back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Për dianën, dianat dhe djajtë… refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Për dianën, dianat dhe djajtë…

refleksion nga Jozef Radi

Beteja Morale e Letrave Shqipe kahera jeton ditë të nxehta të saj… Jo se beteja nuk ka pasur më parë, jo se të vërtetat s’janë thënë e stërthënë, jo se figurat e krimet letrare s’janë denoncuar, jo se opinioni shqiptar s’e ka pranuar të keqen e shkaktuar dhe dëmin e pësuar, por sepse Letrat Shqipe sot ndodhen në tjetra kohra e në të tjera rrethana.
Kështu këto rikthime të herëmbashershme… s’duhet vetëm të diagnostikojnë… por edhe të përpiqen të shërojnë diçka!
Duket se sot Misioni i Madh është Mbrojtja e Magazinës së veprave me themel në “luftën e klasave” si pasuri kombëtare dhe rishikimi nën optikë të re i Dështimit të Realizmit Socialist; pra të gjenden mënyra me e paraqitë si fitore, jo më prej atyre që e bënë “të tyren” nën “emër te parimeve”, po një tjetër brezi që s’ka lexuar asnjë vepër konkrete të asaj lavdie, përveç filmizimeve të veprave më kryesore të kësaj rryme, dhe glorifikimi i personazheve që përcillen në të Përtejmen, me një zulmë tejet heroike, e ku shteti i ri (i ri i thënçin) i trajton ithtarët e epokës më të errët letrare, si korifej të artit në favor të toksifikimit të gjithë atyre që më së shumti ngopen me jehonën e famës së emrave… se sa me leximet e vërteta letrare apo pasurimet shpirtërore të tyre. Detyrë tashma e ka marrë edhe nga një aradhe figurash të reja të medias dhe shtypit, që në dukje s’kanë asnjë lidhje me të djeshmen, por që në fakt nyja e tyre me të djeshmen e bën gjithnjë e më të dukshëm misionin e tyre në të përpjetë të kohës së re, që në një nënshtresë analize s’është asgjë më shumë si vazhdim i studjuar me kujdes i ekspertizave të djeshme letrare, por tashmë në .…“trajta të pafajme”… Mendoj se shumë shpejt emri i tyre do të kolektivizohet dukshëm, e s’do të jetë tjetër veçse një vazhdimësi e denjë për t’i quajtur këto figura dianat…
.
Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 - 2017)
Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 – 2017)
Ndërsa viti 2017, nisi si “100 vjetor i Musinesë”, një model sublim gruaje, letrareje, politikaneje dhe intelektuale e pakompromistë, po ky vit, mbas do kohe sjellë edhe 40 vjetorin e masakrimit të dy poetëve: Blloshmi dhe Leka, modele letrare të asaj tjetër kohe, kur shpirti i thellë i letrave shqipe vihej aq lehtësisht përpara plotonit të pushkatimit. Këtyre dy ngjarjeve u vihet si në pasqyrë figura e një Diane (Çuli) shkrimtare, (simbas meje mesatare), aktiviste e indoktrinuar (sipas fjalëve të saj për veten) dhe denoncuese poetësh nën diktaturë (ia dëshmojnë dokumentet)… e cila gjen kurajo t’i ritrajtojë figurat e poetëve, pa u lënduar aspak shpirtërisht. Dje qe në makinën e propagandës vrastare, sot në lavdi të propagandës lënduese, në atë vend ku të gjithë e shajnë të Keqen e shkaktuar “n’gurë e n’dru”, ama askush nuk i del për zot dëmit me mbrritë së paku në kufijtë e ndjesës…
A s’do të qe më mirë të heshtesh, pse kësi veprimesh zgjojnë padashtas irinitë për krejt mekanizmat e mjerë të asaj makine shtypëse, të cilët pak nga pak po i mbulon heshtja dhe përçmimi, po asnjëherë harrimi!
Është e vërtetë, në diktaturë nuk të vriste një njeri i vetëm, as disa bashkë… të vriste krejt ajo makinë e përbindshme propagande që niste nga “timonieri i madh” deri te “spiuni më i rëndomtë i fshatit apo i burgut”… Gjithë hallkat e kësaj makine vrastare punonin fuqishëm më së shumti me përdhunë, shpesh me zell dhe një devotshmëri idealiste të verbër… ku sa më vrastarë të ishe si hallkë e kësaj makine të pangijshme aq më i nderuar aq më i fuqishëm ndjeheshe dhe privilegjoheshe!
Për fat të saj, Diana dje ka qenë hallkë e nderuar e asaj makine vrastare, po edhe sot si duket ajo e “keqe e vogël” e shkaktuar, ia paska lanë nji hise edhe per të sotmen… Kështu ajo duke mos ka qenë as e vetme, as e pafajme, as e pazellshme, as ka mbrojtur letërsinë shqipe, as e ka ndjerë gijotinën mbi poetë… as ia ka ndjerë të kërkojë ndjesë! Ajo vetëm ka jetuar në qerren të lavdisë së rehatshme e ptrazuar ndër kohra… Nuk është fjala vetëm për kët çeshtje flagrante ku ka ndritur zelli i saj në të keqe, por po ndrin edhe sot aq zelli i saj sa tërheq edhe tjera dhe shfaqet aq sheshit në të përditshmen publike kjo eufori djanash, sa shpesh duket sikur ndrron veç ngjyrë dhe modele flokësh se tjerat janë pothuaj si dikur…
Ngjarjen tragjike me pushkatim dy poetësh me pavdeksi të siguruar, (edhe n’atë pak jetë të jetuar – pa mbushur te tridhjetat), ajo e bën si asgjë, duke thënë “s’e s’isha unë që e tërhoqa këmbzën e vrasjes…”, por kjo s’e zhbën dot krejt zellin e saj në rreshtat e shkruar prej sajë me majë thike në lëkurën e poetëve… dhe midis asaj hordhie emrash kriminalë, që projektonin vdekje poetësh i saji vezullon si “Dianë e Vrasjes së Poetëve…!” E kjo tashmë për fatin e saj të keq!
Pra Diana, në këtë tragjedi me dy jetë poetësh, me dy familje të sapokrijuara të shkatërruara, me dy talente të eleminuara të letrave shqipe… del të ketë qenë pjesë me djajtë, me atë avangardë djajsh, që sot thërret me shembullin e saj të tjera djana, duke dëshmuar qartë dhe pa ekuivoke se këtë egërsi mendimi dhe veprimi, këto mëkate të asaj makine tmerri me emra dhe mbiemra të vërtetë, s’ka “Lum Jordani” që i lan e s’ka “Mur Vajtimi” që i mban, e ku përdreq qenka i pashlyeshëm edhe emri i saj.
.
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja ndaj Vilson Blloshmit dhe Genc Lekes
Çdo këmbëngulje për të bindur se ajo s’ka lidhje me ngjarjen e Pushkatimit të Poetëve, s’është tjetër veçse një dëshmi e mjerë e paftyrësisë. Kurse të kërkosh të mbetesh figurë që e trajton me sensibilitet artin dhe letërsinë, pa hequr zhgunin e krimit plot pllanga gjaku poetësh, i ngjan rivrasjeve! Njerëz me zell të lëvdueshëm që i dhuruan vetes privilegje, e në të Dyzetin vit të pushkatimit të Poetëve, që përpiqen ta shesin veten si shenjtorë të pafajshëm të letrave rënduar prej gojësh të liga, na dëshmojnë apogjeun ku mund të ngjitet e Keqja…
.

***

Me që jemi te Letrat dhe Morali i Letrave Shqipe, meqë shpesh jemi rrethuar nga djajtë e dalë nga shishja, vërejmë se pa u shuar jehona e dy poetëve të pushkatuar dhe ekspertizave ndaj tyre, një tjetër ekspertizë poetësh, më e rëndë e më tragjike, një tjetër formë pushkatimi ka mbushur gjithkah median dhe opinionin shqiptar të këtyre ditëve…

Edhe kësaj here sërish është një poet!
Një ish i burgosur politik Visar Zhiti… sot ndodhet nën një llumnajë shprehjesh që s’mundet t’i thotë një njeri rruge dhe jo një President. Pa asnjë lloj takti as dinjiteti ai e ka akuzuar Poetin, as më pak e as më shumë se me dy shprehje që s’janë tjetër veçse një egërsi ushtarake me ngjyrosje djajsh. Shprehje, pos tjerash me penalitete edhe ligjore, siç është paraqitja si akuzë e një mesazhi të njëfarë P. V. i të qenit e Poetit “Spiun burgu” (akuzë e turpshme për një president shteti) dhe se Ai s’e ka dekretuar personin në fjalë, për ambasador “disekuilibre psiqike”!!!
Për të qenë sa më korrekt me Presidentin e Republikës, po i bëjmë një itinerar jetes dhe veprës se Poetit Zhiti…
Visar Zhiti, në moshën 27 vjeçare është spiunuar, përgjuar, arrestuar, dënuar, ndëshkuar, vjedhur… vetëm për Poezitë dhe Artin e tij. Nëse trupi dhe shpirti i tij, një ditë mes torturash e ka përballuar presionin e makinës vrastare, ka përballuar stërmundimin e galerive apo trajtimin kafshëror të minierës së Spaçit, cilido njeri në botë duhej ta respektojë sado pak kët limit të njeriut: vuajtjen, dilemat dhe thyerjen e shpirtit të Poetit humbur galerive të skëterrës, duhet ta kuptojë çdo te thotë të humbësh rininë dhe dashurinë dhe të jeshë përballë ëndrrave të thyera… e të besosh se mund t’i ikësh skëterrës! Unë e mohoj në mënyrë kategorike kete akuze ndaj tij! Sepse ai kreu burgun, dhe fakti që vepra e tij letrare e pasburgut është pjesa më përfaqësuese e memories kolektive, së kohës së së burgjeve, janë dëshmi të gjalla që s’ka president në botë që mund ta bëjë fajtor poetin e dhunuar!
.
Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti – Poeti i burgosur
E dyta, ajo “e disekuilibreve psiqike” është më e rënda, më fyesja, më vulgarja, më rrënqethsja… Me kësi akuzash bajate janë shkatërruar qindra intelektualë shqiptarë nga diktatura; dhe shtesa në vendimet e gjyqit e frazës për “disekuilibre psiqike”, ende është e patrajtuar si duhet. Vetëm se dihet se në çmendinën e madhe shqiptare, “çmendinat e vogla” kanë masakruar shumë prej intelektualëve me të njohur shqiptarë…
Atëhere shtrohet pyetja, pse Presidenti i Republikës, simbol uniteti dhe kohezioni i përdori këto dy akuza të rënda…?! Ashtu rastësisht?! Në nervozizëm e sipër!?! Absolutisht Jo! Ndërkohë që nuk gjeti asnjë të çarë ligjore për të mos lejuar një hetues diktature, të bëhej Ministër i Brendshëm, i paska gjetur të gjitha legjitimitetet morale dhe juridike për të akuzuar një Poet si Zhiti: “Spiun dhe i çmendur!!!”
Dhe jo vetëm kaq, por Zhiti vinte mbas traumës së humbjes së rëndë në familjen e tij, dhe Presidenti: ky “dhurues edhe i një dekorate ndaj Poetit”, si është e mundur të akuzojë në mënyrën më të pacipë, mbasi edhe në respekt të humanizmit po edhe vetes së tij, s’duhet të lëshohej në një batak të tillë.
Një President që përfaqëson unitetin e një populli, duhej të rrinte në të tjera lartësi, duhej t’i gjente sado pak ngjyrë respekti e dhimbjeje edhe ndaj vetes! Prandaj gjykoj se ky gjest flagrant nuk është as rastësi, as thjesht shfrim personal, por një akt i qartë i mbetjeve toksike në strukturën e tij morale, akt që dëshmon qartë e në dritë të diellit, se krejt mekanizmat e zellit të djeshëm, kanë në strukturën e tyre krejt atavizmat e së djeshmes dhe ndjehen të gatshëm t’i kthehen rrugës së vazhdimësisë…
 
