back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Palok Kurti (1860-1920) – Legjenda e Muzikës Shkodrane

Gazeta

Palok Kurti (1860-1920)
Palok Kurti (1860-1920)

Palok Kurti (1860-1920)

Legjenda e Muzikës Shkodrane*

Palok Kurti qe kompozitori dhe muzikanti i parë
që dha sinjalin е lindjes s’artit të ri të kultivuar.
Lindi në Shkodër më 1860,
dhe kompozoi “Bashkimi i Shqipnís” më 1881.

Jeta e Palok Kurtit

Më 1863, kur ishte tre vjeç i vritet i ati, Kola, në Ranën e Hjedhun, në Ulqin, gabimisht nga serbët. Do të shkollohet në Kolegjën Saveriane1]. Me anë të krijimeve, përpunimeve е aranzhimeve të këngëve popullore, kryesisht qytetare, vuri gurin е parë në themelimin е evolucionit të formave të vjetra dhe të reja të muzikës së kultivuar shqiptare. Madhështia e figurës së Palok Kurtit konsiston në gjerësinë e interesave të tij artistike, pa i ndarë në asnjë çast ato me patriotizmin, ndjenjë e cila e përshkon si një lajtmotiv gjithë veprimtarinë e tij.

Drejtues Palok Kurti

Tre qenë drejtimet ma të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike: dirigjent i orkestrave frymore, përpunues i këngëve popullore dhe kompozitor.
Palok Kurti, mësimet e para të muzikës i mori në mjediset e ahengut të njohur shkodran dhe nga At Tommaso Merkos, françeskani i njohur në Shkodër me emrin Pater Toma. N’aftësitë e Palokës së ri ky frat i nderuem dhe muzikant i flaktë, shihte drejtuesin e bandës muzikore të qytetit, për të cilën u impenjue të organizonte. Bashkë me një numër veglash muzikore që solli nga Napoli, në vitin 1877, Pater Toma fton dhe mjeshtrin italian Giovanni Canale, i cili u mor seriozisht, për disa vite me edukimin muzikor të Palokës, tue i mësue pianon dhe disa instrumenta frymorë. Në vjetën 1878, nën drejtimin e po këtij mjeshtri, u krijue e para orkestër frymore e qytetit të Shkodrës e në fund të fundit e të gjithë Shqipërisë, ngjarje kjo që përkoi dhe me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. 18-vjeçari Palok Kurti, do të ishte një ndër të 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor.

Palok Kurti pikturë nga Pjerin Sheldija
Palok Kurti pikturë nga Pjerin Sheldija

Banda e Katedrales – 1898

Dy vjet më vonë, në vitin 1880, drejtimi i saj kalon në duert e virtuozit të trombonit, Palok Kurti, i cili u dallue ndër të tjerët edhe për aftësitë drejtuese dhe organizuese. Me “Daullen” e tij (siç u ba i njohur në popull), Palok Kurti jepte koncerte në publik të hapun, në fillim një herë në muej e pak nga pak, me konsolidimin e orkestrës, u arrit të jepeshin dhe koncerte çdo javë. Kështu dalja e kësaj orkestre frymore çdo të diele në lulishten e qytetit, ishte për kohen, një nga evenimentet ma të rëndësishme kulturore. Fillimisht repertori ishte i kufizuem, kështu që Palok Kurti, iu vu punës për krijimin e një repertori të posaçëm për orkestrën e tij.
Pikërisht këtij qëllimi do t’i shërbenin dhe ndërtimi i dy potpurive me këngë shkodrane “Argëtime muzikore të stërgjyshave tanë” (1890-1900), të dytën e bani në F-maxhor2]. Martohet me të bijën e A. Papanikut, nga Parga e Çamërisë. Idromeno i pat bërë një portret më 1925, që ruhet në Galerinë e Arteve. Me këtë lidhje do të ketë katër djem: Leci, Zefi, Salvatori, Ndoci1]. Për ndërtimin e materialit muzikor të kësaj vepre, kompozitori u mbështet kryesisht në këngën qytetare shkodrane, e veçanërisht në atë instrumentale. Duke i seleksionuar, aranzhuar dhe përpunuar për orkestër frymore dhe me pas, pastaj duke i ekzekutuar, Palok Kurti synoi jo vetëm të përhapte e të propagandonte këngën popullore shqiptare në popull, por edhe ta spastronte atë vetë nga elementet e tepërt – rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë të formave dhe toneve orientale, të cilat ndiheshin dukshëm në ahengun shkodran. Në këto potpuri, trajtimi i këngës popullore shkodrane i është nënshtruar një përpunimi të vërtete me pretendime artistike. Sidomos në potpurinë nr. 1, shihen dhe tendenca krijuese nga ana e autorit.
Për këto arsye, Palok Kurti, është i pari muzikant, i cili duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke hodhur kështu, bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Aktivitetin si drejtues i bandave frymore, ai e zhvilloi nëpër formacione të ndryshme muzikore shkodrane, me bandën e Patër Tomës, me bandën e Popullit dhe atë të Institutit Tregtar, e cila kishte një trupë prej pesëdhjetë orkestrantësh.
Si drejtues dhe krijues i formacioneve korale, përmendim atë të Kishës Françeskane, Meshës se Madhe, të Kishës Ortodokse shkodrane, formacioni koral i së cilës, pati jehonë në kohen e vet. Do ta linim të paplotë figurën e Palok Kurtit, pa folur për krijimtarinë e tij si kompozitor. Krijues i ma shumë se 17 këngëve popullore, ai solli ndryshime rrënjësore në muzikën e ahengut shkodran. E pikërisht, tiparet e saj të reja, përbëjnë edhe vetë drejtimin e ri që muzika shqiptare mori në Periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë të mëvonshme, të Pavarësisë.
Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyre të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: Marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881, kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ,“Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, “Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

