogel i te burgosurve e te perndjekurve politike te Shqiperise DISTANCOHEMI NE MENYREN ME PUBLIKE PREJ KETYRE PERSONAVE dhe deklarojme qe nuk do te bejne me pjese kurre ne gjirin tone te hapur, nga i cili rrjedh akoma gjaku i kamzhikut ENVERIAN.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.