back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Paradokse Shqiptare! Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Paradokse Shqiptare! Klodi Stralla

“…Vetëm tek e shkuara e popujve… fshihet e ardhmja e tyre…!”

Isha për pak ditë me pushime në Korfuz të Greqisë dhe aty rastsisht u njoha me një profesor të Universitetit të Stokholmit të Suedisë, z.Olssen e thërrisnin. Një burrë i gjatë, me syza, rreth të 50-ve, bjond siç janë përgjithësisht suedezët. Me që kishte qënë për specializim në Francë, e njihte frëngjishten shumë mirë, kjo më dha mundësinë të komunikoj me të rreth Shqipërisë, fatit të saj historik, pozitës të saj gjeostrategjike, bile edhe zgjedhjeve të posa përfunduara. U kënaq jashtë mase që takonte një shqiptar dhe më habiti me faktin se ishte njohës shumë i mirë i vendit tonë!! Ai më renditi 5 paradokset shqiptare, që mendoj se ja vlejnë të meditojmë rreth tyre, sepse vetëm tek e shkuara e popujve fshihet e ardhmja e tyre – siç u shpreh profesori.

Paradoksi i Parë…
Nga gjithë vendet e Europës Lindore, ku u instaluan regjime komuniste pas luftës të dytë botërore, vetëm Shqipëria ishte ajo ku s’shkeli çizmja e ushtrisë të kuqe sovjetike. Regjimet komuniste të Gjermanisë Lindore, Polonisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Jugosllavisë u instaluan tërësisht me forcën ushtarake ruse; ndërsa në Shqipëri komunistët e fituan me forcat e veta luftën civile me kundërshtarët e tyre politikë… Si është e mundur, pyeste profesori, që “…klasa politike që drejtonte vendin, pra që kishte pushtetin politik, dhe klasa e pronarëve që kishte pushtetin ekonomik s’qenë në gjendje ta eliminonin një forcë guerile si partizanët e E.Hoxhës, aq më shumë që ata e dinin mirë se ajo qe pjellë e sllvo-komunistëve sërbë?!” Debati ynë u përqëndrua rreth faktit “Nëse vërtet kjo klasë politiko-ekonomike ishte në nivelin e elitës që duhet të drejtonte vendin, a mos ishim vallë përballë elitash të degjeneruara, që kishin humbur besimin në popull, klanesh të korruptuara, apo ishte mentaliteti shqiptar ai që s’sheh më larg se porta e shtëpisë se vet?!?”

Paradoksi i Dytë…
Dihet që në vitin 1948, Tito u konfliktua me Stalinin sepse s’dëshironte të ishte vasal i bindur i tij dhe të ndiqte rrugën dogmatike staliniane në ndërtimin e shoqërisë jugosllave. PKSH dhe Qeveria Shqiptare që ishin vasalët më të bindur të jugosllavëve, duke pranuar e përgatitur edhe bashkimin midis dy shteteve… befasisht braktisin Titon, e cilësojnë atë armik dhe tradhëtar të kauzës së komunizmit dhe u lidhën me Moskën dhe Stalinin që ishin shumë larg Shqipërisë dhe që e kishin të pamundur ta ndihmonin atë përmes rrugëve tokësore. “Si është e mundur, – pyeste profesori, – që Shqipëria nuk ndoqi rrugën e Titos, duke mbajtur mardhënie të mira me të dy superfuqitë e kohës SHBA-BRSS, duke marrë ndihma prej të dyve, por shkoi dhe u lidh vetëm me njerin krah, me atë që edhe vetë rusët, 5 vjet pas vdekjes të Stalinit, e braktisën kursin e tij dogmatik!?!”

Paradoksi i Tretë…
Brezi im i njeh mirë ngjarjet e Kongresit të XX-të PKBS, ku Nikita Hrushovi denoncoi krimet e stalinizmit dhe futi frymën e bashkekzistencës paqësore midis dy sistemeve në mardhëniet ndërkombtare, duke zëvëndësuar konfrontimin stalinian me atë kapitalisto – socialist. Profesori përsëri çuditej se “…si është e mundur që udhëheqja shqiptare, kur vendi më i madh i kampit socialist ndryshonte kurs, një vend i vogël dhe tepër i varfër si Shqipëria pretendonte të ruante pastërtinë ideologjike të dogmës komuniste!?!” Po e njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1974, kur udhëheqja kineze e Mao Ce Dunit, Çu En Lait apo e Teng Hsiao Pingut po e fuste Kinën në rrugën e zhvillimit të vrullshëm ekonomik, duke anashkaluar shumë parime të dogmës marksiste mbi punën, kapitalin apo mbivlerën. Mbetet e famshme aforizma e Tenit: “S’ka rëndësi se ç’ngjyrë ka macja, e bardhë a e zezë, rëndësi ka që të kapë minj!!!” Po stalinistët e Tiranës s’lëviznin që s’lëvizën nga e tyrja!?!

Paradoksi i Katërt…
Por ajo që e kish çuditur më shumë se çdo gjë profesorin Olssen, ishte fakti se pjesa dërrmuse e udhëheqjes shqiptare, duke filluar nga Enver Hoxha, Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, Manush Myftiu, Behar Shtylla apo Nesti Nase, ishin njerëz që e njihnin mirë Perëndimin, sepse kishin studiuar apo jetuar aty me vite, ndryshe nga shumë udhëheqës proletarë të Europës Lindore që s’kishin as dijeninë më të vogël për botën kapitaliste. “Si është e mundur që një udhëheqje e tillë të tregohej aq dogmatike dhe aq e egër – pyeste me habi profesori!?!

Paradoksi i Pestë…
Profesori ishte i çuditur gjithashtu edhe me rezultatin e zgjedhjeve të këtij qershori: do ta kuptonte shumë mirë që PS, si opozitë 8 vjeçare e vendit, të ishte ajo fituesja e zgjedhjeve, por i dukej e pabesueshme kur mësoi se një parti si LSI, që vetëm para dy muajsh ishte në qeverisje së bashku me PD, arriti të katërfishohet, për më shumë ajo ishte edhe pjesa më e korruptuar dhe më e përfolur e mazhorancës të PD-së!!! “Si është e mundur – pyeste profesori, – që tek ju, pas 23 vitesh të ndrrimit të sistemeve, në krye të partive kryesore politike, gjenden po ata persona, ndërkohë që SHBA-ja ka ndyshuar 7 presidentë?!!!

Profesori suedez kishte mendimin që popujt, ashtu si individët, kanë trashëgiminë e tyre “gjenetike”; ndërsa tek individi, kjo trashëgimi gjendet në gjenet, në bërthamën qelizore, te popujt trashëgimia historike gjendet në Elitat Politike, Ekonomike, Akademike apo Kulturore të tyre.
Le të meditojmë rreth këtij konkluzioni të profesorit suedez Olssen, që historia jonë 100 vjeçare si shtet, mendoj se e komfirmon plotësisht!!!
7 korrik 2013
(Marrë nga Dashamirës të Mendimit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.