back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 19 Maj, 2026

Origjina e emrit Myzeqe

Gazeta

Fusha e Myzeqesë
Fusha e Myzeqesë
Origjina e emrit Myzeqe

Myzeqeja ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve dhe studiuesve të huaj. Në përshkrimin që i kanë bërë ngjarjeve dhe vetë kësaj treve, e kanë quajtur me emra të ndryshëm por në të shumtën e rasteve dominon emri “Myzeqe”.
Në vitin 620 para krishtit 200 – kolonë (fshatarë grek) me në krye të dëbuarin Gylak, të ardhur nga tre fshatra greke, u lejuan të futeshin në Apoloninë ilire. Këta kolonë fshatarë u përpoqën që fushës së bukur të Myzeqesë t’i jepnin emrin e Gylakut. Ata e quajtën Gylakion Pedion (Fusha e Gylakut).
Herodoti (484-425 p. Kr) e quan fushën e Myzeqesë si Fusha e Apolonisë
Autorja bizantine, Ana Komnena në shekullin e XII, e quante Myzeqenë fushë ilirike. Përcaktimi i fushës “Ilirike” është një dëshmi shumë interesante. Ky përcaktim (ilirike) tregon se kjo trevë deri në këtë kohë ruan vazhdimësinë e etnisë ilirë jo vetëm si popull, por dhe si emërtim, kur pjesë të tjera të vendit kishin kaluar nën emërtimin “Arbëri” apo Principata e Arbërit.
Madje, me emërtimin etnik “Ilire”, e quan Myzeqenë dhe albanologu i shquar, Johan Georg Von Han. Duke folur për këtë krahinë, Hani thekson se Myzeqeja është fusha e Ilirisë jugore dhe e quan atë, një Lombardi të egër.
Një dokument venedikas i vitit 1412, përmend“ kështjella e Pirgut të Myzeqesë” (castrum Pirgi de Musachia). Ky dokument, jo vetëm na dokumenton emrin “Myzeqe”, por na dëshmon se në Pirg ka patur kështjellë.
Milan Shuflai emrin “Musachia” e lidhte me familjen princërore Muzakaj, të cilët ishin zotër të kësaj krahine.

Myzeqeja
Myzeqeja

Një informacion mbi emrin “Myzeqeja” na vjen dhe nga një dokument raguzian. Kështu ky dokument i vitit 1417, përmend “Via de Musachia” Në mesjetë Myzeqeja quhej “Savra”. Këtë e pohon Barleti, kur flet për betejën midis Karl Topisë dhe Balshës II e quan fushën “planicies saura” afër Beratit.
Por një dokument Venedikas i vitit 1570 përputh emrin “Savra” me emrin “Musachia”, ku shkruhet: “spatiose pianuredella Savra la quale in un altro nome si dice Musachia!”
Një mendim për emrin e Myzeqesë na vjen dhe nga Gjon Muzaka. Ky princ në kronikën e shtëpisë Muzaka shkruar në Itali më 1510, shkruan: “Myzeqeja në kohët e vjetra banohej nga popujt Molosë, nga ku u quajt Molosia, dhe meqenëse ne kemi qenë gjithnjë zot të këtij vendi, morëm mbiemrin Molosaku, por fjala Molosia u deformua dhe u bë Myzeqe, që në shqip thuhet Muzakiti” Zef Jubani hedh mendimin se emri Myzeqe vjen nga emri “Muzika”. Ai shkruan: “nuk ka dyshim, pra se shqiptarët, në përgjithësi janë të pajisur me ndjenjën e muzës dhe të melodisë.”
Filozofët tanë të vjetër zbuluan praninë e saj dhe prandaj i kushtuan perëndisë së muzikës qytetin e Pojanit, tash i rrënuar mbi brigjet e Adriatikut, dhe e ngritën për të qenë si mësim dhe si model për kombin e vet dhe për popujt e huaj. Banorët e atyre vendeve mbajnë ende me vete emrin myzeqar, që don me thanë, njerëz të prirun kah muzika, të cilët i përgjigjen edhe sot me fakte këtij atributi tradicional. Kur shpirti i tyre tronditet nga misticizmi i muzës, shihen si të dehun e të lëkundur deri në ekstazë dhe, atëherë, shihet çasti në të cilën improvizojnë kangë simbas shijes kombëtare, me koncepte të madhnueshme dhe të jashtëzakonshme, tue ua përshtat melodinë e ambël dhe prekëse në mënyrë origjinale. Në këtë pikëpamje, kangët e Shqipnisë së mesme ose ato të Myzeqesë, janë më të mirat dhe ma të kërkuemet e këtij kombi”.
Kurse Eduard Lir e quan fushën e Myzeqesë, fusha e Apolonisë. Ai më 17 tetor 1848, ndaloi në Manastirin e Ardenicës. Eduart Lir ishte poet dhe piktor anglez. Për Ardenicën, nusen e bukur të Myzeqesë, ai shkroi: “Ardenica ishte vërtet e mrekullueshme… prej andej dukej gjithë bota. Në veri humbisnin në mjegull malet e Shkodrës, Krujës e Tiranës. Në lindje, fare pranë, ngrihej hijerëndë Tomori. Në jug shtrihej fusha e Apolonisë e valëzuar nga kodra të buta e ndërsa në perëndim shkëlqen deti”.
Ndërsa sipas albanologut rumun Nikolla Jorga, emri Myzeqe vjen vjen nga fjala muzg.
Mendimi im është se emrat “muzak” dhe “Myzeqe” e kanë marrë emrin nga epiteti i Apolonit. Apoloni identifikohej si perëndi e dritës, poezisë, muzikës dhe gojëtarisë. Si perëndi e poezisë, Apoloni drejtonte mbledhjet e muzave. Për këtë arsye, ai (Apoloni) mori (mbante, thirrej) me epitetin Muzaket-i.
Për kujtesë, në botë njihen mbi 30 qytete antike me emrin Apoloni, por më e madhja, më e bukura dhe e para është Apolonia jonë.
Myzeqari ecën në rrugën e tij të jetës, pa u ndeshur me të tjerët. Përvoja e ka mësuar t’u shmanget përplasjeve. Nga jeta e myzeqarit ka dalë dhe shprehja “hiq shkopin zvarrë dhe mos bëj vijë”. Ai e di mirë, se kur duhet të goditet stralli me hekur që të ndizet zjarri.
https://orikuminews.com/2018/08/myzeqeja-historia-emri-dhe-njerezit-e-saj/
Marrë nga Krutje, Lushnje

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.