back to top
25.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Pafajësia e kryqëzuar, banaliteti dhe rënia e së keqes – nga Robert Martiko

Gazeta

Robert Martiko
Robert Martiko
Pafajësia e kryqëzuar, banaliteti dhe rënia e së keqes
nga Robert Martiko
rreth një poezie të zgjedhur të poetit Leon Lekaj

Poezia “Kur vritej pafajësia” e poetit në fjalë është një dëshmi e dhimbshme mbi padrejtësinë dhe vuajtjen e njeriut të pafajshëm përballë një sistemi të pamëshirshëm. Në qendër të saj është figura e të atit të burgosur padrejtësisht, që shkon të takojë në burg, një viktimë e kohërave që përfaqëson pafajësinë e sakrifikuar.
Poezia trajton një nga problemet më të lashta filozofike: “Si është e mundur që pafajësia të ndëshkohet?” Përmes fuqisë së penës së autorit, ajo shtron pyetjen etike mbi drejtësinë dhe fatin e individit të moralshëm në një botë ku sundon padrejtësia. Ky reflektim lidhet me filozofinë e Hannah Arendt, e cila flet për “banalitetin e së keqes” të lidhur me ndëshkimin e pafajësisë, që mund të bëhet një proces rutinë, i realizuar mekanikisht nga sistemi. Megjithatë, poezia sugjeron se ndonëse trupi është i burgosur, shpirti mbetet i lirë, i ndriçuar nga një kuptim më i lartë i jetës.
Një element i fortë simbolik në poezi është “mekanizmi i dhunës”, i mishëruar përmes “çelësave”, që shndërrohen në metaforë për pushtetin dhe burokracinë e shtypjes. Vargu “Njëmijë çelsa të bindun rënkuen” përshkruan një sistem ku robërimi është institucionalizuar dhe funksionon me automatizëm, pa shpirt. Në fund, ky mekanizëm kthen pafajësinë në një viktimë të zakonshme të historisë.
Gjithashtu poezia ka një theks të fortë biblik. “Në ballin e rraskapitun i lexohej një shprehje e Biblës/ Për ata që nuk dinë çka bajnë.” Kjo aludon për fjalët e Krishtit në kryq dhe lidhet me konceptin e “sakrificës”, ku individi i pafajshëm merr mbi vete fajet e një shoqërie të tërë. Ky aspekt teologjik thekson se ndëshkimi nuk është gjithmonë pasojë e fajit, por shpesh i një rendi absurd dhe mizor.
Përfundimisht, mund të thuhet se poezia është një reflektim i thellë mbi padrejtësinë, dhimbjen dhe absurditetin e ekzistencës në kushte shtypjeje. Matanë dëshmisë personale të autorit, ajo ngrihet në nivelin e një elegjie universale për pafajësinë e mohuar. Përmes gjuhës poetike dhe fuqisë së imazheve, na fton të reflektojmë mbi drejtësinë, fatin dhe lirinë në një botë ku shpesh triumfon e keqja, pa shmangur kurrë atë fenomenin e çuditshëm, pothuajse misterioz, të “Heterogonisë së Qëllimeve”. Historia ka dëshmuar se qindra mbretëri dhe perandori kanë rënë pa e kuptuar, duke u përthithur pafundësisht në rrjedhën e kohës.
E njëjta gjë ndodhi edhe me sistemin komunist, një shembje që lejoi rivendosjen e ekuilibrave dhe krijoi një ndarje të thellë, një humnerë biblike mes botës së vlerave, lirisë dhe moralit dhe asaj të errët, të banalitetit të së keqes, që, megjithatë, vijon të mbijetojë në forma të ndryshme edhe në ditët e sotme.

Leon Lekaj
Leon Lekaj
Kur vritej pafajësia – nga Leon Lekaj
(Për ditën e parë të takimit të tim ati në burgun e Ballshit)

Njëmijë çelsa të bindun rënkuen.
Deri sa u hap edhe porta e fundit.
Në ajrin që vërshoi si i marrë
Im atë u mor me buzëqeshjen e harrueme
Me flokët e premë shkurt
Me xhaketën e vjetër, që mbante krahëve
E me shpinën e krrusun
Nga pesha e fajeve
Që nuk i pat ba kurrë.
Në ballin e rraskapitun i lexohej një shprehje e biblës
Për ata që nuk dinë çka bajnë.

Ma prunë, pastaj ma morën tim atë.
Në sytë e mi u shtrëngue grushti i kockave
Dhe lotët që s’i derdhi asnjiherë

Unë mbeta pas hekurave primitiv
Me ndigjue kangën e njëmijë çilsave
Kur të burgosej pafajësia.

Marrë nga Muri i FB, Robert Martiko, 31 mars 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.