back to top
20.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Paul Elyard (14 Dhjetor 1895 – 18 Nëntor 1952) Tetë poezi – përkthye nga Jozef Radi

Gazeta

Paul Eluard (1895-1952)
Paul Eluard (1895-1952)

Paul Elyard (14 Dhjetor 1895 – 18 Nëntor 1952)

Me rastin e 120 Vjetorit të Lindjes

Tetë poezi – përkthye nga Jozef Radi

Në fillim të viteve ’80, doli nji përmbledhje poetike e poetit Pol Eluar,
diku me rreth dyqind faqe, titulluar “Poezi”. S’mund të them me bindje se cili qe impakti
i këtij poeti francez, mik i Salvador Dalisë, me lexuesin shqiptar,
por nji gjë mund ta them me siguri: Asokohe qe e vështirë të gjeje
nji kopje të atij libri. Unë arrita ta siguroj nji kopje të këtij poeti mjaft interesant
dhe mund të them se poezia surrealiste
mbrriti prej tij edhe në leximet edhe në botën time
dhe ai u bë nji poet shume i dashur për mua
dhe sigurisht edhe me mjaft ndikim.
Në kët 120 vjetor të lindjes së tij, për hir të dashurisë ndaj tij
ngjizur në kohë të vështira u përpoqa të sjell Paul Eluard
jo vetëm me frymën e tij po edhe me pak dashuri prej meje
dhe prej atyre viteve aq prozaike që ndokush prej nesh i ngjyroste
edhe ashtu ndërdyshtas me ndonji varg të këtij poeti…
jozef radi, dhjetor 2015

Tristan Tzara, Paul Éluard, André Breton, Hans Arp, Salvador Dalí, Yves Tanguy, Max Ernst, René Crevel e Man Ray
Tristan Tzara, Paul Éluard, André Breton, Hans Arp, Salvador Dalí,
Yves Tanguy, Max Ernst, René Crevel e Man Ray

Të dashuroj…

Të dashuroj për krejt gratë që s’i kam njoft’ kurr’
Të dashuroj për tana stinët që s’i kam jetue
për dehjen e detit n’baticë, për aromën e bukës së fresktë
për borën që shkrihet lehtë për ma të parat lule
për kafshtë e pafajme të cilat njeriun s’e frikin

Të dashuroj me ndrrue do fjalë
Të dashuroj për krejt gratë që s’kam mujtë me i dashtë
je ti vetë që m’bahesh pasqyra e unë n’ty shifem aq pak
Pa ty s’vërej asgja veç shkretinë
midis s’shkuemes dhe s’tashmes,
kanë ndodhë tana kto vdekje, të kapërcyeme pa zhurmë
e s’kam mujtë me e thye njat mur të pasqyrës seme,
jam detyrue me e mësue jetën fjalë për fjalë
si me harrue.

Të dashuroj për njat mendje të shndritshme që s’asht jemja
për shëndetin
Të dashuroj për kundra gjithçkaje mashtruese
Për njat zemër të pavdekshme që s’e zotnoj
Ti beson se je dyshimi, e s’je veç arsyeja
Je njaj diell’i fuqishëm që mue m’deh!
Kaq i bindun ndjehem n’ty.

Askush s’mundet me m’njoftë

Askush s’mundet me m’njoftë
njashtu si m’njeh ti.

Njashtu si sytë e tu, ku flemë
të dy ngjeshë bashkë.
Dritës së syve t’mi u kanë dhanë tjetër fat
shumë ma t’mirë se netve të kësaj toke

Sytë e tu ku unë udhëtoj
u kanë dhanë shenjave të rrugëve, kuptim
ndryshe prej krejt botës

Në sytë e tu, krejt ata që zbulojnë
vetminë tonë të pafundme
s’janë ma ata ç’ka kujtonin se ishin.

Askush s’mundet me m’njoftë
njashtu si ti m’njeh!

Drejtësi e vërtetë

Asht ligji i njerëzve të nxehtë
që me rrushin bajnë venën,
që me qymyrin bajnë flakën,
që me puthje ngjizin njerëz,

Asht ligji i njerzve t’ashpër
më mbetë t’pacënuem kundra
luftës dhe fatkeqësive
kundra rreziqeve të vdekjes

Asht ligji i njerzve t’ambël
me e kthye ujin në dritë
Dhe çdo andërr në realitet
E në vllazën e armiqtë e tu

Asht nji ligj sa i lashtë aq i ri
që shkon duke u ba ma i plotë
e kalon prej nji zemre patëkeq
te maja ma e naltë e aryes.

Nga libri “Tout dire” (1951)

Salvador Dali - Gala, Paul Eluard- Nusch - Port Light 1931
Salvador Dali – Gala, Paul Eluard- Nusch – Port Light 1931

 Motrat e shpresës

O Motra të shpresës, o gra guximesh
përballë vdekjes nji pakt keni lidhë
njatë me i bashkue virtytet e dashnisë

O Motra të mbijetueme
ju që keni luejtë me jetën
që veç jeta të fitojë.

Asht afër dita o motrat e mia t’madhnishme
që prej fjalëve luftë dhe mjerim ne kemi me qeshë
për aq sa t’hidhta ishin, asgja s’ka me qindrue.

E çdo fytyrë ka me pasë të drejtë me u përkëdhelë.

Nga libri “Poèmes politiques” (1948)

Nji ujk

Bora e butë, qielli i zi
Degët e dekuna dhe skamja
e pyllit përplot me kurthe
n’turpin e bishës së ndjekun
ikja ngulet bash në zemër

Gjurmë t’nji preje të egër
Jepini ujkut, sepse ai asht gjithnji
ujku ma i bukur dhe ka me qenë gjithnji
i fundmi i të gjallëve nën kërcënimin
e dënimit absolut me vdekje.

Nga libri “Poesie et Verite” (1942)

Paul Eluard dhe Nusch (Maria Benz)
Paul Eluard dhe Nusch (Maria Benz)

E dashunuemja

Më qindron drejt e mbi qepalla
dhe flokët e saj ngjitë me të miat,
ka format e këtyne duerve të mia,
dhe ngjyrën e syve të mi ka,
e n’hijen time asht krejt e zhytun
njashtu si guri në qiell.

I mban sytë gjithnji hapun
e s’më lejon me fjetë aspak.
Andrrat e saj n’dritë të plotë
i bajnë me u zhdukë vetmitarët,
Dhe unë qeshi, qaj e prap qeshi,
flas dhe nuk e di se ç’ka them.

Pa nji grimë mllefi

Lotët e qepallave, dhimbje e vajtuesit,
Dhimbje pa asnji lloj randsie me lot t’pangjyrë.
Ai, s’kërkon asgja, as i pandjeshëm s’asht,
I trishtë i mbyllun n’burg, i trishtë kur asht i lirë.

Asht nji kohë e zymtë, asht nji natë sterrë
Mos me e nxjerrë n’shetitje as nji t’verbën. Të fortët
ulen poshtë, pushteti n’dorë të dobtëve asht ngjitë,
e n’kambë asht mbreti, e pranë mbretnesha ulë i rri.

Buzëqeshje e psherëtima, fyemje që qelbin
ndër gojë memecash e sy frigaçash.
Mos prek asgja! Këtu djeg, atje përcllon;
Duert e atyne janë për xhepat dhe ballet.

Nji hije…
Krejt ndëshkimet e botës
s’bashku më dashninë time aty
si nji kafshë e xhveshun.

Nga libri “Murir de ne pas mourir” (1924)

Salvador Dali - Portret i Paul Eluard
Salvador Dali – Portret i Paul Eluard

Ata floktë e tu

Ata floktë e tu t’portokalltë n’boshllëkun e botës,
n’vakumin e qelqeve t’randueme me heshtje dhe
hije, ku me duer t’xhveshuna kërkoj reflekset e tua.

Si kimerë asht forma e zemrës tande,
e dëshirës sime të humbun dashnia jote i ngjan.
O psherëtima t’qelibarta, andrra, vështrime.

Po jo gjithnji ti ke qenë s’bashku me mue. Kujtesa
ime e mjegullueme ende beson se t’ka pa kur mbrrije
e zhdukeshe. Dhe ruen fjalë dhe kohë, njashtu si dashnia.
Përkthye – Dhjetor 2015

Paul Eluard (!895-1952)
Paul Eluard (!895-1952)

