
Përkthyesja e “Odiseasë”, Emily Wilson
kritikon ashpër filmin e Christopher Nolan
Emily Wilson, përkthyesja e vitit 2017 e veprës “Odisea”, ka vazhduar kritikat e saj ndaj filmit epik të regjisorit Christopher Nolan. Në një shkrim për revistën The Atlantic, Wilson e cilësoi filmin si: “…emocionalisht të zbrazët”. Ajo më parë kishte kritikuar ashpër skenarin e këtij filmi në një recension për London Review of Books, duke e quajtur atë “të tmerrshëm” dhe duke shtuar se do të ndihej e turpëruar nëse do të kishte shkruar ndonjë pjesë të tij.
Në shkrimin e saj, Wilson analizon qasjen e filmit ndaj “Ligjit të Zeusit”, një variacion i Rregullit të Artë që kërkon mikpritjen ndaj të huajve. Ajo argumenton se filmi nuk shpjegon lidhjen midis mikpritjes dhe situatës së luftës, ku grekët kishin rrethuar Trojën për dhjetë vjet. Sipas saj, paraqitja e Kalit të Trojës, si shkelje e këtij ligji është e paqartë, pasi trojanët nuk janë mikpritës, por armiq në luftë.
Wilson, e cila është profesore e studimeve klasike në Universitetin e Pensilvanisë, vëren një mospërputhje midis skenarit dhe regjisë. Ajo shkruan se ndërsa skenari insiston në rëndësinë e mirësisë njerëzore, kamera fokusohet kryesisht në logjistikën mekanike të lëvizjes së objekteve në hapësirë, siç është Kali i Trojës apo anijet.
Ajo shton se në kohë të dezinformimit, nevojitet art që është i sinqertë për domosdoshmërinë e dhembshurisë.
Kritikat e mëparshme të Wilson përfshinin pretendimin se filmi nuk ka asgjë bindëse për të thënë për kohën, kujtesën, luftën apo marrëdhëniet njerëzore.

Ajo e përshkroi strukturën narrative si të stisur dhe karakteret si të pambështetura nga motivime bindëse.
Pavarësisht këtyre komenteve, filmi ka pasur sukses të madh komercial, duke fituar 922 milionë dollarë në mbarë botën dhe duke marrë vlerësimin “A” në CinemaScore. Kritikat e Wilson u kundërshtuan nga autorja Joyce Carol Oates, e cila në platformën X e akuzoi përkthyesen për përdorim të gjuhës së ashpër dhe mungesë respekti ndaj kolegëve që punojnë me mirëbesim.
Burimi: variety.com, 05.08.2026