back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Partia “As e Pashës as e Beut” – nga Robert Cipo

Gazeta

Statuja e Lef Nosit (1877-1945) - Elbasan
Statuja e Lef Nosit (1877-1945) – Elbasan

Partia “As e Pashës as e Beut” –

nga Robert Cipo

“As e Pashës as e Beut” quhej grupimi politik, i cili mblodhi rreth tij atdhetarët intelektualë të qytetit të Elbasanit, që përpiluan një program demokratik për kohën. Kjo parti u themelua në tetor të vitit 1923. Ajo drejtohej nga Këshilli i përkohshëm, i cili përbëhej nga: Ahmed Dakli, Lef Nosi, Rrapush Demeti dhe sekretari Mustafa Kotherja. Në rrethin e saj po ashtu bënin pjesë edhe figura të tjera jo pak të dëgjuara në qytet e jo me më pak reputacion siç ishin: Sali Ceka, Aleksandër Xhuvani, Shaban Blloshmi, Qemal Gëlqerexhiu, Xhaferr Kongoli, Kostaq Cipo, Ibrahim Dedej, Ismail e Qazim Dyrmishi, Asllan Shahini, Hysen Plangarica, Simon Shuteriqi, Hysen Dyrmishi. Këto emra ishin të kandiduar nga partia për t’u zgjedhur në Kuvendin Kushtetues në zgjedhjet e Dhjetorit të vitit 1923. (Emrat e antarëve janë marrë nga libri “Ahmed Dakli”, shkruar nga: Hilmi Dakli)
Duke qenë se kjo parti kundërshtonte feudalizmin dhe gjendjen në të cilën ndodhej qyteti e jo vetëm, emri i saj “As e Pashës as e Beut” kishte domethënien e mospërjshtimit nga ndikimi i ligjit të asaj shtrese që kishte fituar supremaci në qytet. Pra ligji dhe çdo gjë tjetër ishin për të gjithë dhe të të gjithëve, nuk ishin as të pashës as të beut.
Në artikullin “Të llafosemi sheshazi” Ahmet Dakli shprehet kështu: “Elbasani dëshiron nji sundim ku të dënohet ai që kundërshton ligjin dhe jo të jetë i shtrënguar me ruajt ma tepër se ligjin hatrin e Beut, apo të Pashës. Ai (Elbasani) nuk do njerëzit që kanë shndrue flamurin, njerëz që kanë namë e kanë true shkronjat e shenjta kombëtare”. (Marrë nga libri “Ahmed Dakli”, shkruar nga Hilmi Dakli).
Programi politik i kësaj partie lindi si “kundërvënie” e feudalizmës e oligarkisë që ekzistonte në vend. Grupimi ishte i vendosur për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe të shpëtonin prej feudalizmës së kohës. Në gazetën “Ura e Shkuminit” të vitit 1923, ata i bënin thirrje shtypit të shkruar dhe të gjithë elbasanasve kudo ku ishin, brenda e jashtë qytetit t’i bashkoheshin kauzës së tyre, të cilën e konsideronin si “vepër të shënjtë”.
Po në gazetën “Ura e Shkuminit” drejtor i përgjithshëm i së cilës ishte Ahmed Dakli, edhe ai pjesë e këtij grupimi, është bërë i njohur programi politik prej 15 pikash.
“Ura e Shkumbinit” me rubrikat e saj të pasura për kohën, të cilat shërbenin shumë edhe për të “kritikuar” e vënë në fokus ngjarje të jetës politike në vend, parapregatiti terrenin për krijimin e partisë “As e Pashës as e Beut”.
Këtë program e kemi shkëputur nga gazeta në fjalë e vitit 1923 dhe e paraqesim më poshtë:
.
Qyteti i 100 Minareve - Elbasani
Qyteti i 100 Minareve – Elbasani
1.Për formën e regjimit të Shtetit, kandidatët e grupit lihen të lirë, me veprue, pas konviksionit që do të formojnënë rrjedhë të bisedimevet përkatëse, në Kuvendin Kushtetues.
2.Sovraniteti i popullit, të sigurohet me Parlament Kombëtar.
