back to top
20.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pasardhësit e Vrana Kontit në Itali – nga Lutfi Alia – Siena Itali

Gazeta

Keshtjella Parabita e Pirro Granai Castriota
Keshtjella Parabita e Pirro Granai Castriota

Pasardhësit e Vrana Kontit në Itali 

nga Lutfi Alia – Siena, Itali

Dinastia e Kastriotëve ka dhënë kontribute të shquara jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe të Italisë e më gjerë në vendet e tjera europiane. Në Itali, pasardhësit e dinastisë Kastrioti, janë me prejardhje nga dy degë, e para nga pjestarët e familjes të Gjergj Kastriotit me Andronika Ariantiti Komnena Kastrioti dhe djalin Gjon Kastrioti, ndersa linja e dytë janë pasardhësit e Vrana Konti – Kont Urani, kushëriri i Gjergj Kastriotit. Pasardhësit e Vrana Kontit kanë mbiemër të përbërë Granai i familjes të Kont Uranit dhe Kastrioti qe shpreh qartë se ishin kushërinj të njejtës dinasti. Në Itali pjestarët e kësaj familje përdorin dhe mbiemerin Branai, nga emri i djalit të madh të Kont Uranit, Brana i italianizuar në Bernardo, i përdorur si mbiemër i dytë si rezulton në dokumentat dhe kronikat e kohës, i prezantuar Bernard Granai Kastrioti dhe Bernard Branai Kastrioti. Mbiemrin Granai Kastrioti e mbajtën fëmijët, nipat, biznipat dhe stërnipat e Vrana Kontit. 
Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Brana (Bernardi) dhe gruaja e tij Maria Zardari (e bija e Pal Zardari dhe Teodora Muzaka dhe kushërira e dytë e Andronika Kastrioti), erdhën në Itali, së bashku me Andronika Kastriotin dhe të birin Gjoni II Kastrioti.[1, 2]
Mbreti Ferrante I, aleati dhe miku i ngushtë i Gjergj Kastriotit, i ftoi dhe e sistemoi të dy familjet në mjediset e oborrit aragonez. Raportet e miqësisë me familjen mbretërore u forcuan më shumë pas shtatorit 1477, me martesën e mbretit Ferrante me Xhiovana III e Spanjës. Mbretëresha krijoi lidhje miqësore të forta dhe konfidenciale me Andronika Kastriotin, të cilën e kishte damën e parë të shoqërimit dhe këshilltare. Besimi dhe respekti për princeshën Andronika, mbretëresha Xhiovana III e shprehu duke i besuar kujdesin dhe edukimin e të bijës Xhiovana IV. Në vitin 1496, kur u rindërtua apartamenti i Xhiovana III në Kastell Nuovo, “madam” Andronika kishte apartamentin e saj në katin e dytë mbi atë të mbretëreshës. [2, 3, 4, 5] Sëbashku me Andonikën, në grupin e damave shoqeruese ishte dhe Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai Kastrioti, të cilën e thërrisnin dhe “madama Porfida – kuqaloshja”. Mbretëresha Xhiovana III dhe e bija Xhiovana IV, preferonin me kortezi shoqërinë galante të Andronikës dhe Maries. [2, 3]
Stema Hieraldike - Pirro Granai - Kastrioti,
Stema Hieraldike – Pirro Granai – Kastrioti,