Banda Frymore Shkoder 1878
Orkestra frymore në Shkodër më 1878, ekzekutoi “Himnin e Lidhjes Shqiptare” .
Rreshti i parë, lart majtas: Kolë Mushku, Mati Marubi, Ndrekë Gjadri, Palokë Pjetri, Kolë Ibrahimi, Pipi Ronkali, Zef Dema, Pjetër Simoni.
Rreshti i dytë: Jovan Jellas, Cuk Fishta, Kolë Idromeno, Gaspër Kurti, Palokë Kurti, Maestro Kanale (Giovani Canale), Guljem Simini, Gjovalin Papaniku, Ndoc Ibrahimi, Kolë Martini.
Rreshti i tretë: Jak Voci, Gaspër Qurku, Ndoc Dema, Palokë Caliku, Hilë Jubani, Zef Gici, Gaspër Gjadri, Kolë Pici, Hilë Topalli, Kolec Hila, Xhoxhë Preçxhoxho, Zef Fiku.
Rreshti i katërt: Llesh Jubani, Kolë Tafili.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Palok Kurti shkroi vepra të tilla si: kuadrilja “Saksi im”, polka për klarinetë “Dallëndyshja”, marshi “Turqit në Maqedoni” etj. Përsa i përket muzikës liturgjike, më të njohura që ai shkroi janë: “Mesha për ndër të Shna’ Ndout”, “Litani” etj.
Gjithashtu, Palokë Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma”, etj.
Raporti i vazhdueshëm i Palok Kurtit me historinë e kohës në të cilën jetoi, shpjegon dhe faktin që vepra e tij mundi t’i rezistojë kohës dhe të vijë deri në dita tona. Krijimet më të rëndësishme të këtij kompozitori, pa dyshim dhanë sinjalin e nisjes së një periudhe të artë për historinë e muzikës shqiptare. Gjithashtu, me veprimtarinë e tij, Palok Kurti i hapi rrugën bashkëkohësve dhe pasardhësve të tij. Pasuria dhe larmia e veprës së tij zë padyshim një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare.3]
U dëbue dy vjet, me shumë mundësi për shkaqe politike. Mbasi u kthye në Shkodër më 1890, angazhimi i tij ma i madh ishte kompozimi. Krijon Bandën e Katedrales me ndihmën e Imzot Jak Serreqit, që e drejtoi Frano Ndoja. U dëbua dhe dy herë tjera, herën e mbrame në Korfuz më 1919. I rraskapitun vdes më 1920, në varrimin e të cilit morën pjesë shumë bashkëqytetarë të tij.

Burimet
1.Hamdi Bushati: Shkodra dhe motet v.II, fq.210-211, Shkodër 1999, “Idromeno”.
2.Koço, Eno (2004). Albanian urban lyric song in the 1930s, Volumes 1-2 Language. The ScarecrowPress, 83–84. ISBN 0810848902.
3.Gazeta “Dita Informacion”, 23 janar 1994
* Titulli redaksional radiandradi.com
Marrë nga http://www.forum-al.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.