3.Sistemi votuer, të jetë drejt për së drejti e jo tërthurazi. Domethanë populli të votojë misat e Parlamentit e jo me anë të zgjedhësish të dytë. Votimi të jetë i mçefët, pas mënyrës që vepërohet në shtetet e Europës.
4.Parimet demokratike, që sot janë baza e gjithë regjimevet të botës së qytetnueme: Lirië, Vllazënië, Njisië, Bashkim të jenë baza e Shtetit Shqiptar.
5.Lirie e plotë e fjalës, e Ndërgjegjës, e Shtypit, e Mbledhjes dhe e shoqnimit.
6.Indipendencë e plotë e Institucionevet të Drejtësiës, edhe liri e plotë për vepërimet e vendimet e tyne. Ligjët e shtetit t’jenë të mbështetuna në zakonet e vendit.
7.Modernizim i degavet të ndryshme të fuqiavet Shtetnore edhe pakësim i zyravet në shkallën e mundshme.
8.Përmirësim i fatit të bujqëvet për me fitue liriën e tyne shoqnore e ekonomike, tyke u rregullue çështja agrare edhe ringrefje e bankave të bujqësiës.
9.Rrëzim i sistemit taksuer primitiv i të dhetës e i xhelepit. Lehtësim i popullit, nga taksat e randa, edhe përdorimi i tyne ma fort për stullisjen e pasurivet natyrale të vendit, që të munt të marri vehten populli nga vujtjet ekonomike.
10.Rrëzim i influencës brutale të personavet që shtyp përparimin e ndjenjavet kombëtare e të njisiës shoqnore.
11.Lirië e respekt i plotë i ndërgjegjës fetare të sektevet të ndryshme që ndodhen në Shqipni.
12.Arsimi filluer të jetë i detyrshëm, edhe të epet vetëm me anë të shtetit.
13.Ministrat të mos kenë të drejtë vote, kur epet votë besimi.
14.Modernizim i ushtriës e i gjendarmëriës, që të mund të mprohet trualli i shenjtë i atdheut, e të sigurohet qetësia e vendit.
15.Kryeqytet Elbasani, që asht qendra e natyrshme topografike e dialektike e Shqipnisë.
.
Ky program nga sa mund të shohim edhe më lart në aspektin politik konsistonte: në lënien e formës së regjimit të papërcaktuar për momentin, gjë e cila do të lihej në dorë të diskutimeve që do të bëheshin në parlamentin kombëtar, i cili jepte siguri për sovranitetin e popullit. Votimi duhej të ishte i fshehtë dhe i drejtpërdrejtë. Sigurohej liria e fjalës, e shtypit, e ndërgjegjes dhe e organizimit. Ligji të bazohej në zakonet e vendit dhe kërkohej po ashtu reduktimi i zyrave të administratës shtetërore.
Në aspektin ekonomik parashikonte liri ekonomike duke i dhënë rëndësi reformës agrare dhe kërkonte ringritjen e bankave të bujqësisë. Lehtësim të popullit nga taksat e rënda që ai të marrë veten ekonomikisht.
Liri fetare dhe respektim i çdo sekti fetar.
Arsim i detyrueshëm fillor dhe ai të jetë vetëm shtetëror.
Modernizim i ushtrisë e xhandamërisë që të ruajë rendin e sigurinë dhe të mbrohet atdheu kur të jetë e nevojshme.
Si kryeqytet caktonin Elbasanin, duke i dhënë prioritet dialektit.
Nga sa kuptojmë përmes këtij programi politik kemi të bëjmë me tipare të dukshme demokratike dhe prirje për të përvetësuar edhe tek ne shembullin demokratik europian, duke sfiduar kështu realitetin në arenën politike shqiptare.
.
Marre nga Ana Toçi (elbasaniad.org) 17 Mars, 2019
http://robertcipo.com/partia-as-e-pashes-as-e-beut-ana-toci-elbasaniad-org/
 .

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.