Familja Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte një pozicion të privilegjuar në rrethin e personelit të mbretereshës Xhiovana III e Napolit, bashkëshortja e mbretit Ferrante I. [2] Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i familjes Granai – Kastrioti, i dedikohet ndikimit të Andronika Kastriotit, e cila gëzonte respekte dhe nderim të veçantë nga familja mbretërore e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, Andronika kishte organizuar martesën dhe dasmën e Brana Granai Kastriotit me kushërirën e saj Maria Zardari. Këto lidhjet fisnore të dyfishta, ndikuan që të udhëtonin në të njejtën anije për në Bari – Itali. [2, 5]

Së bashku me Kontin Bernard Granai Kastrioti, erdhën ne Itali dhe dy vëllezërit. Vëllai i dytë Giovanni – Gjoni shërbeu komandant i reparteve stradiote të mbretërisë së Napolit. Në vitin 1480, Gjoni mbeti i vrarë në betejën e Otrantos kundër hordhive turke. Vëllai i vogël Stanisha, ishte i martuar me Despina, e bija e Mojsi Golemit dhe Zanfina Muzaka dhe shërbeu në oborrin e mbretit Ferrante I. [4] 
Konti Bernard Granai Kastrioti mori pjesë në çlirimin e Otrantos, përkrah Xhiulio Antonio Akuaviva, madje në gusht të vitit 1481, mbreti Ferrante I i Napolit, e dërgoi në Vlorë për të biseduar me gjeneralin turk Gedik Ahmet Pasha për të nënshkruar traktatin e paqes me Perandorinë Osmane, por bisedimet përfunduan pa sukses. [2,4,6] Bernard Granai Kastrioti, në vitet 1485-1486 u pozicionua në mbrojtje të dinastisë aragoneze, gjatë komplotit të dytë të baronëve. 
Familja e Bernardit jetonte në mjediset e oborrit mbretëror. Në vitin 1468, në Napoli lindi djali i parë Giovanni – Gjon Granai Kastrioti, nipi i Vrana Kontit. [2] Fëmijët, Gjoni, Alfonsi, Ferdinandi dhe motrat Isabella, Xhiovana e Kamilla, u shkolluan në Napoli. Djalin e madh Gjonin e orientuan në karrierën ekleziastike. [2] Kardinali dhe historiani Paolo Xhiovio i kishte njohur dhe kishte krijuar raporte miqësie me pjestarët e familjes të Kastriotëve dhe me familjen Vrana – Granai, si i përshkruan në veprën: “Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo”, ku rrëfen admirim për Marien, dama shoqëruese e mbretëreshës së Napolit Xhiovana III Aragona, përshkruan krenarinë e të bukurave Jovana dhe Isabella Kastrioti, ashtu si përshkruan karizmën dhe trimëritë e fisnikëve Alfonso dhe Ferrante Kastrioti, djemtë e dukës Gjoni II Kastrioti. [3] Si kuptohet Paolo Xhiovio e njihte mirë prejardhjen e te dy familjes andaj pa rezerva përdor 
mbiemërin Kastrioti, për vajzat e Bernardit dhe Maries. 
Gjoni frekuentoi shkollimin ekleziastik dhe në moshën 18 vjeç, me propozimin e admirueses së tij mbretëresha Xhiovana III zonja e Mazara del Vallo në Siçili, Papa Inoçenti VIII, me bulën e 15 marsit 1486, e emëroi At Gjon Granai Kastrioti, Ipeshkëvi i Mazara del Vallo. Gjatë mbretërimit të Ferrante I i Napolit, At Gjon Granai Kastrioti shërbeu kryekapelani i kapelës mbretërore, madje e kishin ngarkuar të ushtronte dhe kompetenca juridike. Emërimi ipeshkev i Mazara del Vallo, ishte vleresim dhe nderim