Pasaporta si “Rite të Passage” – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
Pasaporta si “Rite të Passage” *
nga Artan Kafexhiu

Një dukuri e re e kujtesës kolektive, folklorit modern, “pop culture-s” bashkohore shqiptare, është padyshim edhe rituali i pasaportave. “Letërnjoftimi”, varianti shqiptar i ID-së (identity card) perendimore në periudhën totalitare, normalisht nuk bënte pjesë në ritualin folklorik në të përditshmen e shqiptarëve. Lëvizshmëria e shqiptarëve ishte e kufizuar brenda të njejtit territor, të njejtës hapsirë, – Shqipërisë. Çdokush mund të provonte identitetin e vet, e në të shumtën e rasteve me “kollajllëk”. Këtë gjë ia lehtësonin format arkaike konjitive sociologjike, njohja e drejtpërdrejtë fizike dhe emri i personit prej bashkështetasve të tjerë, duke përfshirë këtu rrethin familjar e shoqëror të personit, kolegët e punës apo të shkollës, etj. ID-ja shqiptare, letërnjoftimi, ishte simboli i koerzionit social, i prangimit, i atij destinimi të përbashkët, i identitetit dhe mënyrës të identifikimit, që nuk mund t’i shpëtonte apo shmangej kërkush, që (një)nënshtetesia i ishte përcaktuar si “shqiptare”.
Në të vërtetë, në intuitën, subkoshiencën kolektive të shqiptarëve, letërnjoftimi, perceptohej me të drejtë, jo thjesht si një dokument identifikimi, por si një mjet kontrolli nga ana e shtetit totalitar, për të kufizuar në maksimum lëvizshmërinë e shqiptarve, për të bërë të pamundur atë që quhet “rite de passage” (rituali i kalimit) në territoret e hapsirat joshqiptare. “Rite de passage”, kalimi i kufirit shqiptar, ishte një përjashtim, që bëhej vetëm për një rreth të ngushtë “të privilegjuarish”. Ndërkohë, letërnjoftimi duke dokumentuar, identifikuar ekzistencën e çdo individi me shtetësi shqiptare, bënte pikërisht të kundërtën e “passport”-ës, pamundësonte kalimin e kufirit shtetëror shqiptar, duke lidhur pazgjidhshmërisht ekzistencën e të gjithë “shtetasve shqiptare” vetëm brenda të njejtit territor, pa ndonjë kufi kohor, duke i lënë qytetarët pa asnjë lloj opsioni tjetër. 
Principi i përkatësisë së individit si qytetar i një shteti nëpërmjet letërnjoftimit, pa pasur mundësinë e zgjedhjes tjetër, pa opsionin e pajisjes me “passport”-ë, ishte në një “krizë” të përhershme. Letërnjoftimi, si dokumenti i vetëm legal identifikimi në Shqipëri, ndërkohë që “de jure” ngrinte atë vellon arkaike të identifikimit thjesht fizik e social paramesjetar, në një epokë kur nuk i besohej thjesht syve, “de facto” legalizonte izolimin e nënshtetasve, duke i dhënë njëkohësisht edhe një “identitet politik”, duke i kufizuar atyre lëvizjen vetëm brenda të njejtit territor.
Në fillim të viteve ‘90-të, lejimi, mundësimi i të gjithë shtetasve shqiptarë për t’u paisur me “passport”-ë, ishte përpjekja e parë për ta nxjerrë nga kriza principin e përkatësisë të individit si qytetar i një shteti. Me “passport”-at nisi një proces i tërë i fshirjes së “identitetin politik”, të “stigmës sociale”, të kompleksit të inferioritetit të “të qenurit shqiptar”, të çuar në ekstrem nga opsioni i vetëm i dikurshëm i identifikimit, – letërnjoftimi, i cili si dokument legal e kishte humbur rëndësinë, e nuk ngjante t’i interesonte më askujt. Me inicimin e evenimentin të “rite de passage” shqiptar, – pajisjen me pasaporta shqiptare, – nënshtetasi shqiptar, nuk vazhdonte më të mbetej thjesht si një “hije” nën një shtet izolacionist. Pasaporta si objekti, dokumenti, që përmban e provon identitetin e personit, njëkohësisht e transformoi shqiptarin brenda natës, potencialisht edhe në një qytetar të botës; tani ai mund të lëvizte, të ndryshonte vendqendrimin e tij, sipas mundësisë e dëshirës. Pasaporta, si mjet identifikimi, duke dokumentuar veçantinë e historisë natyrale të çdo individi nëpërmjet fotos, numrave e kodifikimit, në mënyrë shkencore e të paanshme, i largohet gjithnjë e më shumë projektimit të çfarëdo imazhi social, steriotipizimit të individit si subjekti i identifikimit. Shteti dhe individi, nëpërmjet pasaportës bëhen dy entitete të dallueshme, të ndryshme, që nuk projektojnë asnjë lloj imazhi socio-politik mbi njëri-tjetrin. Kjo gjë do të thuhej (pa asnjë rezervë) në rastin e një shteti të zhvilluar modern kapitalist, që e ka çliruar veten nga ngarkesa, trashëgimia historike. Ky lloj shteti ka mundur të eleminojë semantikën e të gjitha lidhjeve, rastësive, apo realiteteve politike e sociale, specifike të vendit; nga pikpamja e “logjikës të shtetit”, mund të provohet në çdo moment se të gjithë individët, pavarsisht rrethanave dhe statusit social, janë të barabartë si subjekte të identifikueshme.
