back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Penëndrituri që e deshi Shqipërinë pa kushte… – nga Ervina Toptani – Luan Myftiut, në dyvjetorin e largimit nga kjo botë

Gazeta

Luan Myftiu (1933-2019)
Luan Myftiu (1933-2019)

Penëndrituri që e deshi Shqipërinë pa kushte…

nga Ervina Toptani 

Luan Myftiut, në dyvjetorin e largimit nga kjo botë

Penëndrituri që e deshi Shqipërinë pa kushte edhe pse ajo i dha vetëm vuajtje e dhimbje…. 
Të marrësh penën e ta kalosh ndër gishtërinj siç kalon vargu fillimisht në telat më intime të mendjes, pastaj fletën e bardhë e ta përkëdhelësh me sy përpara se aty të derdhësh shpirtin… Dhimbja u bë e bukur në vargjet e tua, dhimbja që nuk u nda kurrë nga shpirti yt që dhe dhimbjen e bëri të qajë…
Luan Myftiu, ishte një njeri i thjeshtë, që vuajti tepër nën terrorin e komunistëve anti-shqiptarë. Ish i burgosur politik i cili u persekutua edhe më rëndë pas daljes nga burgu. Ai ishte poet, prozator, publicist e studiues letrar i cili u burgos gjatë diktaturës sepse ishte njeriu në antitezë të plotë me “njeriun e ri “që përgatiste partia enveriste dhe sigurisht prejardhja e tij, kultura, profesioni si profesor letersie, vlera dhe humaniteti i një shpirti të lirë vetëm ia shtuan fajet për të cilat duhet të paguante. 
Por vuajtjet nuk ia kursyen penëndriturit as pas burgut e sidomos as pas ardhjes së demokracisë së rrejshme. Që në vitet e para pas rënies së sistemit diktatorial Luani Myfiu u angazhua fuqishëm për të mbrojtur shtresën e të burgosurve politikë. Ai ato vite shkëlqeu duke qenë prezent me penën e tij në çdo zemër shqipari të lirë. Mesazhet e tij të fuqishme depërtuan tek qindra të tjerë nëpërmjet shkrimeve në gazetat e kohës si: “Liria”, “E djathta”, “Balli Kombetar”, “Republika” etj. Janë dhjetra, qindra poezi të botuara nga z. Myftiu në ato vite, shumë shkrime të natyrës letrare, duke lënë mënjanë ato të natyrës politike, ku derdhet dhimbja, bukuria, vuajtja, rezistenca, krenaria, shpirti i lirë e i papërlyer, sakrifica ekstreme e të burgosurve politikë e të familjeve të tyre, vlera që njeriu mbart në vetvete, mosnënshtrimi ndaj të keqes. Sa herë jam emocionuar kaq fort ndërsa lexoja shpirtin në vargje e shihja përmes syve të një Njeriu të madh sesi qëndrohet fort, deri në fund kundrejt padrejtësisë e barbarëve që e ushqyen atë. 
Shumë miq e pjesmarrës të grevës së urisë së të burgosurve politikë të vitit ’94, e kujtojnë ende sot sesi provuan t’ia hiqnin penën nga dora për të mos shkruar më të vërteta të dhimbshme që përsëriten rëndom tek ne kur nuk ke nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara. Përsëri e provoi dhimbshëm në demokraci, nga pushtetarët, sesi tërhiqesh zvarrë e hidhesh nga shkallët kur kërkon të drejtën e kur mbron lirinë e merituar. (të më ndjeni që e përmend këtë por është dhimbje që nuk harrohet). Pak kishte ndryshuar në thelb, kryesisht fasada dhe ato ditë të zymta ku liria marramendëse si e “skllavit” që nuk ia njeh kuptimin e vërtetë asaj, vërtetuan edhe njëherë se duhet me ditë edhe me vdekë për më fitu lirinë! Luan Myftiu ishte ndër të paktët që realitetin e hidhur shqiptar e njihte të hidhur siç ishte! 
I shkatërruan familjen plotësisht, i pushkatuan dajën, xhaxhanë, kushëririn ende fëmijë dhe i lanë të gjithë pa varr. I burgosën babanë sa nuk e pa më kurrë, nëna pësoi fat edhe më të keq, vetë z. Myftiu e burgosën dhe e persekutuan, si rrjedhim deri në fund. Njeri që jetoi vetëm vuajtje e dhimbje në Shqipërinë e tij dhe nuk e urreu kurrë atë. Shpirti i bardhë mbeti deri në fund të ditëve të tij, siç kishte qenë gjithë jetën e tij të vështirë.
Kur kam lexuar për herë të parë esenë e tij të titulluar “Nën terrorin komunist” apo tregimin e jetuar “Kur vritej dashuria” nuk mund të ndaleshin lotët. Fjala është pak për të treguar emocionin e dhimbjen që përjetohet në të tilla raste. 
…Si mund të besohet që njeriu të mos gëzohet kur del prej burgut? Se jashtë i pret ferri… kështu shkruante z. Luan Myftiu teksa rrëfen me penën e tij të mrekullueshme tmerrin e përjetuar si armik i partisë. 
Do ta mbyll këtë shkrim përkujtimor për një mik të rrallë të familjes time më fjalët e tij:
Në një bisedë familjare, e pyesin z. Luan Myftiun: “Si mendon, cila është fatkeqsia më e madhe për vendin tonë?” Ai përgjigjet me shumë dashamirësi, duke buzëqeshur siç e kishte zakon të ishte gjithnjë i qeshur. “Ti pret që unë do të të përgjigjem se ishte diktatura komuniste gjeja më e keqe? Jo, i dashur, nuk ishte ajo. Me e keqja ishte sulmi i pandërprerë që mentaliteti i injorantit dhe arroganca e të paditurit, i veshur me petkun e partisë komuniste i bënte shpirtit tradicional shqiptar, historisë së vendit tonë dhe qytetarisë. Kjo ishte më e keqja! 
Shpirti dritë të pastë i nderuar Luan Myfiu e qofsh i lirë në parajsë!
.
P.s. disa shkrime të z. Myftiu mund t’i gjeni dhe në internet.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.