për meritat e familjes të Vrana Kontit, por At Gjon Granai Kastrioti, nuk ishte i prirur për karrierën ekleziastike, andaj shkonte shumë rrallë në Dioqezë, madje funksionet dhe detyrat ipeshkëvale ia delegonte klerikëve të tjerëve. Si kuptohet Gjoni i ri nuk kishte dëshirë, të vazhdonte karrierën ekleziastike, andaj në vitin 1503 dha dorëheqjen dhe vazhdoi karrieren ushtarake me detyrën e Gran Capitano në ushtrinë mbretërore. [2, 4] 
Në vitin 1496 mbreti Fredrerik I i Napolit, me një letër dërguar princeshës Andronika Kastrioti dhe kontit Bernard Granai Kastrioti, i falenderoi për kontributin, që kishin dhënë duke e bindur mbretëreshën vejushe Xhiovana III, nëna e Frederikut, të abandononte postin, ta linte Napolin e të kthehej në Valencia-Spanjë.[4] Per meritat në shërbim të mbretërisë aragoneze, mbreti Frederiku I i Napolit i akordoi Bernard Kastriot – Granai, titullin e fisnikërisë Baron i parë i Galatone dhe Konti parë i Kopertinos, ku përfshiheshin trojet e Leveranos dhe Veglies, terrene që i ishin konfiskuar baronit komplotist Pirro del Balzo.[4] 
Më 1 prill 1498, mbreti Frederiku I, i dha feudin e Gagliano në pronësi të Andronikës dhe djalit Gjoni II Kastrioti.[1, 2]
Më 7 shtator 1499, nëna mbretëreshë Xhiovana III e la Napolin dhe shkoi në Spanjë, pranë të vëllait Ferdinando, e shoqëruar nga Andronika Kastrioti dhe Maria Zardari, ndërsa e bija Xhiovana IV qëndroi në Napoli nën përkujdesin e Bernard Kastrioti Granai, “burri i denjë – homo degno”, si e quan amabasadori i Venedikut Françesko Morosini, në relacionin dërguar Doxhës më janar 1501. [4, 5, 7]
Një vit me pas Xhiovana IV, e shoqëruar nga Bernard Granai Kastrioti, shkoi në Spanjë pranë nënës. Ambasadori anglez Thomas Bradley, pas vizitës dy mbretëreshave në rezidencën Reyalls në Valencia, në relacionin dërguar në Londër më 23 qershorit 1505, përshkruan privilegjet që gëzonin princesha Andronika Kastrioti, e cila qëndronte krah mbretëreshës dhe duka Beranard Granai Kastrioti, të cilit më 4 prill 1505, iu akordua titulli duka i Ferrandina. Bradlley e përshkruan Bernardin “un anziano duca, con la barba lunga – një dukë i moshuar me mjekër të gjatë.” [8], i cili e asistonte gjatë audiencave duke qëndruar në krah të djathtë të nënës-mbretëreshë e krah tij gruaja Maria me fëmijët. Në relacionin tij, ambasadori Bradlley tregon se në krahun e majtë të nënës – mbretëreshë, si gjithmonë ndodhej dama shoqëruese dhe këshilltaria Andronika Arianiti Kastrioti. Duka Bernard Kastrioti Granai, çdo ditë ishte i pranishëm ne pritjet e mbretëreshës, me funksionet e këshilltarit dhe kamerlengo (administratori).[4]
Djali i madh Gjon Granai Kastrioti nuk kishte shkuar në Valencia, sepse atë kohe ndodhej në Palermo, ku mbretëria e Napolit ishte impenjuar në luftën e spanjollëve kundër francezëve dhe Gjoni ishte emëruar Gran Kapitano i forcave ushtarake te mbretërisë së Napolit.[4]
.
