Pak fjalë për të mirin Gjokë Bujaj, mikun e shpisë tonë – nga Marjana Naçaj

Gazeta

Marjana & Zef Naçaj
Marjana & Zef Naçaj
Pak fjalë për të mirin Gjokë Bujaj, mikun e shpisë tonë
nga Marjana Naçaj

Në ditën e funeralit të Gjokë Bujës, du me cekë diçka nga libri i Zef Naçajt, “Forca e Kelmendit” qe u botue në 100 vjetorin e lindjes së Nikoll Merrnaçajt.
“Miku jem Gjokë Bujaj, – shkruan Zefi, – vuejti 8 vjet në burgjet e egra të diktaturës komuniste. Mbasi ju luta të më tregonte diçka për jetën e tij dhe si e kishte njoftë ai Nikollë Merrnaçajn, ai më falnderoi dhe me knaqsi pranoi, por ai me propozoi që të tregonte në fillim për lexusin për historinë famëkeqe të agjentit te sigurimit Ahmet Nika.
Ahmet Nika kishte hartue nji listë me emnat e burrave ma në zà të Kelmendit dhe me listën e firmosun e të vulosun në dorë, shkonte në shpijat e personave që kishin emnin aty, ju thonte se: “do t’pushkatoheshin ose dënoheshin me burgim ose do t’internoheshin…!!!”
Ahmet Nika i jepte gjoja këshillë n si njiri i besueshëm se ma mirë asht me ikë në Jugosllavi dhe se edhe ai donte me ikë me ta..
Nga kjo loje e ndytë, shumë malësorë u larguen mbrenda nji nate në Jugosllavi, mbas Luftës së Tamarës…
N’ate grup iku edhe Mark Martin Preçi (Bujaj), baba i Gjokës.
Mbas kësaj ndodhie, shpia e Gjokës bastiset e ju merret plotësisht nga shteti dhe aty vendoset nji repart ushtarak…
Mullinin dhe dinamon që e kishin n’ate kohë për prodhim të energjisë elektrike jua shkatërrojnë…
Fillon kalvari i vuejtjeve per familjen e Mark Martinit, i cili kishte mbetë jetim krejt i vogël, se baba i tij Martin Preçi, gjyshi i Gjokës, u vra në luftë me turqit në Rapshë të Hotit, ndërsa vëllau i gjyshit, Pjetër Preçi kishte ra heroikisht në luftë me shkjaun në Qafën e Metohisë.
Kur Gjoka ishte 5 vjeç, i nisën në kambë drejt Shkodrës dhe pritën atje derisa u banë bashkë tanë familjet e të arratisunve nën drejtimin e Ahmet Nikës…
I nisën mandej në kalanë e Beratit dhe prej aty në kampin e Tepelenës, në kushte edhe ma të veshtira se ato në kalanë e Beratit..
Aty nana e Gjokës, Pula, e bija e Ndue Gjon Rapukës prej Vukli, sëmuret me tifon dhe kurohet për disa javë në spital në Gjirokastër e ma vonë filloi me e marrë paksa vedin…
Në atë kohë që nana ishte sëmurë, për fëmijët kujdesej nusja e axhës dhe nusja e kushrinit, Pjetër Zefi – Preçaj.
Në vitin 1950, baba i Gjokës që ishte në Jugosllavi, sëmuret dhe vdes mbas nji operacioni të vështirë në Titograd, (Podgoricë).
Bashkë me babën ju vdiq edhe shpresa…
Mbas disa muejve që vdiq baba, familjes i erdhi lirimi, por shpia ishte ba repart ushtarak, e nana, Pula shkoi me fëmijët te dajat e tyne në Vukël…
Mbas disa kohëve nana tentoi me fillue jetesën në shpinë e tyne në Selcë, ku ç’do gja duhej fillue nga e para..
Kur Gjoka ishte 18 vjeç, nana mezi priste ta martonte dhe në vitin 1965, kunorzoi martesën me bashkëshorten e tij Katrinën, nji grue zonjë e derës së madhe të GjoVatajve.
Në vitin 1967, me “vullnetin e seljanëve” u krijue kooperativa bujqësore dhe për 16 ditë rresht asnji kryefamiljar nuk pranonte me firmosë me hy në kooperativë..
Edhe në kët kohë Gjokën nuk e linin rehat me provokime nga spiunët e sigurimit ..
Ishte koha kur u prishëm me të ashtuquejtunit “vllezërit kinezë” e nuk mbetej tjetër veç të këndohej kanga “Enver Hoxha e mprehu shpatën edhe një herë për situatën!”
Kështu që me 24 janar 1975, Gjoka arrestohet si armik i partisë dhe pushtetit popullor…
Akuza ma qesharake ishte kur u akuzue se kishte takue babën, Mark Martinin, te cilin nuk e kishte pa që kur ishte 5 vjeç.
Hetuesi i tij e kërcënonte se do t’shkruente ça donte, po Gjoka i thonte se: “Nuk kam çka me dëshmue…!”
Hetimi i tij zgjati 5 muej.
Akuza e parë për takimin me babën dhe axhën ra poshtë mbasi kjo gjà ishte qesharake për shkak të moshës së Gjokës dhe atëhere ndërruen muzikë dhe u akuzue për agjitacion e propagandë dhe u dënue me 8 vjet heqje lirie, edhe pse nuk u pranue asnji akuzë prej tij!
Vuejtjen e dënimit e bani në burgun e Spaçit, për dy vjet, ku gjeti nja 2000 burra e mjaft prej tyne ishin kelmendas si Ndue Luce Bajraktari, nga Vukli, Fran Llesh Tinaj, Fran Sokoli, nga Vermoshi, Mark Gjekë Mali – Tinaj, u biri i Gjeke Selcës.
Mbas dy viteve e çojnë në burgun e Spaçit, ku ishin 1200 burra dhe aty kishte të burgosun nga Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, etj.
Aty ishte Dom Mikel Koliqi, Dom Mark Hasi, Dom Frano Illia, Dom Nikollë Trashani, Patër Gjergj Gjela, Dom Leon Kabashi, Dom Ndoc Sahatçia e plot të tjerë. N’atë kohë regjimi komunist me pretekstin kundër fesë e zakoneve prapanike u lëshue si nji bishë ndaj kishës e klerit katolik e me qindra priftërinj e meshtarë u vranë e u burgosën dhe të gjithë institucionet fetare u shkatërruan ose u shpërfytyruan..
Mbasi kaluen dy muaj në burgun e Ballshit, aty erdhën banorë të rinj, ndër ta edhe Nikollë Merrnaçaj, të cilit kur mori vesh për Gjokën i shkuen lotët e kishte thanë: Si more, djalin e dishirit, e pa i ba kujt gjà, me e burgosë…
Gjatë qëndrimit në burg, spiunllëku ishte i pranishëm dhe mjaft prej të burgosunve sigurimi arrinte t’i kthente ne shërbim të tij, por jo, Gjokë Mark Bujaj s’ishte i tillë…
Arriti të kryente dënimin pa pas asnjë faj dhe të kthehej krenar në fshatin e tij dhe në familjen e tij që aq shumë i mungoi, për 8 vjet..
Sot dita e funeralit përkon edhe me ditët e Purgatorit, e Shenjtëve e na i lutna Zotit për shpirtin e tij të mirë.
Me dhimbje i shkrova këto fjalë për të mirin Gjokë Bujaj, mikun e shpisë tonë.
Pusho në paqen e amshume, e paç dritën e pambarueme Gjokë; e familjes tande i paç lanë mirësinë e mbarësinë!
Kjoshin jetëgjatë të tanë sa janë e Zoti i forcoftë me përballue dhimbjen e njirit të dashtun!
Pushoni bashkë në lumninë e parrizit me Zef Naçaj, sepse ishit shokë edhe miq e do të mbeteni gjithmonë në mendjen e zemrat tona.
Marjana Naçaj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit