Pak rreshta mbi të vërtetën e shkrimtarit Agim Gjakova – nga Izet Duraku

Gazeta

Izet Duraku
Izet Duraku
Pak rreshta mbi të vërtetën e shkrimtarit Agim Gjakova
nga Izet Duraku

Këto ditë paska dhënë një intervistë në një televizion të Kosovës shkrimtari i njohur Agim Gjakova. Nuk e kam ndjekur, po nuk qenka pritur mirë nga disa miqtë e mi, kryesisht nostalgjikë të regjimit të kaluar në Shqipëri. Thjesht desha t’u kujtoj disa përshtypje të mia.

Shkrimtari Agim Gjakova midis Rexhep Shahut, Behar Gjokës dhe Izet Durakut
Shkrimtari Agim Gjakova midis Rexhep Shahut, Behar Gjokës dhe Izet Durakut

Në fëmininë e rininë time të hershme kam lexuar librat poetikë të Agim Gjakovës “Dhe thonë se paqe ka në botë” dhe “Këngët e Drinit të Bardhë”. Kosova me tragjedinë dhe dramat e saj erdhi te unë, te brezi im për herë të parë e shkruar, jo llafe odash po poezi shpirti plot dashuri, urtësi, vërtetësi emocionale, këmbanë kushtrimesh, klithmë që çante qiellin, që thante drurin e gurin. Për herë të parë. Kosova ishte krejt e panjohur për shkollarët në Shqipëri. Si student lexova romanin e tij madhështor “Dritëhijet e një qyteti”, një poemë dashurie për Gjakovën nën pushtimin serb para Luftes II Botërore.
Asokohe pata fat të njihem edhe fizikisht në Tiranë me shkrimtarin. Njoha edhe disa autorë të tjerë kosovarë, të larguar ilegalisht nga Kosova, për të cilët emocionohem kur i kujtoj. Mendoj se i desha dhe më donin. Nuk dija se i ndiqte kush, po për fat të keq ishin përgjuar, spiunuar e denoncuar. Ky është një kapitull i dhimbshëm, ende i pandriçuar sa duhet.
Është fakt përndjekja titiste ndaj shkrimtarit Agim Gjakova, të deportuar në Shqipëri, në fillim të viteve ‘60, por është gjithashtu fakt i provuar dhe përndjekja enveriste. 1200 faqet e dosjes së tij, tashmë të marra ligjërisht nga Autoriteti Shtetëror i Dosjeve ndodhen edhe në duart e tij. Agimi ka zgjedhur të mos e publikojë dosjen e tij. Mendoj se kjo i bën nder atij. Dikush tjetër do të kish bërtitur në kupë të qiellit. Ai ka ruajtur të mos cënojë imazhin e miqve të tij, një pjesë edhe krijues të dëshmuar që dalin me përgjime ndaj Agimit. Duhet ta përgëzojmë, jo ta fshikullojmë pa të drejtë.
Në vitin 1983, e takova në Kukës në prani të shkrimtarit Ferhat Cakaj. Sapo ishte botuar libri “Titistët” i Enver Hoxhës. I thashë: – Sa i poshtër e antishqiptar, Dushan Mugosha, po të paktën kemi një qëndrim pozitiv nga Miladin Popoviqi.
-Miladini ka qenë ma i poshtër, më tha Agimi. Popoviqin e ka vra axha jem, Haki Taha.
U habita, pashë nga Ferhati që tha:
-Po Izet, kështu është.
Kjo ishte shumë e rëndë të thuhej asokohe. Dyert e burgut ishin kaq pranë meje. Nuk dija si të mbrohesha.
-Nuk e di Agim, thashë vetëm ato që ka shkruar shoku Enver.
Nuk po zgjatem…
Disa ruajnë qëndrimin e Enverit ndaj Miladinit dhe vrasjes së tij. Irritohen nga mundësia që ai të jetë vrarë nga Haki Taha.
Le të habitet kush të dojë!
Nëse Hakiu nuk ishte autor, cila është arsyeja e ekzekutimit pa gjyq në malin e Dajtit, të vëllait të Hakiut që punonte si nëpunës në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë?? A mund të përgjigjet ndonjë historian në Kosovë? Ky fakt monstruoz doli në dritë gjatë procesit gjyqësor ndaj Koçi Xoxes.
Marrë nga Izet Duraku, 1 shtator 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit