
Peng Nderimi – Alois Gurakuqit prej At Gjergj Fishtës
përgatiti Fritz Radovani
Zani i kangvet të para të Lahutës mori dheun e trandi zemrat e Atdhetarvet të vërtetë. Këtë bindje dhe këtë vlerësim ndaj Poetit desht ta shprehte edhe letrari i ri Luigj Gurakuqi, i cilli në vitin 1906, i kushtoi vargënimin, bashkë me nji vjershë safike me titull Pengu i nderimit. Edhe Fishta në shenjë evarije i kushtoi në vitin 1909, veprën “Pika Voeset” bashkë me këtë poezi. Nji notë njomsije, përshkue prej ndjesishë mirënjohtjeje plot ambëlsi, e shquen këtë kangë:
Fjala e mikut asht ma tërhjekse se gurgullimi i gurrave e flladi i ambël prendveror. Ajo kallë zemrat e ndritë mendën, tue nxitë kah punët e mbara. komentet janë nga At Viktor Volaj, O.F.M. tek “Lirika” Botue 1941.

1.I kandshëm â e plot shije
Nja’i lehtë zhumhur, qi gurra
Ep tue gurgullue npër hije
E nëpër rrajë e curra,
Ka’ e argjantë lugjeve ulet
E puthë përmallshëm lulet,
Qi si n’pasqyrë – rrijnë m’amë t’asaj tu’u kqyrë.
2.Asht edhe i butë e i kandshëm
Nja’i ambëli fllad eret,
Qi ka’i qetët e i erandshëm
Fryn nëpër ag’ prendveret;
Me landë shkon tue zhablluem
Ase me gji t’rituem
Prej voeses s’qielles – të ndonji drandofilles.
3.Ma e ambël, por asht fjala
E njaj miqsis s’vërtetë,
Qi, kur t’na marrë vala
E pellgut t’zi t’ksaj jetë,
Tue na ngushtue ndër gjire,
E ndiejmë, e qi fatmirë
Zemrat na i kallë – me nji shpresë të gjallë.
4.Po, o Gurakuq, për mue
E larta fjala jote,
Qi me Vargnim m’ké çue,
Kur zemra ‘i herë m’ankote,
Për mue kjé ajo peng beset
E kjé për mue hyll shpreset,
Qi shpirtin m’ shndriti. – Zemërën ma flladiti.
5.Oh! Po: Ajo fjalë ngushllimit
N’ zemer njashtu m’ka ardhë
Si voesa prej agimit,
Qi bjen m’nji lil të bardhë;
E atëbotë, si kah prendvera
Bîjnë vjollca e lule tjera,
Njashtu mendimet – patën n’mue burimet.
6.Po, atëbotë për Atme e Fé,
Për punë të hijshme e t’mbara
Zemra ma fort m’u xé;
E ma fort se përpara
Me shpirt un Zanës iu trova,
Edhe njat burrë këndova,
Qi n’flakë t’barotit – mbet për tokë t’Kastriotit.
7.Pra, i drejtë në kjoftë se moti
Krejt zâ n’s’ma qet n’harresë
Fjalës sate. (E cilla m’plotì
Zemrën ma t’ambël shpresë
Se ‘i kohë dikur ma e bardhë
Shqypnis ka për t’i ardhë).
Un me evari – për nderë, po, do t’ia di.
8.Prandej, për peng miqsijet
Kam da me t’i kushtue
Kto ushtrime poezijet,
Qi ti, (due me shpresue),
N’ kurrsend s’ké për t’i ba,
Sado qi s’duhen gja:
Pse m’to pa da – mue mik ti ké me m’pa.

1.-zhumhur – zhurmë e lehtë, gurgullim
– curra: shkrepa, shkambij
-ka e argjantë lugjeve: tue zbritë shkumbuese nëpër lugina të vogla.
-përmallshëm: mallëngjyshem,
-amë: vendburimi ku buron gurra e mandej
shtrati kah dikohet (shtrihet, rrjedhë).
2.-Qi ka… fryn: qi kur frynë
-ag: agim.
-zhublluem: fërshlluem, fjalë onomatopeike qi tregon zhurmën e gjethit kur e lëvizë era.
-Ase me gji t’rituem: me fletza të shpërthyeme, të njomuna prej veset.
3.-Qi, të cillën… Grimcim peremnuer e zëvendsueme prej meje në na, ndoshta gabim shtypi, mbasi nuk gjeta dorëshkrimin. Fishta nuk i ka qortue vetë gati kurr botimet.
4.-E larta: fisnike, bujare. Vargnim: Titull i vërtetë, botue në Napoli në 1909, me pseudonim Lek Gruda. Iu desht me vuejtë shumë. E luftuen pse nuk e kuptonin ketë revolucionarë ideshë, por edhe pse kuptuen gjeniun e udhëheqësit. Të gjitha kundërshtime të mbrendshme.
5.-lil – zambak.
-bijn: çilin, dalin.
-paten n’mue… xune fill në menden t’eme.
6.-Atme e Fé: Binom qi u përdor shumë, po duhet theksue se Atme kje qitë e përdorë prej Shoqnisë “Bashkimi”
-mbara: të mira, fisnike, qytetnije e përparimi.
-zemre ma fort… mora zemër edhe ma shumë. Fishta ç’prej vjetve të para të aktivitetit të vet, paraqitet me nji program jete të caktueme, prandej edhe ia hin punës pa ngurrue, por si çdo i ri kishte nevojë për nxitje. Fjalët e mikut kjenë me të vërtetë nji nxitje e fortë për té.
-me shpirt i u… iu kushtova me të gjitha fuqitë e shpirtit.
-njat burrë këndova… Luigj Gurakuqi në vjershë qi i kushtoi shpreh vlerësimin për blenin e parë të Lahutës, “Té Ura e Rrzhanicës”. Nji vjet mbrapa (1907) boton blenin e dytë, Vranina, qi kishte protagonist Oso Kuken, tue krijue pranë tipit të burrnisë dhe t’urtisë, qi paraqitet në Marash Ucin, edhe tipin e herojit të ri e të pathyeshem, qi ban jetën fli, por s’bjen kurrsesi në dorë t’anmikut, pra, vetëflijohet.
7.-Pra, i drejtë… Koha e ardhëshme gjyqtare e drejtë, nuk ma mohon, nuk e humbë vlerën e meritueme me veprat e mija… Pra, qysh në fillim Poeti ka besim në vlerën e punës së vet. Viti 1907 kjé viti ma i frutshëm i tij. Përveç blenit të dytë të Lahutës, prodhon shumë poezi satirike me randësi, qi diftojnë nji shkak të merituem lavdrimi. Prandej fjala e yte m’ploti: më mbushi plot, nji verb me të vërtetë poetik. E përdorëedhe tjera herë Fishta kët verb
8.-Kam da me t’i kushtue: Kushtesa kjé kjo: Shqyptarit të vjefshëm – zotit Luigj Gurakuqit – Nderës së djelmnisë së Shkodrës – kto vjerrsha të Përvûjta – Auktori kushton – kjto ushtrime poezije: Kështu e quen me modesti veprën “Pika Voeset”, botue në Zadër, në 1909. Libri përmbledh: 12 vjersha lirike, dy satira, Ius Gentium, Dredha e Djallit dhe nji shfaqje të vogël, Odisea.
-n’kurrsend s’ké për t’i ba… Nuk ke për me i përbuzë.
Melbourne, 8 Mars 2025