Vrana Konti
Vrana Konti
Humanisti Antonio Galateo rrëfen për rolin e Gjon Granai Kastrioti në fitoret kundër francezeve, si i përshkruan Gjoni në letrën dërguar vellezërve Alfonso dhe Xhiovani dhe djalit Pirro Granai Katrioti. Pasi mori Taranton, forcat mbretërore të komanduara nga Gjon Granai Kastrioti marshuan drejt Gallipolit dhe pse shumica e këshilloi të mos shkonte, sepse rrezikohej të binte në duart e francezëve. Çlirimi i Gallipolit dhe i rrethinave shënoi një faqe të lavdishme në historinë salentine, fitore me protagonist Gjon Granai Kastrioti, i cili ndërhyri në momentin më kritik dhe arriti të çlirojë të gjithë Salenton. Pas sfidës të Barletës dhe me fitoren në betejën së Cerinjolas më 28 prill 1503, ku mbeti i vrarë komandanti i ushtrisë franceze Luigji Armanjak, duka i Nemours, forcat mbretërore te komanduara nga Gjon Granai Kastrioti, çliruan Galatone, ku u shpartalluan forcat e komanduara nga konti Del Balzo di Nardo dhe Parabita. [4, 9, 11, 12, 13]
Në vitin 1505 Gran Capitano Gjon Granai Kastrioti ishte “luogotenenti i përgjithshëm i të përndriturave nënës mbretëreshë Xhiovana III dhe e të bijës Xhiovana IV. [4, 8]
Në vitin 1508 vdiq i ati Bernard Granai Kastrioti dhe Gjon Granai Kastrioti trashëgoi titujt e fisnikërisë të atit, kështu u bë duka i dytë i Kopertinos, baroni i dytë i Galatone (1508), duka i dytë i Ferrandinas (1505) dhe mëkëmbës i mbretëreshës në Pulia dhe Basilikata. e  Në Galatone, Gjon Granai Kastrioti, ndërtoi për urdhërin domenikan, kishën e Shën Sebastianit dhe Shën Rokos, ndërsa manastirin e Shën Maria di Kasole në Kopertino, ia dhuroi urdhërit françeskan, që në këto zona ishte tepër aktiv kundër ritit bizantin, [4. 9, 10]
Ne vitin 1510, nëna mbretëreshë Xhiovana III vizitoi Mesagnen, e shoqëruar nga guvernatori Gjon Granai – Kastrioti dhe i vëllai Alfonso Granai Kastrioti. [1, 9, 11, 13]
Gjon Kastrioti Granai u martua me Xhiovana Gaetani, e bija e dukës Trajeto dhe kontit Fondi. Nga kjo lidhje martesore lindi djali i vetëm Pirro. Gjon Granai – Kastrioti, vdiq më 2 gusht 1514 në Mesagne, por të tjerë thonë se në fakt mbeti i vrarë gjatë një dueli në vitin 1516, në Mesagne. [14] 
Pas vdekjes të Gjonit, i biri Pirro Granai – Kastrioti u rrit nga xhaxhai Alfonsi. Pirro studioi letërsi latine dhe greke, por u shqua dhe si udhëheqës ushtarak. Pirro trashëgoi nga i ati titullin baron i Parabitas dhe governator i Trojeve të Otrantos. [2, 4, 12] 
Dy djemtë e tjerë të Bernard Granai – Kastrioti janë Ferrante dhe Alfonso. 
Ferrante Granai Kastriota, governatori i Abrucos, markez i qytetit Sant’Angelo dhe kont i Spoltoreu, u shqua në karrierën ushtarake. Ishte i martuar me Kamilla di Kapua dhe kishin dy fëmije Xhiovana (markeza e Çivitàs) dhe Hipolita (zonja e Pratos). Në vitet 1524 dhe 1525 Ferrante ishte kapiteni i përgjithshëm i kavalerisë së lehtë dhe komandant i pararojës të ushtrisë perandorake. Konti Ferrante Granai Kastrioti, mori pjesë dhe doli fitimtar në beteja të shumta, por mbeti i vrarë nga francezët në betejën e Pavias në vitin 1525. [9, 11] 
Djali i tretë, Alfonso Kastrioti – Granai, fillimisht shërbeu si komandant i repartit të stratiotëve të mbretërisë 
së Napolit. Më 23 shtator 1512, mbreti i akordoi titullin konti i Atripaldas; më 1515 markezi 1° i Atripaldas, guvernator i Trojeve të Barit dhe i Otrantos dhe governator në Kapitanatas edhe në Kalabri. [2, 4, 13, 14] 