Në të mirë a në të keq, përgjat këtyre 26 viteve, Visar Zhiti pjesën më të madhe të jetës e ka konsumuar si përfaqësues i shtetit shqiptar. Herë si gazetar, herë si dipllomat, po edhe si atashe kulture, si deputet, si ministër kulture, si ambasador dhe kjo nofkë e fundit “trazimesh psiqike”, s’është shfaqur kurrë asnjëherë. Sigurisht Zhiti, në përpjekjet e tij të bëjë nëpunësin model të shtetit, po edhe të ndjekë karrierën e tij, ka zgjuar mjaft pakënaqësi, në të djathtë e në të majtë, por kjo s’i jep të drejtë askujt që me pakënaqësitë e veta ndaj atij, të legjitimojë akuza të tilla makabre e kobndjellëse, në kohë lirie… Me këtë akuzë të bërë nga President Nishani (dikur Oficer i lartë Ushtrie) ndaj Visar Zhitit, (dikur i burgosur politik) mund të kishte sjellë (dikur) edhe pushkatimin e tij si ndodhi me Blloshmin dhe Lekën, Nelën apo Xhagjikën… Pra, Ai e ka e keqpërdorur autoritetin e tij prej shtetari, me trajtat e metastazave të djeshme, për ta rivrarë sërish Zhitin, por tashmë kjo, jo thjesht Zhitin si Njeri, po për të vrarë krejt atë kauzën që ai ka përfaqësuar, krejt ata Njerëz që vuajtën dhe vuajnë padrejtësisht për një gjysmë shekulli dhunë (po edhe edhe çerekshekulli postdhunë), barbarinë e asaj makine makabre vrastare ku dikur bënit pjesë edhe Ju zoti President!
Kësi akuzash të paprincipta (edhe sikur të ishin të vërteta) të një Presidenti ndaj një Poeti, bëhen kështu edhe ndaj krejt sivëllezërve të tij të vuajtjes! Këto nuk janë tjetër, veçse frymë e asaj çka Ju përpiqeni ta maskoni përmes ca teneqeve që i shpërndani për dukjen e një imazhi mashtrues, sepsi thelbi i Juaj si njeri dhe si autoritet është me djajtë, dhe se akuzat Tuaja ndaj një Poeti si Zhiti, që e ka përballur me dinjitet diktaturën në krejt trajtat e saj lukubre, dhe i ka shërbyer në Postdiktaturë me vepra tronditëse, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse dëshmojnë sa të vështirë e kanë të gjithë Ata të Indoktrinuar të Ndritshëm të çlirohen nga e prangat e së djeshmjes së tyre…
 
Beteja Morale e Letrave Shqipe jeton ditë të nxehta…
Duket sikur e gjithë makina e rrënuar e së djeshmes, gjithë skrapi i mbetur magazinave, po del shesheve për të dëshmuar Fuqinë e Pafuqishme të së Keqes…
Zoti e bekoftë Mjerimin e tyre!
Po për ta realizuar këtë mision të pamundur, do të duhet të jenë më aktivë se kurrë: diana, dianat dhe djajtë…
New York, 26 mars 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.