Udhëtim në jetën dhe veprën e Paul Eluard

Paul Eluard, pseudonim i Eugène Emile Paul Grindel (Saint-Denis, 1895 – Charenton-le-Pont, 1952), poet francez, një nga figurat kryesore të lëvizjes surrealiste.
Daton në vitin 1916, mbledhja e poezi”Le Devoir” (Detyra), të cilën e ribotoi më 1918republishes u zgjerua në vitin 1918 me titull “Le devoir st inqeutude e i Poems pour la paix”.
Në vitin 1919 merr pjesë në jetën e lëvizjes Dadaiste dhe mban marrëdhënie miqësore me përfaqësuesit e sfidës artistike franceze ndër të cilët Paulhan, Aragon, Breton, Soupault dhe Tzara.
Ndërkohë bashkëpunon në disa revista avanguardiste dhe ai vetë drejton revistën e rëndësishme Proverbe.
Në vitin 1920, boton Les animaux et leurs hommes les hommes et leurs animaux, në 1921, Les Necessites de la vie et les consequences des reves, në vitin 1922 dhe Les repetitions malheurs des immortels.
Në vitin 1923, kundërshton Surrealizmin e sapolindur dhe i kundërvihet atij nëpërmjet Dadaismit, ku Eluard së bashku me Aragonit, Peret dhe Breton, kalojnë te Lëvizja e re.
Udhëheqësi i surrealizmit qe Andre Breton kurse Eluard i kushton në vitin 1924, Mourir de ne pas mourir.
Në të njëjtin vit, përfshihet nga një krizë të brendshme, dhe Paul papritmas braktis Parisin për shtatë muaj duke mos dhënë asnji lajm për veten e tij aq sa e konsideruan të vdekur. Në fakt ai bëri një udhëtim të gjatë në det  prej Marseje në Paqësor për të shpëtuar kontradiktat që po e rrënonin atë. U kthye në Paris në tetor 1924, dhe menjëherë rifilloi aktivitetet e tij në. Vazhdon të shkruajë poezi dhe në 1925, bën publike 152 proverba në bashkëpunim me Peret dhe me ilustrime nga Max Ernst; në vitin 1926 nga Capitale de la douleur dhe Les dessous d’une vie ou la Pyramide Humaine. Gjithmonë në vitin 1926 i bashkohet Partisë Komuniste dhe me publikimin e “Capitale de la douleur” shpallet si “përfaqësuesi me i denjë shkollës poetike surrealiste.” Që prej asaj kohe jetoi nji jetë të apasionuar në grup me ekspozita, takime, protesta, libra, revista, takime surrealiste.
Në vitin 1929, del Defense de savoir me nji kopertinë prej Giorgio De Chirico dhe L’Amour la Poesie.
Vitet 1930-1938, Eluard shfaqet i angazhuar kundër represionit të shoqërisë, ndërsa bëhej gjithnji e më e afërt dhuna e diktaturës fashiste e cila çoi në ardhjen e Hitlerit në Gjermani dhe fitoren e Frankos në Spanjë. Gjatë kësaj kohe ai largohet nga partia, edhe nëse nuk merr pjesë plotësisht në kritikat ndaj Surrealistëve, tashti ndjek nji linjë Trockiste, niset drejt Bashkimit Sovjetik, nuk e nënshkruan manifestin surrealist të protestës ndaj procesit të parë të spastrimit politik në Moskë në vitin 1936, dhe nuk merr pjesë në Federatën Ndërkombëtare të artit revolucionar të themeluar nga Breton.
Publikon në vitet e fundit shumë libra, duke përfshirë A toute épreuve (1930), Le vie immediate (1932), La Rose Publique (1934), Facile (1935), Les yeux fertiles (1936), Le  mains libre (1937), Cours Naturel (1938). Në shtator të vitit 1939, në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Eluard thirret si toger për të shërbyer në prapavijë, por në qershor të vitit 1940, një datë që shënon rënien e Francës në frontin e Hitlerit, ai ishte çmobilizuar dhe arriti të kthehej në Paris.

Exposition - Paul Eluard
Exposition – Paul Eluard

Në 1942,bën sërish kërkesë të regjistrohet në Partisë Komuniste Franceze (PCF) dhe është pjesë e lëvizjes klandestine, duke shënuar kontributin e tij në rezistencën edhe me botimet e librave me poezi me gazeta dhe transmetime të radios klandestine. Në ’42 shkruan poemën e tij të famshme Liberté.
Në shkurt të vitit 1944, Paul Eluard u kthye në Parisin ende të pushtuar nga gjermanët dhe me 25 gusht të po atij viti ndodhi edhe çlirimi.
Shfaqen në këto vite Chanson dhe Mèdieuses (1939), Le livre Ouvert, I dhe II (1940 dhe 1941), të Poezie et vérité (1942), Au Rendez-vous allemand (1942-1945), Le lit table (1944).
Pas çlirimit dhe në fund të konfliktit botëror, Eluard pajtohet me komunizmin, dhe  udhëton në vendet e Europës Lindore, mbështet në Greqi, lufta për çlirim, kurse në Itali merr pjesë në mënyrë aktive në vitin 1946 në fushatën për “Kthimin e Republikës.
Në fillim të shtatorit të vitit 1952, Eluard pati nji sulm të angina pectoris dhe 18 nëntor të të njëjtit vit, pas një sulmi të ri, ai vdes.
Janë të viteve të fundit të jetës shumë prej veprave të poetit, mes të cilave edhe Poesie ininterrompue (1946) – pjesa e dytë e cila u botua pas vdekjes, në vitin 1953 – Le Dur Desir de Durer, gjithnji në vitin 1946, Poèmes Politique e vitit 1948, Une leçon de morale (1949),  Tout dire Le Phenix (1951).
Përgatiti Jozef Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.