back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Olluri në italisht, një zë autentik kosovar nga Argjenda Selmani

Gazeta

La fiera dei sogni - tregime nga Adil Olluri
La fiera dei sogni – tregime nga Adil Olluri

Olluri në italisht, një zë autentik kosovar

nga Argjenda Selmani

Libri me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”,
i shkrimtarit nga Kosova Adil Olluri,
tani është edhe në duart e lexuesve italianë.
Vepra është përkthyer e plotë në italisht nga Iris Hajdari
dhe është pritur mirë edhe nga kritika e atjeshme.
Për librin atje kanë shkruar edhe gazetat
“Corriere della Serra”, “La Republica” dhe “Il manifesto”.

Autori Adil Olluri
Autori Adil Olluri

Siç tregon për Gazetën Zëri shkrimtari Olluri, krijimtaria e tij ka nisur t’i kapërcejë kufijtë e shqipes qysh para tri vitesh.
“Përkthimi që më ka dhënë shumë vullnet është përkthimi i parë, që u bë në gjuhën çeke në vitin 2013. Tregimi “Kthimi i babait”, u përkthye nga albanologu Martin Surovcak dhe ky përkthim më ka hapur shumë rrugë dhe horizonte të mira, sepse pastaj ky tregim u përkthye në gjuhën angleze, gjermane, sllovene, bullgare, rome dhe gjuhën esperanto. Ky është tregimi im më i përkthyer”, tregon Olluri.
Një recension për librin “Shumë rrugë dhe një rënie” është shkruar edhe nga kritikja italiane, Serena Adesso, e cila librin e cilëson si zë kosovar që sjell në gjuhën italiane temën e luftës së Kosovës, të parë nga një kënd humanist dhe kështu në përgjithësi tregimet e Ollurit i konsideron si apel për paqe.
Duket të këtë qenë vërtet tema e luftës dhe perspektiva humaniste e tregimeve ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e kritikës dhe lexuesit. Rrëfimi i ftohët humanist, e jo ai nacionalist. E në mesin e këtyre tregimeve plot ndjeshmëri, në këtë frymë është edhe tregimi “Kthimi i babait”.
Tregimi ‘Kthimi i babait’, i përkthyer në disa gjuhë botërore, është vlerësuar për sensibiletetin dhe emocionalitetin që e bart rrëfimi i tij. Është vlerësuar për personalizimin e ligjërimit, sa që edhe në Kosovë, por edhe jashtë vendit, më kanë pyetur ‘A ju ka ndodhur juve kjo ngjarje’? Është një tregim, i shkruar në fund të viti 2012, të cilin vazhdoj ta dua sikurse në javën e parë të shkrimit të tij…”, thotë Olluri, teksa flet për këtë tregim.
Edhe në qarqet kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë, libri i Ollurit është pritur mjaft mirë dhe ka marrë vëmendjen e kritikës. Ai konsideron se edhe përgjithësisht, kritika e letërsisë shqipe ka një traditë dhe është e zhvilluar.
“Kritika letrare e Kosovës e ka një traditë. Ajo është konsoliduar shekullin e kaluar dhe ka emra të rëndësishëm të kritikës dhe studimeve. Nuk mundemi të ankohemi që nuk ka pasur zhvillim të kritikës. Edhe sot ka recensione e studime, madje shpesh herë ka më shumë botime të kritikës sesa letërsi të mirëfilltë. Kjo kritikë ka avancuar në interpretime, në metodologji, terminologji dhe mënyrat e vrojtimit të letërsisë”, thotë Olluri. Ndërsa kur pyetet se a konsideron se kjo kritikë ka arritur qëllimin që ta afrojë librin me lexuesin, ai thotë se tranzicioni nëpër të cilin kjo shoqëri ka kaluar ka bërë që ky qëllim mos të arrihet.
“Ne jetojmë në një shoqëri që nuk beson shumë në vlera dhe kjo është faza më e keqe e ekzistimit të shoqërisë. Shoqëria në Kosovë pas lufte ka pasur një lloj tranzicioni dhe nuk ka besuar shumë në vlera të epërme, ka qenë fazë ekzistenciale dhe sado që ka shkruar kritika mirë ose keq për një libër nuk ka arritur të ndikojë shumë në afrimin e librit te masa. Unë besoj që shoqëritë që luftojnë për ekzistencë kanë mosbesim ndaj çdo gjëje, ndaj politikës, institucioneve të kulturës e ndaj artit. Prandaj nuk mund t’i kërkojmë llogari kritikës”, – thotë Olluri.
I pyetur se sa ka gjasë letërsia shqipe të ndikohet nga debati aktual për ndasitë Shqipëri – Kosovë, Olluri konsideron se ajo është e paprekshme nga kjo tentativë për ndarje, sepse letërsia shqipe është një.
“Letërsia shqipe është një. S’duhet të diskutohet, sepse ne shkruajmë shqip dhe ata shkruajnë shqip. Ne e lexojmë Agron Tufën, Ridvan Dibrën, sikur shkrimtarët tanë dhe ata më lexojnë mua. Unë nuk jam për këtë lloj parcializimi të letërsisë. Ne i lexojmë edhe shkrimtarët botërorë që përkthehen në shqip dhe duke qenë se jemi të hapur ndaj gjitha letërsive të ndryshme s’mund të jemi të mbyllur ndaj njerëzve që janë të së njëjtës etni. Unë konsideroj se këto janë tema koti sepse letërsia shqipe është një”, përfundon Olluri.
Marrë nga http://zeri.info/kultura/119525/olluri-ne-italisht, 2 Dhjetor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.