back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Pëllumb Xhufi: një intelektual i mbrujtur në Perëndim! nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva 

Pëllumb Xhufi: një intelektual i mbrujtur në Perëndim!

nga Ilir Hashorva

Arben Putoja në librin e tij “Jetë me kujtime”, thotë: “Enver Hoxha përqafoi hap pas hapi metodat ekstreme të ideologjisë komuniste. Unë që e kam njohur personalisht…, e kam pasur gjithnjë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sadopak me kulturën franceze, të ndjekë verbërisht dogmat staliniste, të ndërmarrë e të zbatojë në shkallë të gjerë një politikë shtypjeje të pamëshirshme.”
Duke perifrazuar Arben Puton, mund të them për Pëllumb Xhufin: E kam shumë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sado pak më kulturën perëndimore, të ndjekë verbërisht dogmat enveriste dhe t’i dalë përkrah krimit komunist.
Duket se virusi komunist është tepër rezistent e asnjë lloj kure nuk e shuan dot plotësisht.
Në një bisedë që bënë në emisionin e Dritan Hilës në televizion, Pëllumb Xhufi indinjohet thellësisht, sepse kampi i internimit i Tepelenës është krahasuar me kampin nazist të Aushvicit dhe është quajtur Aushvici shqiptar. Ai e shpjegon kështu, se përse nuk duhet quajtur ashtu: “sepse kazermat ku u strehuan të internuarit ishin me tulla dhe se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se ai i Tepelenës!”. Thotë se e ka parë vetë atë kamp, aty nga vitet gjashtëdhjetë (i bie që të ketë qenë rreth 15 vjeç!), pasi kishte aty një shok ushtar dhe prandaj flet me baza!
Me të vërtetë është për të vënë duart në kokë me logjikën e këtij historiani (unë besoj se asnjë person i ideologjizuar nuk mund të jetë a të bëhet historian, çfarëdo shkolle të bëjë e çfarëdo kulture që të marrë!), që del të paktën një herë në javë në televizion për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për drejtësinë e politikës komuniste në Shqipëri.
Së pari, qenia me tulla e kazermave të kampit të Tepelenës nuk e ndryshon fare krahasimin që bëhet me Aushvicin, pasi edhe kapanonët e Aushvicit ishin me tulla. Së dyti, në qoftë se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se kampi i Tepelenës (megjithëse Pëllumbi nuk thotë se ç’e bënte atë kamp më të tmerrshëm), nuk do të thotë se kampi i Tepelenës nuk ishte i tmerrshëm dhe i ngjashëm me Aushvicin, pasi edhe Aushvici nuk ishte kampi më i tmerrshëm nazist, në atë kamp edhe punohej. Kampi i Treblinkës ishte më i tmerrshëm, pasi në atë kamp, ata që çoheshin, çoheshin drejt e për t’u vrarë. Duke lënë mënjanë arsyet e Xhufit, ndonëse krahasimi i kampit komunist të Tepelenës me atë të nazist të Aushvicit mund të jetë edhe pak i ekzagjeruar, ashtu siç janë në përgjithësi krahasimet apo metaforat kur duhet theksuar diçka, krahasimi nuk është shumë larg realitetit. Kampi ka qenë vërtet i tmerrshëm dhe jashtë çdo standardi human.
.
Historiani i Mesjetës Pëlumb Xhufi me Ramiz Alinë dhe Foto Camin
