back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Partizani i Vogël Neko… – nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani
Partizani i Vogël Neko
nga Meti Fidani

Si kundërshtar i reprezaljeve dhe pazareve turko-greke, gjyshin e burgosën në burgun e Selanikut… Gjyshja me gjithë fëmijët u shpërngulën në Nikolicë tek i vëllai i saj, Aliu.
Djemtë u rritën… dhe për disa vjet ndërtuan një shtëpi të bukur dhe destila e mulli..
Ferriku, djali i madh ishte shumë punëtor, Estrefi filloi tregëtinë, zanat i trashëguar nga i ati… Lacja ishte në moshën e ushtrisë, kurse Et’hemi adoleshent…
Gjyshi boll i kishte 6 fëmijë, 4 djem e dy çupa.. por si i malluar me gjyshen, mbas viteve burgim, ranë të flenë… dhe të nesërmen gjyshja na u gdhi me barrë…
Katër vëllezërve tashmë të rritur, ju shtua dhe një vëlla i vogël, Nekiu.
Diferenca në moshë me të tjerët ishte nje nga shkaqet që Nekua u rrit i përkëdhelur… Përkëdhelia e madhe e bëri që të ishte ters por edhe shumë shakator… Njëkohësisht edhe shumë i zgjuar.
Gjyshja e mbante pas dhe me hatër, sikur ta kishin djalë të vetëm, edhe pse ai po burrërohej dita-ditës. Bile, gjyshja deri sa ndrroi jetë, nëpër dasma apo gëzime të ndryshme, si kryefamiljare që ishte, u thoshte të ftuarve të tavolinës:
-Unë do marr një thelë për vehte dhe një për Nekon… ju tjerët, bëni si të doni!!

Partizani - Andon Lakuriqi
Partizani – Andon Lakuriqi

Filloi lëvizja nacional-çlirimtare. Partizanët erdhën edhe në Nikolicë, edhe pse Gjermani as e dinte nga binte Nikolica… Shtëpia jonë veç pasurisë ekonomike kishte edhe atë shpirtërore. Ishte bazë për partizanët…
Bari Flaga, por edhe gjithë soji ynë në Menkulas, ishin lidhur me luftën. Bile Bariu ishte plagosur në njërin sy. Ai i thotë gjyshes se nuk po fryjnë erëra të mira, Name… Është prishur Mbledhja e Mukjes dhe do ketë vëllavrasje… Të pasurve do t’u merret pasuria dhe do burgosen… Prandaj ta marrim Nekiun partizan, që të kini një balancë pas mbarimit të luftës!!
Bariu e ndjeu nga të parët se çfarë do ndodhte. Dhe ashtu ndodhi vërtet…
Ne përfunduam keq. Por keq e më keq do kishim përfunduar po të mos kishte dalë Nekiu partizan. Të paktën e kishim një kleçkë ku të mbaheshim.
Ai u ingranua në Brigadën e Dytë, të drejtuar nga Beqir Balluku.
Natyrisht që veteranin Neki e pyesnja me kuriozitet që kur isha i vogël?
-Xhaxhi Neki, sa gjermanë ke vrarë në luftë?
-Kam vrarë o bir, kam vrarë sa të duash…
-Kur ke vrarë ti kaq shumë, kushedi sa do ketë vrarë komandanti yt, pa le shoku Mihallaq, pa le xhaxhi Enver që ishte komandanti i komandantëve..
-Kanë vrare o bir kanë vrarë edhe ata, sa të duash kanë vrarë… më shumë se unë..
Kur u rrita i bënja pyetje të tjera..
-Xhaxhi i dashur, më trego pse xhaxha Ferikun e internuan në Porto Palermo e Tepelenë, pse babi u dënua me 101 vite burg në Burrel, po lalai (Lacja) përse?! Po dyqanet pse na i morën?! Po bagëtinë? Po mushkat? Po destilat e bukura? Pse ke shkuar një javë më këmbë nga Korça në Porto Palermo apo në Burrel?! Pse nuk i njihnje vëllezërit e tu prej torturave. Sa e sa pyetje i bënja xhaxhait tim partizan…
Atij i vinte turp që Lëvizja përfundoi ashtu… në një vëllavrasje!!
-U nisa me flamur me shqiponjë, – thoshte, – dhe u ktheva me flamur me yll!
Eh, i miri xhaxha. Sa më ka marrë malli. Ka disa vite që më mungon..
Sa qau kur u nisa për në Amerikë. Si ta dinte që ishte hera e fundit. Unë mendoja se do kthehesha prapë e do ta gjenja nga parku në xhiron e zakonshme me bashkëmoshatarët e tij 90-vjeçarë. Do t’ja mbyllja sytë nga prapa me duart e mia… Sa të më prekte pak duart do më njihte. Në 14 miliard duar të botës do njihte duart e mia
…Uuu, paske erdhur?!
Por iku Nekua…
E dinja se njerëzit e mirë nuk ikin kurrë…
Sa ishte gjallë xhaxhi im i mirë, më tregonte e më tregonte, gjithmonë duke bërë e ndonjë shaka… Edhe ato ditë që do largohesha për në USA, nuk e linja të qetë duke e pyetur:
Xhaçkë, me ka mbetur merak, sa gjermanë ke vrarë?!
-Një m…t kam vrarë. Le që nuk kam vrarë, por edhe nuk kam parë ndonjë gjerman. Më shumë ka parë Estrefi, se i vinin në dyqan, sesa unë partizan. Se gjermanët ishin në qytet. Ne ishim nëpër male. Pushtuesi pushton qytetet, nuk pushton borigat.
Nuk kam parë gjermanë asnjëherë. Edhe një herë që ishte rasti t’i shikoja, nuk qe e thënë…
Ishte 28 Nëntor mbrëmje… Gjermanët kishin çarë ferrën. Bataljoni kishte zënë vend në një ndërtesë ku kishte qenë komanda gjermane një ditë më parë. Ishte festë e madhe. Festa e pavarësisë… Grupe-grupe, këndonin sipas krahinave të tyre. Tregëtarëve shkodranë u kishin marrë me forcë ushqime e veshje. Pushteti i popullit kishte triumfuar.
Tregëtarët në litar!!
Festë e madhe. Por festa pushoi si me thikë. Dy gjermanë të armatosur u dhanë mbi një motorçikletë…
Askush nuk pipëtinte. Gjermanet u ngjitën në katin e dytë. Edhe atje u ra pika të gjithëve. U drejtuan diku në qoshe, ku ishte ulur komandanti i kompanisë, mbi një arkë municionesh.
-Ngreu pak, – i thanë komandantit.
Ngreu, por kush të ngrihet pa. Të të thotë gjermani lëvize pak byçin nuk ishte e lehtë. Merre me mend se çfarë nxjerr byçi nga frika.
Komandanti u ngrit. Gjermanët lëvizën arkën dhe morën disa dokumenta të fshehura nën dërrasën e dyshemesë.
Aq ishte. Zbriten, ndezën triçiklin dhe ikën…
-Kur arritëm ne të prapavijës – tregonte xhaxhai, – sapo kishin ikur dy gjermanët. Edhe një herë që m’u dha fati të shikoj gjermanë, nuk arrita…
Por edhe ata që i kishin parë, nuk u kishte mbetur pikë gjaku. Heshtje varri. Askush nuk fliste… Nuk po e mblidhnin dot vehten.
Heshtjen e prishi njëri nga komandantët:
-Gjermanët u larguan!
Festa të vazhdojë…

Marrë nga Muri i FB Meti Fidani, 29 nëntor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.