Në shtator 1518, u martua me dukeshën Kamilla Gonzaga e Mantova dhe kishin 6 fëmijë. Mbretëresha Isabella, gruaja e mbretit Ferdinand i I Aragon, i dhuroi Alfonsit kështjellën e Kopertinos, e cila nuk ishte në gjendje të mirë, andaj ngarkoi arbëreshin Evangjelista Menga, ndërtues i shquar i strukturave ushtarake, i cili e rikonstruktoi këtë fortesë të rëndësishme. Pas vdekjes së djalit të madh të Alfonsit, Antonio Granai – Kastrioti në vitin 1549, kështjella iu rikthye në pronësi familjes mbretërore. [14] 
Pas vdekjes së dy vёllezërve, Gjonit dhe Ferrantes, Alfonso mori drejtimin e dukatit, duke i bashkuar të gjitha feudet e familjes Granai – Kastrioti. Për të shmangur ndarjet e pronave, Alfonsi organizoi martesa të fëmijëve të tij me nipat dhe mbesat. Djalin Antonio, e martoi me mbesën Marie, dukesha e Ferrandina, pronare e feudeve të trashëguara nga xhaxhai Gjoni; djalin tjetër Xhiovanin e martoi me mbesën Xhiovana, markeza e Cività, trashёgimtare e feudeve të Ferrante. Mbesën Hipolita, vajzën e Ferrante e martoi me Klemente Lannoi, zot i Pratos, Gallos dhe Tinos. Vajzat e veta i martoi me fisnikë të familjeve të rëndesishme, kështu Kamillen e martoi me Françesko Karaçiolo markezi i Kastellaneta, ndërsa Isabellën me Françesko Akuaviva, duka i Nardòs.
Alfonso Granai – Kastrioti martesen e Antonio me Marien e pasqyron në lapidën që ndodhet në portën e kështjellës Kopertino: “D. Alphonsus Castriota Atripaldae dux praefectusque Caesaris illustrium D. Antonini Granai Castriotae et Mariae Castriotae coniugum ducum Ferrandinae et comitum Cupertini pater patruus et socer…” Në këtë mbishkrim shprehet qartë se Don Alfonso ishte xhaxhai dhe vjehrri i Marie Granai Kastrioti. [2, 4, 6, 14] 
Më 13 korrik 1528, në kështjellën e Gallipolit, Alfonso Granai Kastrioti, markezi i Atripaldas dhe nipi i tij Pirro Granai – Kastrioti, në betejën e Pergolaçi, përjetuan thyerjen e ushtrisë franceze në Kështjellën Parabita, kësisoj Alfonso mori hakun e të vëllait Ferrante, i cili ishte vrarë nga francezët ne betejën e Pavias më 1525. Antonio de Ferraris (Galateo) e përshkruan figurën e Alfonso Granai – Kastriotit si “burrë mitik dhe me sjellje galante”, në epistolarin “Ad Pyrrum Castriotam”. Për aftësitë dhe talentin në impenjimet politike, në vitin 1532, mbreti e emëroi Alfonso Granai – Kastrioti këshilltar mbretëror, pranë zëvendës mbretit Pietro di Toledo. [14]
Në vitet 1525 dhe 1535, Pirro i biri i Gjonit, së bashku me xhaxhanë Alfonsin dhe kushërirën Maria, në kishën Shën Sebastiani e Shën Roko, i dedikuan Gjon Granai – Kastriotit, një basoriliev me korteo triumfues për fitoren kundër francezeve, ceremoni solemne të frymëzuara nga Triumfi i Çezarit i A. Mantegna.
Alfonsi vdiq ne vitin 1544, ndërsa Pirro me 1561. 
Djali i madh i Alfonso, markezi Antonio nuk kishte fëmijë. Në vitin 1569, pas një vizite në Gjermani, u ndal në Venecia, ku u prit me nderime dhe respekte, madje e ftuan në një festë në Murano, por gjatë një grindje me një fisnik venecian, u plagos rëndë në kokë dhe vdiq. 
Pirro kishte tre djem Giovanni Fabio (i martuar me Dianora d’Alagna), Alfonso (u martua me Laudonia d’Alagna) dhe Gaspare (u martua me një zonjushe fisnike nga dinastia Balduma). 
Për tre vajzat e Bernardi Granai – Kastrioti dhe Maria Zardarit, ka pak informacione.
Johanna (Xhiovana) ishte nga më të preferuarat në shoqërinë e nënës mbretëreshë Xhiovana III, andaj më 9 janar 1515, i dhuroi Johannes feudin e Kastellanetas dhe me dekretin e 11 janarit 1517, i akordoi titullin dukesha. Johana Kastrioti – Granai vdiq në vitin 1519. 
Isabella Granai – Kastrioti në vitin 1518, u martua me Guido Ferramosca, konti 3° i Mignano Monte Lungo. Isabella vdiq në vitin 1545, në kështjellën e Mignano Monte Lungo.
Kamilla Kastrioti – Granai, ishte e martuar me Ferdinando Giambatista Karaçiolo, markezi i Kastellaneta. Kamilla vdiq në vitin 1557. 
Trashëgimtarët e këtyre brezave të hershëm të familjes Granai – Kastrioti jetojnë kryesisht në provincën e Leçes dhe të Kampanjas, por shumë janë të shpërndarë dhe në treva të tjera të Italisë.
 .

Stema heraldike me shqiponjen dykreneshe e familjes Karafa dhe Granai Kastrioti  në manastirin e Shen Andrea në Noçera.
Stema heraldike me shqiponjen dykreneshe e familjes Karafa dhe Granai Kastrioti në manastirin e Shen Andrea në Noçera.

Literatura 

1.Zacchino Vittorio. Primordio Luigi Galatone da Malacarne a oggi (1407-2007)  Edit Santoro Galatina (Lecce) 2006.
2.Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia dei Muzaka. Napoli, 1510.
3.Paolo Giovio. Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo. Vol. 1. Ribotim 2016
4.Paolo Petta, Despoti d’Epiro e principi di macedonia, Lecce, Argo, 2000, p. 61- 67
5.Biografia Andronica Arianiti Commeno, su castriotascanderbeg.it. URL consultato il 15 settembre 2019.
6.Salvatore Panareo, Trattative coi turchi durante la guerra d’Otranto (1480-81), Bari, S.E.T, 1931, p. 177.
7.Marino Sanuto, I Diarii, Tomo III, Venezia, Marco Visentini, 1880, p. 301.
8.James Gairdner, Historia Regis Henrici Septimi, a Bernardo Andrea Tholosate Conscripta: Necnon Alia Quaedam ad Eundem Regem Spectantia, London, Longman, Broёn, Green, Longmans, and Roberts, 1858, p. 223.
9.Filangieri R. Castel Nuovo Reggia angioina e aragonese di Napoli. Napoli, 1934 
10.Vittorio Zacchino. Francesco Bellotto scultore di Nardò e il cinquecentesco corteo trionfale della chiesa di S. Sebastiano a Galatone. Fondazione Terra di Otranto. 20. 12. 2012.
11.Papas Francesco Chetta-Schirò, I Castriota Principi D’Albania nell’Ordine Sovrano Militare di Malta, Malta, Valletta, 1929, p. 38.
12.Erasmo Ricca. La Nobiltà del Regno delle due Sicilie, vol. 1, Napoli, Agostino de Pasquale, 1859, p 64.
13.Giovanni A. Summonte, Historia della cittá e regno di Napoli , Tom V, Napoli, R. Gessari, 1749, p.102.
14.Floristán, J. M. Sociedad, economía y religión en las comunidades griega y albanesa de Nápoles y Sicilia: nuevos documentos inéditos in: Erytheia, Revista de Estudios Bizantinos y Neogriegos, vol. 37, 2013, p. 133.
15.Giancarlo Vallone. Pirro Granai Castriota educato a Copertino. Intervento di (IL BARDO ANNO I , 
Nr. 1, Settembre 1991.
16.Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi di Salerno. 20. 07. 2016
17.Gennaro Bacile di Castiglione. Il castello di Copertino. Rivista: Napoli Nobilissimo. Vol XIII. 1904, f. 68
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.