Historiani i Mesjetës Pëlumb Xhufi me Ramiz Alinë dhe Foto Camin
Pëllumb Xhufi thotë se ka parë dokumentet e CIA-s për atë kamp, por nuk thotë se ç’thonë dokumentet e CIA-s për çështjen që ngre dhe mbron, nuk thotë nëse në të janë kryer apo jo krime dhe krim nuk është vetëm vrasja me plumb nga gardiani apo polici, apo mbytja në llucë dhe varrosja po aty, siç ka bërë komandanti i kampit të Maliqit, Stasi Markoja (vëllai i Rita Markos, anëtarit të kupolës më të lartë komuniste, i Byrosë Politike) me të internuarit e atij kampi, krim është edhe çdo gjë tjetër që u bë në atë kamp: që nga ushqimi dhe nga kushtet e jetës që bënin të vdisnin çdo ditë të rritur e çiliminj, e deri te internimi aty i njerëzve pa asnjë faj personal.
Pëllumb Xhufi thotë se në atë kamp ishin mbyllur familjarë të atyre që ishin arratisur në Jugosllavi dhe stërviteshin aty për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës. Informatat për këtë pohim, siç thotë vetë, i kishte marrë nga një shok! Në bazë të këtyre informatave prej shokut, justifikon internimin e mijëra familjarëve të të arratisurve në kampin e Tepelenës! Ndërsa për aktivitetin e shqiptarëve të arratisur mjaftohet me ato “që i ka thënë një shok”, për kampin e Tepelenës ka vajtur dhe ka parë dokumentet e CIA-s në Amerikë, që në të vërtetë nuk thonë ndonjë gjë të rëndësishme, dhe nuk ka marrë mundimin të shkojë e të pyesë asnjë të mbijetuar të atij kampi që i ka gjallë në Shqipëri, për të marrë vesh se ç’kishte ndodhur vërtetë në atë kamp.
Të dalësh sot përkrah krimeve të komunizmit, në një kohë që, ndonëse jo të gjitha, por edhe ato krime që janë bërë të njohura deri tashti, janë të mjafta për ta quajtur sistemin komunist jo diktatorial, por kriminal, në një kohë kur duam të futemi në Europë, sado i mbrujtur të jesh me komunizëm, është krim në vete.
Në tetor të vitit 1998, drejtësia gjermane kërkoi që Le Pen-it, Kryetar i partisë së Djathtë Franceze (Fronti Nacional) t’i hiqej imuniteti parlamentar nga Parlamenti Evropian (dhe në të vërtetë iu hoq), për t’iu nënshtruar hetimeve të drejtësisë gjermane, sepse një vit më parë kishte thënë në Gjermani: “Furrat e gazit (krematoriumet ku nazistët digjnin trupat e hebrenjve) kanë qenë vetëm një pjesë e vogël (një detaj) i historisë së Luftës së Dytë Botërore”. Sipas ligjeve antinaziste gjermane, kjo deklaratë konsiderohej si nxitje e urrejtjes raciale dhe dënohej deri në 5 vjet burg. Ligjet antinaziste (në kuadër të denazistizimit) në Gjermani janë shumë të forta edhe sot, pas më shumë se 70 vjetësh të mundjes së nazizmit. E kush mund të kritikohet, akuzohet apo dënohet sot në Shqipëri se thotë diçka në favor të shtetit të vjetër komunist dhe të krimeve të tij?!
Mbeturinat e komunizmit në Shqipëri janë të forta si në veprime, edhe në mendësi. Ato janë të forta dhe aktive në mospranimin e krimit komunist apo në justifikimin e tij dhe krejt të ngjashme me veprimet dhe me mendësitë naziste.

