back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Përmbysja e Shtëpisë së Lirisë Shqiptare nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Romeo Gurakuqi gjate nji interviste
Romeo Gurakuqi gjate nji interviste

Përmbysja e Shtëpisë së Lirisë Shqiptare

nga Romeo Gurakuqi

ShBA kanë ndjekur dhe vazhdojnë të ndjekin më shumë vëmëndje ecurinë e demokracisë në Shqipëri dhe janë angazhuar thelbësisht në reformimin e sistemit konstitucional dhe politik në vend. Pritja e përfaqësisë së institucionit të Kryeministrit, është një tregues shumë i rëndësishëm i pikërisht këtij interesi strategjik dhe kujdesit permanent të ShBA-ve për përparimin e vendin në paqe dhe liri. Problemi mbetët në rezervat e brendshme te këtij vendi sovran. Përmbajtja njerëzore e delegacionit të 14 prill 2016 në Shtëpinë e Bardhë, një indikacion shumëplanësh dhe kuptimplotë. Çfarë lexojmë ne?
Nga shtëpitë ku para 25 viteve urdhëroheshin vrasjet në kufi, nënshkruheshin ekzekutimet e shkrimtarëve, urdhëroheshin arrestimet e të rinjve që rrëzuan bustin e Stalinit, ku urdhërohej masakra e 2 prillit dhe rrahja e studentëve, si fëmijë që përjetonin panikun e më të mëdhenjve të ngjyer në mekate, sot kanë dalë në sipërfaqen qeverisëse, përfaqësuesit e Shqipërisë demokratike, që vizitojnë, me mandatin e liderve të zgjedhur demokratikisht me proporcional njëemëror, vendin kampion të lirisë dhe institucionin më të lartë ekzekutiv të saj, Shtëpinë e Bardhë.
S’kishte si të ndodhte ndryshe: është drama e një populli të prapambetur, që pasi ia asgjësuan gjithë elitën tradicionale, ia eliminuan fizikisht disidencën, e boshatisën nga populli që mendonte dhe mendon, ia vendosin udhëheqësinë e “transformimit demokratik”, që në gjenezën e lindjes së shpresës, sipas formatit që do të duhej, ia ngatërruan sistemin e bazuar  të drejtën, pronën e lirinë individuale, tanimë ia vulosën edhe shpresën e së ardhmes në qarkun e majtë autoritarist.
Sot, 25 vite me pas rënies së Bllokut Komunist të Tiranës, me dhimbje duhet të themi që ata që goditën djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, ata që urdhëruan dhe transmetuan urdhërat për vrasjet në kufi, janë në pushtet, përfaqësojnë diplomatikisht Shqipërinë,  përcaktojnë linjat qeverisëse, urdhërojnë dhe drejtojnë institute dhe grupe të parlamentarizmit, drejtojnë procesin e kthimit të pronave, drejtojnë doganat, ndodhen në pikat themelore të drejtimit të Shtetit, persekutojnë gjithë familjen e kryengritjes demokratike, kanë krijuar një shtet që bazohet në një Kupolë të ngushtë të ish kastës që u përmbys, të shoqëruar me segmente të kapitalit të madh të ndërtuar në rrugë informale dhe me krimin e organizuar.
Me dhimbje mund të themi se ideali i demokracisë dhe konstitucionalizmit shqiptar që ka lindë me aq mundim në këtë vend në qoshkat fatlume të desidencës, sot është i shtrembëruar, i dhunuar dhe i kompromentuar. Shqipëria është një vend me liri të shprehura në mënyrë asimetrike dhe përzgjedhore në nivel territorial dhe në nivelin e shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Pesha kryesore për këtë deformim nuk do të duhet kërkuar vetëm në vitin 2016, por para se gjithash në vitin 1992: në papërgjegjshmërinë me të cilën u ndërtua Sistemi i Ri, dhe mënyrën se si u konceptua Demokracia, mënyrën se si u artikulua Liria, respektimi i Shtetit të së Drejtës, Ndarja e Pushteteve, Cilësia Intelektuale e përfaqësisë, vendosja e drejtimit politik mbi parime demokratike dhe të ekspertizës politike, mënyra se si nuk u bë lustracioni i politik.
