back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Pa njohur të kaluarën, nuk mund të projektosh të ardhmen (Në kujtim të Imzot Zef Skanës) – nga Nikollë Loka

Gazeta

 

Nikollë Loka
Nikollë Loka
Pa njohur të kaluarën, nuk mund të projektosh të ardhmen
Në kujtim të Imzot Zef Skanës
nga Nikollë Loka

Imzot Zef Skana ka lindur me 6 maj 1889 në fshatin Mashtërkorë të Oroshit, në një familje të njohur. Babai i tij, Çup Kolë Skana, ka qenë burrë i përmendur për pleqërim në bazë të kanunit dhe një nga njerëzit, me të cilin u konsultua Shjefën Gjeçovi për mbledhjen dhe evidentimin e normave të Kanunit. Traditën e vet familjare kjo familje e ka transmetuar ndër breza, duke u dalluar për mënyrën e jetesës, mençurinë dhe vizionin për të ecur përpara.
Si për të dëshmuar lidhjet e pashkëputura ndër Skanaj me fenë, ka ardhur ndër breza gojëdhëna se prej këtij fisi kanë qenë edhe tre klerikë të tjerë: Prengë, Dodë dhe Martin Skanda, ndërsa pas Dom Zefit edhe dy të tjerë, murgesha mbesë e tij, Dava e Bib Çup Skanës dhe xhakue Nikoll Dedë Skana.
Zefi vazhdoi shkollën shqipe të Oroshit (1899) dhe me kujdesin e Abat Prend Doçit, në vitin 1900, dërgohet në Seminarin Papnor në Shkodër, ku i filloi mësimet me 14 tetor të vitit 1900 dhe pasi mbaroi studimet e mesme pranë këtij seminari me rezultate shumë të larta, dërgohet për studime të larta në Kolegjin e Kongregacionit të Propagandës së Fesë në Romë, të cilin e mbaron në vitin 1912 me rezultate të larta. Një vit më vonë doktoroi në filozofi.