.

Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Otto Olendorfi, komandanti i divizionit vrasës nazist D, baba i pesë fëmijëve, njeri i arsimuar mirë, kur u pyet në Gjyqin e Nurembergut për vrasjet, shpjegoi se ato ishin kryer për vetëmbrojtje. Kur iu tha në gjyq se kishte qenë Gjermania ajo që kishte sulmuar fqinjët, ai tha se Gjermania e dinte se fqinjët ndonjë ditë do ta sulmonin dhe prandaj ajo i sulmoi e para. Kur pastaj u pyet se përse u vranë të gjithë hebrenjtë, ai u përgjigj se hebrenjtë ishin në favor të bolshevikëve dhe, prandaj, duheshin eliminuar edhe ata. Dhe kur u pyet më në fund se përse u vranë mijëra fëmijë, ai tha se ata do të rriteshin dhe kur të merrnin vesh se ne kishim eliminuar prindërit e tyre, do të bëheshin armiqtë tanë… “Ne po punonim për një siguri afatgjatë, prandaj na duhej t’i vritnim edhe ata!!” – tha Olendorfi. Oto Olendorfi u dënua me vdekje dhe u var në burgun Landsberg në Bavari më 8 korrik të vitit 1951.
Në librin e tyre “Mëngjesi i magjistarëve”, Luis Povels (Louis Pauwels) dhe Zhak Berzhier (Jacques Bergier), thonë kështu për ato që panë dhe dëgjuan në Gjyqin e Nurembergut:
“Disa seksione të Gjyqit të Nurembergut ishin pa kuptim. Gjykatësit nuk mundnin të krijonin asnjë lloj komunikimi me ata që ishin përgjegjës… Përballeshin dy botë të ndryshme që nuk mund të komunikonin. Ishte njëlloj si të gjykoje krijesa nga Marsi me standardet e qytetërimit nga toka… Një qytetërim krejtësisht i ndryshëm ishte krijuar në Gjermani në harkun e pak viteve dhe bota as që e kishte kuptuar se ç’ndodhte. Nismëtarët e atij qytetërimi nuk kishin asnjë ngjashmëri intelektuale, morale apo shpirtërore me ne… përveçse ngjashmërisë së jashtme.” Po kështu u krijua një qytetërim anormal edhe në Shqipëri gjatë komunizmit, qytetërim që vazhdon të mbijetojë edhe sot në mbeturinat e atij regjimi dhe, po kështu, ai qytetërim është krejt i ndryshëm dhe i pakuptueshëm për qytetërimin normal e human.

.

Tepelene 2014 - Ambasadori Hoffmann dhe piktori Lek Pervizi
Tepelene 2014 – Ambasadori Hoffmann dhe piktori Lek Pervizi
Dhe, për ta mbyllur këtë shkrim për justifikimet komuniste dhe kriminale të Pëllumb Xhufit, po citoj përsëri një pjesë nga libri i Arben Putos, edhe ky komunist dogmatik si Pëllumb Xhufi, por që nga fund i jetës i thirri pak mendjes dhe i pa më qartë punët e komunizmit: Ai shkruan: “E kam përmendur vetë, por edhe im atë, Qazua, e ka shkruar në kujtimet se ka qenë simpatizant i Fan Nolit. Në kohën e qeverisë së tij, ai u emërua sekretar i Prefekturës së Gjirokastrës. Pas rikthimit të Zogut, nuk qenë të paktë ata që u goditën edhe në nivel të qeverisjes lokale. Më 1925, ai u internua dy here: një here në Krujë dhe një here në ishullin e Sazanit. Por familjen e tij, ne fëmijët, nuk na preku njeri…”
E shani Zogun, e quani kriminel, e quani satrap, por nuk kuptoni sa larg jeni prej tij!
Vërtet, mirë me baballarët që qenkan arratisur në Jugosllavi si armiq aktivë të komunizmit e që, po t’i kapnin, justifikohej dënimi, po me pleqtë, gratë, nënat e fëmijët ç’patën që i internuan dhe vranë rreth 300 prej tyre? Dhe internimet nuk ndodhën vetëm atëherë, ato vazhduan pa ndërprerje, deri sa dha shpirt ai regjim kriminal. Dhe justifikimi është po ai që jep Olendorfi për krimin nazist: pasardhësit e armiqve tanë, kur të rriteshin, do të bëheshin edhe ata armiq e, prandaj, duhej të eliminoheshin që në atë kohë!
Le të shpresojmë se një ditë, ashtu si Arben Putos, do t’i vijnë mendtë edhe Pëllumb Xhufit dhe do të flasë më realisht për komunizmin dhe krimet e tij. Por edhe në mos i ardhshin mendtë, edhe në mos foltë, edhe në vazhdoftë kështu, vendi nuk humbet ndonjë gjë të madhe nga ky e nga njerëz si ky. E vërteta po del çdo ditë në shesh. Komunizmi ishte sinonimi i krimit e kush e mohon këtë, është vetë kriminel.

.

Nju Jork, mars 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.