Fakt është se, ata që e ëndërruan sistemin demokratik europian dhe amerikan, nuk u lejuan kurrë që të ndërtonin Shqipërinë serioze dhe Qeverinë Dinjitoze, që do të hynte natyralisht në Shtëpinë a Bardhë, me dinjitetin e qeverisë së mirëfilltë të desidencës së ngritun në qeverisje, si përfaqësues të Shtëpisë së Lirisë së Shqipërisë.
Një sistem i tanë u kujdes qe edhe atëhere kur duhej të ndodhte, ata që e ëndërruan dhe e realizuan, të ishin në rrugët e shkapërdamjes nëpër botë. Janë të shpërndarë anekand botës për 22 vite me radhë, dhe vazhduan të pësojnë të njëjtën gjë edhe këto tre vite traume dhe depresioni që shkaktoi qeveria social- integriste në shoqëri, duke ia mbyllë rrugën e kthimit, atyre, fëmijëve të tyre të shkolluar.
Sot, në vend të tyre, me përfaqesimin ma “dinjitoz” të klasës që luftoi nga viti 1945- 1992, kundër Amerikës, klasës që dirigjoi nga Zyra Sekrete, nga KQ i PPSH, shkuan në Shtëpinë e Bardhë, ata që s’do të duhej të ishin për dy arsye bazore:
E para: për arsye morale: për propagandimin e thellë familjar kundër Lirisë së Shqiptarëve, promovuar historikisht nga US Government;
Së dyti: për arsye të ndjekjes edhe sot të linje qeverisëse antidemokratike në planin e brendshëm: një vazhdimësi politike të brendshme e kamufluar, antidemokratike, segreguese, përjashtuese ndaj popullit të sotëm shqiptar jo socialist dhe jo integrist… Imagjinoni se të gjithë ata njerëz që pardje takuan Presidentin Obama, janë mësuar që në djep, ta urrejnë Amerikën, Lirinë dhe Demokracinë.
A doni prova për këtë?
Do të ishte krejt normale që sot, të korigjuar nga kjo fillesë, zoti Rama  dhe entourage i tij shoqërues, të kishte shkuar si një ekip dinjitoz i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm i organizatës së tij politike të deformuar dhe puniste; si një Kryeministër etik që respekton popullin e tij; një kryeministër që bën transparencë të shpërndarjes dhe akumulimit të pasurisë, tenderave, shpërndarjes së të ardhurave në shoqëri; si një kryeministër që lufton korrupsionin, që imponon transparencën qeverisëse dhe i shpjegon në çdo moment popullit të tij, rrugën që ka vendosur të ndjekë; si një kryeministër që ka një shërbim diplomatik profesional, me përfaqësues të të gjithë shtresave të shoqërisë dhe jo një shërbim diplomatik të kontrolluar nga pasardhësit e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit.
Shqipëria është një shtet i kontrolluar nga një kastë e ngushtë njerëzish nga familjet e dirigjencës komuniste, që zotëron pushtetin dhe e shpërndanë, përmes një kontrolli rigoroz politik, ushtruar përmes dy partive politike qeverisëse, që e kanë vdekur demokracinë, shoqërinë e hapur, që kontrollojnë dhe priren ta përjetësojnë kontrollin mbi organin e hetimit dhe organet e drejtësisë, që ende nuk kanë ndërtuar një bllok parimesh të ndershme për reformimin e kushtetutes, të sistemit të drejtësisë dhe  nuk kanë menduar ndershëm as përkufizimin e Byrosë Nacionale të Hetimit; ai është një bllok që ka frikësuar njerëzit në jetën e përditshme dhe kanë shkatërruar shpresën për të ardhmen.

Delegacioni i Kryeministrit Rama në Shtëpinë e Bardhë
Delegacioni i Kryeministrit Rama në Shtëpinë e Bardhë

Por, a duhet të mbetet edhe më tutje Republika e Shqipërise, në dorë të një grupi të tillë politik dyfaqësor, të shfaqjes së jashtme jo thelbësore, si pjesë e aleancës së lirisë ndërkombëtare dhe thelbit të brendshëm brutal shtypës, përjashtimor cinik ndaj të ndryshmëve politikisht, kulturalisht dhe nga pikëpamja e trashëgimisë politike? A mund të jetë edhe më tutje Republika jonë si një qiell i hapur dhe i lirë i krimit dhe kriminelëve të lidhur me kastat? A mund të jetë Republika jonë konstitucionalisht unitare, një vend i qeverisur në mënyrë të diferencuar, me njësi të privilegjuara dhe blloqe të diskriminuara nga qeveria? A duhet të shndërrohet Republika e Shqipërisë në një hapësirë jetësore për të gjithë qytetarët e saj, apo do të mbetet një Republikë Aristokratike e Autoritare, e drejtuar nga Partia Socialiste, e komanduar me dorë të hekurt nga Edi Rama dhe rrethi i tij i servilëve, që vendosin Partinë mbi Shqipërinë? A mund të jetë shteti shqiptar në duart e një njeriu që guxon të luajë me parimet  shekullare mbi të cilat është ndërtuar Shqipëria dhe sistemi i saj arsimor publik, thjeshtë për të hallakatur mendjet dhe zhvendosur përqëndrimin popullor, nga pasuritë marramëndese që është duke vendosur grupimi  i tij i ngushtë?  A mund të jetë Shqiperia në duart e njerëzve që për hir të konsolidimit të pushteteve të rrethit personal klientelist, janë kthyer në servilë famozë ndërkombëtare, të gatshëm ta shndërrojnë vendin në një recycle bin, të mbetjeve humane të aventurave guerrilase të botës së tretë?
Gjitha gjasat janë që  zotëria Kryeministër dhe entourage i tij, s’kanë  kuptuar se pritja e Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë është një mbështetje për popullin shqiptar dhe një thirrje mendjeje për ata, për ndryshim kursi, orientim për kah gjithpërfshirja dhe largimi nga rruga e kasnecëve të ish bllokmenëve shoqërues dhe suflerëve të tyre që i orientojnë nga Tirana.
Nëqoftëse është e sigurt (sikurse unë kam bindjen e bazuar tek cinizmi i nënqeshjes së kryeministrit në intervisten e bërë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë për VOA), që edhe pas vizitës së bërë tek Presidenti Obama, Partia Socialiste dhe LSI, do të vazhdojnë të sillen njëlloj ndaj popullit të tyre, opozitës, popullit të lirisë, atëherë a mund të themi  ka ardhë momenti që fatet e vendit, të tjerë njerëz, t’i marrin në dorë për të ndërtuar një Shtet ndryshe, një demokraci jo vetëm për një kastë, por një Shtëpi të Madhe të Lirisë?
Brezit të Ri Idealist të Opozites i ka ardhë ora për me e rikonceptue, rolin, misionin, ndërtimin e një udhëheqësie qeverisëse hije, që do të duhet të përgatitet për muajt e ardhshëm, që do të jenë më të rëndësishmit, për të mos lejuar çimentimin e socialistëve latifondistë miliarderë, përjetësisht në pushtet.
Duhet të kuptohet se në tavolinën e Opozitës është tashmë ndërtimi i Qeverisë Hije, të lirë nga vargonjtë e së djeshmes “djathtiste”: një ekip ekspertesh të nivelit më të lartë;
Në tavolinën e opozitës duhet të jetë sot blloku i parimeve mbi të cilat duhet të rikompozohet Kushtetuta, duhet të bëhet pa stërhollime Reforma në Drejtësi, dhe duhet të përvijohet ligjërisht Skema e Byrosë Nacionale të Hetimeve; Opozita duhet ta ketë të qartë se asnjë kushtëzim me artifica të ndërvarura nga interesat parciale të individëve, nuk do ta ndalojë reformën në drejtësi dhe ndërtimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, si një organ i pavarur nga Policia e Shtetit dhe nga Prokuroria e Republikës; asgjë nuk do ta ndalë më decentralizimin profesional të Prokurorisë së Republikës; askush më nuk mund ta ndalë më reformimin e njimendtë të Trustit Autonom të Drejtësisë Shqiptare.
Po iu la kjo gjë në dorë Edi Ramës dhe Ilir Metës, ata do ta bëjnë në mënyrën që ata janë mësuar ta bëjnë, me njerëzit që ata kanë besnikërisht në lidhur në fijet e undergroundit, duke rrahur gjoksin e reformatorëve, ndërkohë që në fakt do të ndërtojnë fasadën e radhës.
Nëqoftëse Opozita do të marrë nismën për ta impostuar nën doktrinë reformën, atëherë ka një shprese që Shqipëria e nesërme, do të jetë më e pastër, më e lirë, më gjithpërfshirëse dhe më demokratike, një aleat i denjë i SHBA dhe BE. Përndryshe do vazhdojmë të kemi Shqipërinë siç e dojnë socialistët e pareformuar shqiptarë, me pasardhës të palëvizshëm të binarëve të djeshëm komunistë.
Tiranë, me 15 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.