
Përmbushja e një Amaneti
nga Klodi Stralla
Një ditë të diele, fillim nëntori të vitit 1996, kur Rozi, bashkëshortja ime, u kthye nga shtëpia e prindërve të saj, më thotë me shaka se “të kërkon vjehrri, kushedi se çfarë amanetesh do të të lerë!” E prita disi me humor, ndonse më shkoi mendja se do të ishte diçka e tillë.
Prof. Niko Bello, mësuesi im i dikurshëm i Gjeografisë dhe prej 15 vjet edhe vjehrri im, ishte në ditët e fundit të jetës të tij (vdiq pas dy jave). Prej dy vjetësh lëngonte në shtrat, si pasojë e një aksidenti fatal: në moshën 80 vjeçare theu këmbën brenda në shtëpinë e tij dhe kjo e detyroj të zerë përgjithmonë shtratin. I vetëm, pa gruan e tij, që i kish vdekur dy vjet më parë, ai mbeti në kujdesin tonë, veçanërisht të dy vajzave të tij, që i shërbyen me përkushtim shembullor deri në ditët e fundit të jetës.
E gjeta të shtrirë në shtrat, si zakonisht, dhe pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit, më urdhëron të hap dollapin përballë dhe të marr prej aty një fletore me kapak të zi. Veprova ashtu siç më tha dhe s’e pata të vështirë ta gjej atë, mes librave të tjerë.
Ishte një “Ditar”, që profesori e kishte mbajtur në vite, për të cilin, siç më tha, “nuk kishte dijeni askush”. Më befasoj kur mësova se ai, që nga viti i largët 1945 e në vijim, me periudha ndërprerje, kishte mbajtur Ditar, ku shënonte ngjarje e ndodhi, jo vetëm familjare por sidomos nga ato shoqërore, që shqetësonin një mendje të mprehtë dhe një shpirt fisnik, si i tija. U keqardha kur mësova nga goja e tij se nipi i parë, si fëmijë i përkëdhelur, pa e kuptuar se çfarë dëmi po bënte, kishte grisur shumë fletë nga fletoria e tij e shënimeve dhe kjo “e zeza” ishte e vetmja që kishte ngelur nga ato shënime shumëvjeçare, aq të vyera të tij.
Më shprehu dëshirën që, pas vdekjes të tij, nëse unë do ta shihja të arsyshme, t’i botoja, duke anashkaluar momente intime, të natyrshme tek çdo familje, dhe që nuk paraqesnin interes publik.
“Ti je i vetmi që mund ta bësh këtë punë – më tha plot mirësi, sidomos tani që jemi në Demokraci dhe është e ligjëruar fjala e lirë. Le të mësojnë, ata që më kanë njohur, por edhe më gjerë, se si kam jetuar, punuar e menduar, si një prej intelektualëve idealistë me kulturë perëndimore, që u detyruam përdhunshëm, për mëse katër dekada, të jetojmë në të ashtuquajturin – Socializëm”

Sigurisht i premtova se do ta përmbushnja një amanet të tillë. Sytë e tij zhbirues u ç’tendosën në çast dhe fytyrën ja mbuloi një buzëqeshje vetbesimi. Kisha edhe një amanet tjetër si ky i profesorit; atë të tim eti: një studim historik mbi Korçën, që edhe ai ma la në dorëshkrim.
Puna për t’u adaptuar me profesionin tim të ri (jurist), preokupimet e përditëshme për mbarëvajtjen e fëmijëve të mij në shkolla, adaptimi me shpërnguljen nga Korça në Tiranë etj, e vonuan disi, por s’e harruan kurrë përmbushjen e kësaj detyre familjare. Tani në pension, që kohën e kam me bollëk dhe falë Zotit, me kujtesën ende të pacënuar, nuk kishte asnjë justifikim tjetër veç përmbushjes të amanetit të paraardhësve të mij.
Tani, që libri i tim eti “Në valën e dramës shqiptare, Korça dhe korçarët (1878-1909)” ka disa vite që pa dritën e botimit dhe po ashtu edhe libri im “Kaleidoskop”, me mbresa, kujtime dhe opinione të gjithëfarshme, u botua tani vonë, ndihem vërtet i lehtësuar nga një barrë morale, që po dorëzoj sot për botim, të shoqëruara edhe me shënimet e komentet e mija – “Ditarin” – Amanetin e profesorit dhe vjehrrit tim të respektuar – Niko Bello.
Marrë nga Muri Klodi Stralla, 28 mars 2025