Dom Zef Skana (1889-1943)
Dom Zef Skana (1889-1943

Abat Doçi e emëroi Dom Zef Skanën fillimisht si ndihmësfamullitar dhe në vitin 1914, e emëroi Kapelan të Abacisë së Mirditës, ku qëndroi për pak kohë, pasi emërohet famullitar i Kaçinarit. Dom Zefi iu përkushtua përmirësimit të objekteve kishtare dhe shtimit të pronave të Kishës, në mënyrë që kisha dhe kleri ta kryenin normalisht rolin e tyre. Në rregjistrat që bëjnë fjalë për dëshmi pronësie, vetëm në Kaçinar janë gjetur 19 të tilla me firmën e tij për periudhën 1917-1924, ku bëhet fjalë për toka, zabele, mullinj, bagëti etj, që famullitari i bleu për kishën ose i qenë dhuruar nga besimtarët.
Në vitin 1924, Dom Zef Skana kalon në famullinë e Fanit në vend të Dom Prend Brungës nga Shtufi i Kaçinarit, me të cilin ndërrojnë vendet. Në dokumentet e kishës së Fanit, me firmën e Dom Zefit ka ardhur deri më sot vetëm rregjistri i pagëzimeve, ku bie në sy një kaligrafi e bukur, që e tregon një person të rëndësishëm Dom Zef Skana duke qenë famullitari i Fanit, më të madhes në Abaci, qe emëruar Vikar i Vikariatit të që përfshiu famullitë e Oroshit, Fanit, Domgjonit, Blinishtit, Kalivares, Qafës së Malit etj. Vikari tjetër ishte Dom Ndre Simoni, famullitar në Kashnjet. Veprat e Dom Zef Skanës në famullinë e Fanit janë: rindërtimi i kishës famullitare të Shën Markut, me kapacitet prej 500 vendesh. Një pjesë e shpenzimeve i përballoi Selia e Shenjtë, ndërsa të tjerat i mblodhi vetë Dom Zefi si kontribute të besimtarëve. Nën përkujdesjen e tij u ndërtuan disa kisha në Fanë: Kisha e Shmarramejt në Domgjon, e Shën Gjonit në Sang dhe e Shën Kollit në Srriqe. Dom Zefi rregulloi edhe problemin e varrezave të fshatrave të Fanit, ku secili fshat të kishte vorret e tij.U çelën varreza në Katundin e Vjetër për Konajt; në Valë për Shëngjinin; Kodër të Xhuxhës për Zall-Xhuxhën dhe Sholthin; Plep të Xhuxhës për Bizhzën, Dardhazin, Lashtën dhe Larin; Sang për Sangun dhe Thirrën; Srriqe për Srriqen dhe Arat e Mira.
Ndonëse nuk u angazhua në studime, në komunikimin zyrtar i drejtohen me titullin shkencor Dr. Dom Zef Skana. Punimi shkencor i publikuar prej tij në revistën “Leka” (1936), me titull “Onomastika e Mirditës” është i pari i këtij lloj për Mirditën. Ky punim paraqet interes shkencor. Nga 236 mbiemrat më të përdorshëm në Mirditën e asaj kohe, nuk është vështirë të gjesh dhe mbiemra të vjetër, nga ata që në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar përdoreshin mjaft.
Si njeri i kulturës, Zefi ka qëndruar pranë shkollës. Mësuesit që vinin nga Shkodra, kanë banuar në qelën e tij. Dom Zefi jepte lëndën e besimit dhe në mungesë të mësuesit, për një periudhë të një viti shkollor ka shërbyer edhe si mësues. Ngjitur me shkollën, Dom Zefi krijoi mundësinë që të hapet një dyqan tregëtie që do t’i shërbente zonës. Me këmbënguljen e tij, ka qëndruar në Fanë një punonjës shëndetësie nga Elbasani, që kishte banuar në qelën e tij.
Dom Zef Skana, si bir i njëfamilje të njohur, mori pjesë aktive në rregullimin e punëve dhe pajtimet në Mirditë. Në vitin 1915, përfaqësoi Mirditën në një mbledhje të të gjithë krerëve të Veriut, ku u diskutua për organizimin e luftës kundër ushtrisë së shkatërruar serbe që do të kalonte në veriun e vendit, në përpjekje për të kapur portet, për t’u larguar. Por, me këmbënguljen e Ahmet Zogut, kjo nismë që u propozua nga Dom Zef Skana qe sabotuar.
Në vitin 1921, ai ishte bashkë me klerikët e tjerë në një peticion drejtuar Lidhjes së Kombeve, ku dënonte çdo akt separatist dhe kërkohej integrimi me dinjitet i Mirditës në shtetin shqiptar. Dom Zef Skana ishte përfaqësuesi kryesor i klerit në Mirditë që u angazhua në ndihmë të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në Arkivin e Shtetit ka një letërkëmbim të dendur me At Ambroz Marlaskajn, deputet dhe drejtues i opozitës së atëhershme, si dhe me klerikë e krerë të njohur në Mirditë, të cilët kishin organizuar ilegalisht forcat që në rast nevoje t’u bashkangjiteshin forcave të Rexhep Shalës dhe të Bajram Currit, që vepronin në veri.
Në vitin 1928, Imzot Zef Skana është sekretar i mbledhjes që Nënprefektura e Mirditës bëri me zyrtarët shtetëror dhe krerët kanunorë me në krye Kapidan Gjon Marka Gjonin për pajtimin e gjaqeve. Pozicionin e sekretarit e pati dhe në një kuvend tjetër të mbajtur në vitin 1937.
Për të gjitha këto vepra të shkëlqyera në shërbim të njerëzve dhe fesë, Ati i Shenjtë, me 15 prill të vitit 1938 i dha Dom Zefi Skanës titullin “Monsinjor”(në shqip Imzot), me të cilin u njoh në të gjitha komunikimet zyrtare.
Imzot Zef Skana bëri një jetë shumë aktive në shërbim të besimtarëve. Edhe një muaj para se të kalonte në mënyrë të papritur në amshim, Dom Zefi iu bashkua një grupi të misionarëve jezuitë që kishin ardhur në Mirditë për pajtimin e gjaqeve. Ai nuk e ndërpreu punën dhe veprimtarinë e tij deri në momentet e fundit të jetës, edhe pse vitet e fundit kishte pasur probleme me shëndetin. Në verën e vitit 1942, kishte qëndruar për kurim në llixhat e Elbasanit. Shëndeti i tij nisi të përkeqësohet në dimrin e viteve 1942-1943 dhe kaloi në amshim me 30 mars 1943.
Imzot Zef Skana ishte njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të klerit katolik që shërbeu në Mirditë gjatë shekullit të kaluar. Duke vlerësuar veprën e tij si klerik, misionar i pajtimit dhe i zhvillimit të Mirditës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i akordoi me 15 nëntor 2016, me dekretin 9850, Imzot Zef Skanës dekoratën e lartë “Nënë Tereza”.
Vendosja e emrit të një rruge në Rrëshen, qendrën administrative të Bashkisë Mirditë është nderimi që vetë mirditorët dhe autoritetet vendore i kanë bërë këtij kleriku të nderuar. Imzot Zef Skana do të jetë përjetësisht në Rrëshen, qendrën administrative të Bashkisë Mirditë; në Mirditën e zhvillimeve progresive shoqërore që vështron nga e ardhmja.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.