Veçantia e “rite de passage”-it shqiptar, – pasaportës shqiptare, është se duke qenë njëkohësisht, thjesht një procedurë identifikimi kufitare-policore ndërshtetërore, në ndryshim nga rituali i pasaportave të vendeve të tjera, në të ndihet akoma duke patur një ndikim të dukshëm, rituali politik, roli i (pa)fuqisë të ekonomisë e politikës shqiptare, të statusit ndërkombëtar të shtetit shqiptar vis-a-vis vendeve të tjera. Rituali i pasaportës shqiptare mbetet akoma subjekt interesant komik e dramatik për “great narrative” (tregimtari të fuqishme), që përfshin të gjithë kategoritë e shqiptarëve, duke filluar nga shqiptari i thjeshtë, e deri tek njerëzit me emër, qeveritarët, apo individët me status të spikatur. Në imagjinatën e mendimet e shqiptarëve, ngjarja, momenti i kalimit të kufirit e lëvizjes nëpër botë me pasaportë shqiptare, ka akoma vend të bollshem, për t’i bërë një interpretim filozofik, artistik, politik, social e ekonomik. Rituali i pasaportave shqiptare, ka marrë formën e një “metafore të pushtetit”. Nëpunësi i zyrës së pasaportave apo emigracionit, i ngarkuari i ambasadës të huaj, që jep vizat, oficeri i kufirit apo i doganës, të gjithë janë hallkat e “metaforës të fuqisë e të pushtetit” që ndesh çdo ditë mbajtësi i pasaportës shqiptare.
Për mbajtësin e pasaportës shqiptare, rituali i pasaportave, është kthyer në një ceremoni “të magjikëshme”, që letërnjoftimi i dikurshëm, nuk kishte fuqinë mistike, t’ia ofronte. Ndërsa për shtetasit e vendeve të tjera, procedurat kufitare-policore, që kontrollojnë e sigurojnë kufitë e shteteve janë pjesë e rutinës zyrtare shtetërore, duke përjashtuar të gjithë elementet socio-politikë, për “shtetasin shqiptar”, procedura merr ngjyrat metafizike të një metafore. Shqiptari i detyruar nga rrethanat, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, tenton të bëjë interpretimin e këtij rituali. Përse kjo “mistikë” rrethon këtë moment ritualistik? Çfarë është mundur të zbulohet, apo interpretohet rreth “mistikës” së këtij rituali?
Hulumtimi të çon në një zbulim e interpretim unik e interesant, që nuk perdor historinë e metafizikës të Heidegger-it, e nuk kufizohet me interpretimet kantiane mbi identitetin “transhendal”, etj. Punonjësi i ambasadës që lëshon vizën, oficeri i kufirit që lejon kalimin e kufirit jashtë e brenda një vendi, aktualisht janë figurat që bëjnë formulim e identitetit të mbajtësit të pasaportës shqiptare. Identiteti i formuluar në këtë mënyrë është një atribut i jashtëm, e nuk është shprehje, apo mëshirim i brendshëm i personit aktual fizik që i jepet ky identitet. Identiteti është i lidhur me konceptin e vlerës në ekonominë politike, është produkt i asaj që në ekonomine politike quhet “commodity exchange” (shkëmbim malli). Zinxhiri njerëzor i nëpunësve që përmenda më sipër, “mistikën” dhe ritualin e pasaportave, e bazojnë në logjikën ekonomike të shtetit kapitalist, të lëvizjes të kapitalit, pra thjesht “pure capitalism” (kapitalizëm i kulluar). Në kokën e tyre vetëm ky vizion është themeli për t’ia atribuar identitetin shtetasit shqiptar, e për t’i dhënë mundësinë të marrë pjesë në “rite de passage” të kalimit të kufirit, të udhëtimit e shëtitjes nëpër botë. Nuk janë karakteristikat e brendshme të individit, nuk është origjina, nuk janë zakonet, gjuha, natyra, nuk është subjektivizmi i “të qenurit shqiptar”, nuk është statusi social, por është koncepti i vlerës në kapitalizëm, ai që bën të mundur lëvizjen e lirë të individit. Kushtet ekonomike të individit, gjëra që në vetvete nuk kanë identitet “për se”, shërbejnë për të konceptuar dhe për t’i atribuar dikujt identitetin.
Shteti shqiptar, ekonomia, politika, identitetet private janë ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme me njeri-tjetrin, janë pjesë e krijimit “të magjisë” të ritualit të pasaportave. Ky ritual është një projekt në vazhdim e në zhvillim, ku shtetasit shqiptarë zbulojnë se subjektet, qytetarët, e një shteti përbejnë njëkohësisht edhe themelet e vet shtetit.
*Botuar fillimisht në gazetën “Shekulli”
Marrë nga Muri i FB Artan Kafexhiu, 5 dhjetor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit