
Origjina ime është nga Jugu… po ndjehem verior si…
refleksion nga Saimir Kadiu
Me shkruan dikush në messenger: “Kam venë re më thotë se në postimet e herëpashershme shkruan për figura kryesisht të Veriut, Shkodrës, rrethinave të saj apo Malësisë, dhe në me të shumtin katolike, sikur vetëm ata kanë kontribute për Shqipërinë. Për më tepër ju nuk jeni as nga Veriu dhe as katolik”
U mundova t’i jap një përgjigje shteruese… që ndjehem shqiptar dhe nuk kam kompleks të shkruaj për personalitete të Veriut apo Jugut… Për mua Kombi shqiptar është një… edhe natyrisht edhe më i madh se nocioni “Shqipëria londineze”
“Miku” nuk iu mbush mendja dhe filloi të më përmënde emra të pjesëve të tjera të Shqipërisë për të me “sfiduar”
Atëhere mendova që mendimin tim ta postoj, duke kërkuar edhe komentet tuaja. Por asnjëherë duke nënvlerësuar kontributin e njerzve të shquar të kombit shqiptar në tërësinë e tij.

Jam objektiv, origjina ime është nga Jugu i Shqipërisë, përtej kufijve të “Shqipërisë londineze”, por djali im i vogël ka jo pak gjak nga Shkodra dhe zonat përreth…
Ndjehem verior si Lekë Dukagjini, Dom Nikollë Kaçorri, At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, Vaso Pasha, Prek Cali, Pjetër Bogdani, Marin Barleti, Dedë Gjon Luli, Gjon Marka Gjoni, Mirash Ivanaj, Vinçenc Prennushi, Pjetër Meshkalla, Ernest Koliqi, Mikel Koliqi, At Zef Pllumi, At Troshani, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Abat Preng Doci, Kol Bib Mirakaj, Lazër Shantoja, Arshi Pipa…
Më pëlqen të dëgjoj muzikën e mjeshtrave të tillë si Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tish Daia, Avni Mula, Prenk Jakova, Paulin Pali, Tonin Harapi, Simon Gjoni.
Jam i magjepsuar nga klasi i artistëve të tillë si: Lukë Kaçaj, Tano Banushi, Rikard Ljarja, Roza Xhuxha – Anagnosti, Tinka Kurti, Edi Luarasi, Ndrek Luca, Ibrahim Tukici, Melushe Bebeziqi, Pjetër Gjoka, Marie Kraja, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Tonin Tërshana, Tonin Guraziu, Justina Aliaj, Zef Deda, Inva Mula, Genc Tukiçi..
Arti shqiptar do të ishte i “varfër” pa emrat e Kolë Idromenos, Ndoc Martinit, Zef Kolombit, Simon Rrotës, Lin Delisë, Andrea Kushit, Jakup Kerajt, Edi Hilës, Danish Jukniut…
Adhuroj yjet e sportit si Loro Boriçi, Pal Mirashi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Paulin Ndoja, Mark Kroqi, Renato Radoja, Hysni Bebeziqi, Izmir Smajlaj…
E kush nuk është mrekulluar kur ka lexuar veprat e “qëndisura” nga Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Migjeni, Martin Camaj, Frederik Reshpja…
Ndjehem krenar për familjet e mëdha të Veriut si Bushatllinjtë…
Dhe akoma më tej i jemi borxh shkencëtareve, ndërtuesve, mjekëve dhe profesionistëve të tjerë që kanë shkruar emrin me germa të arta në historinë e Shqipërisë si Frederik Shiroka, Selaudin Bekteshi, Luigj Benussi, Anton Ashta, Ilir Gjylbegu, Ramadan Sokoli, Gjovalin dhe Egon Gjadri, Anton Lufi, Willi Kamsi, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi. Françeskanët e mëdhenj e shumë të tjerë…
Veriu nuk e ka shitur asnjëherë Shqipërinë…
Kjo duhet shkruar në të gjitha tekstet e historisë sonë.
Romeo Gurakuqi
Punët erdhën ashtu që e gjithë puna e bame nga Rilindësit dhe shtetformuesit, sidomos në vitet 1928-1944, për bashkimin e shqiptarëve, të rrënohet brenda një nate në ag të mbërritjes së komunistëeve. 1991-shat rrahagjokës mbrapa, nuk banë asgja për ta rikapë fillim e këputur, por i lanë vektorët e çliruem, me u kapë nga nuk do të duhej. Ndërkohë, me Restaurimin e vitit 2013 në pah dolën pinjollët e çakorduem të familjeve që e përçanë vendin nga 1945 deri në 1990, ma të egër se kurrë: Pushtetin vetëm për ata dhe katundarët e origjinës së gjyshave, paranë me çdo mënxyrë me e nxjerrë prej gjithkujt, korrupsionin dhe dhunën përjashtuese, nga e cila sot kemi një Shqipni asimetrike, në të gjitha pikëpamjet, që prodhon “intelektualë” të atillë që xhelozohen kur ti përmend ajkën e një shoqërie Gege që janë mësue me dashtë që në djep njëlloj si Gegën dhe Toskën.