back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

O, unë e punoj, por drojë se nuk na vyen! parabol nga Sokol Demaku

Gazeta

Sokol Demaku ne Kosove
Sokol Demaku ne Kosove

O, unë e punoj,

por drojë se nuk na vyen!

parabol nga Sokol Demaku

E po kështu qenka, edhe me qenë më shumë dije nuk po bëjka. Po dilkan telashe, e qebesa edhe njerëzit nuk po të besojkan aq, se janë mësuar më shumë me të paditur, se me ata të cilët din apo mundohen me dijtë diçka.
Por çka të bësh, jeta është kësisoj dhe do të jetë edhe sa kohë njeriu do të jetë.
Por, por ndoshta mund të ndodhë që të këtë ndonjë ndryshim.
Nuk i dihet.
Por jo!
Nuk i dihet, edhe mund të ketë!
Kështu murmuriste në kokën e tij thuaj se përditë Mulla Rexha. Një njeri i mençur, njeri me njohuri të gjëra jo vetëm fetare, por edhe shkencore.
Qebesa po të futej në mesin e shumë shkencëtareve nuk beson kush se do ia kalonin.
Kalonte një jetë normale në fshat me dy bijtë e tij, të cilët edhe ata zinin në shkolla dhe mendonin se do ia arrijnë.
Por Mulla Rexha, ishte hoxhë, por jo edhe Imam në xhami, ai shkonte në xhami vetëm sa të lutej (falej), pra kryente obligimin fetar që kishte, por shumë punë i kryente në shtëpinë e vet, të cilën e kishte përgatitur enkas për këtë zeje.
Më shumë merrej me shërimin e sëmundjeve psiqike tek njerëzit. E kishte bërë profesion si të themi këtë lamì, prandaj edhe i shkonte për dore.
Por edhe punët e fshatarit nuk i lente pas, e ishte ndër bujqit më produktivë në fshat.
Si thoshin bashkfshatarët e tij, po edhe prapsht ta hedhi farën Mulla Rexha, do t’i bëhet bereqeti.
Kishte rregull edhe në oborrin e tij, çdo gjë ishte në vend të vet.
Kishte një shtëpi bashkohore ku i mundësonte atij edhe të bijve për punë normale dhe pa probleme.
Ai në hyrje të oborrit kishte ndërtuar një dhomë pune, ku priste te adhuruarit e tij, ata me të cilët ai merrej dhe u ndihmonte, po si të themi i shëronte nga problemet që kishin.
Këta ishin njerëz me probleme mendore, probleme psiqike, njerëz agresivë në jetë.
Mulla Rexha ishte ai i cili i qetësonte e, i kthente në jetën normale ata!
Qebesa, thonë se ka ba vaki që ia kanë sjellë njeriun lidhur me konop, por kur është ulë para Mulla Rexhës, të është mbushë mendja se nuk ishte ai njeriu të cilin e sollën në përcjellje.
Kishte një fuqi magjike me të cilën i ndihmonte njerëzit.
Ishte shumë bamirës! Edhe njerëzit nga krejt krahina e nderonin dhe kishte respekt.
Paj si hoxha ma!
Kuptohet i shkon përdore çka do e si do.
Dy të bijtë e tij ishin shkollarë.
Punonte pa ndërpre që edhe ata të ndiqnin rrugën e të jatit të tyre, të jenë njerëz me vlerë dhe të ditur.
Flitej se hoxha punonte me xhin (xhind-dreqër) dhe se kishte përkrahjen e tyre në punën e tij, kur kishte të bënte me raste të rënda të krizave nervore apo edhe shtresave të njerëzve, të moshave e gjinive të ndryshme.
Thuhet se këta e ndihmonin shumë hoxhën në këtë profesion.
Ata i sillnin informacione të freskëta nga terreni mbi jetën e personave në fjalë, kushtet e jetës dhe bëmat e tyre në jetë.
Këto shënime i shërbenin hoxhës për realizimin e punës së tij prej mjeku, psikologu, apo si doni ta quajmë.
Xhindet ishin në gjendje që për hoxhën edhe të flijoheshin sepse ata kishin krijuar një miqsi shumë të ngushtë mes vedi, dhe edhe ata ndiheshin shumë krenarë, se ishin krahu i djathtë i hoxhës në përkujdesin për ata të cilët kishin nevojë per ndihmën e tij.
Ishte praneverë, ishte koha e të mbjellave.
Në të katër anët bujqit kishin vërshuar fushat ku mbillej misri me të madhe. Ishte shumë kohë e përshtatshme. Të gjithë mendonin se do të ishte një verë e frytshme, një verë e begatë me bereqet atë vit.
Edhe Mulla Rexha kishte angazhuar punëtorë në mbjelljen e misrit.
Por të bijtë nuk kishin kohë ta ndihmonin, ata kishin punët e tyre në këndim e mësim.
Mbiu misri at vit si nuk bënte më mirë. Të gjithë ishin të kënaqur me punën që kishin bërë.
Edhe Hoxha kishte mbjellë dy hektarë me misër.
Kishte ardhë koha për mihje, por hoxha ishte i zenë me punët e veta, sa mos me ta marrë mendja. Nuk kishte kohë as të afrohej deri te ara, kurse të bijtë hiç e hiç.
Një ditë po u thotë bijëve:
-Kishte qenë mirë një pasdreke apo një mbrëmje te shkoni deri te ara, se ndoshta ka ardhë koha për mihje?
-Aiiii, babë çka ke thënë!! Nuk kemi kohë as kokë ta ngrisim e lere më të shkojmë në arë.
-Paj bre djemtë e mi ajo ju bën edhe shëndet! Një shetì e vogël në mbrëmje është.
-Po, po mor babë, po nuk kemi kohë.
Një mëngjes, hoxha vendos vetë të shkojë dhe të shofë si është puna në arë.
Kur mbërriti, çka me pa: Paj ymri të rritej nga puna, por për fat barojat e këqija ia kishin kaluar bimës se misrit, pra ishte koha e mihjes e pastrimit të bimës nga barojat e këqija.
Kishte aty çka jo.
Ferra te egra, hith, pirrë, egjër po çka jo që e ngulfatnin bimën e misrit dhe nuk e lenin të zhvillohej normalisht.
Ishte koha e pastrimit të saj.

Njeriu dhe toka...
Njeriu dhe toka…

Me t’u kthye në shtëpi hoxha u tyh të bijve.
-Qebesa është mirë të angazhoni disa punëtorë për mihje!
-Paj allahile babë mos ia le seri, se nuk kemi kohë!
-Po bre, por po me duket disi e rëndë të angazhohem veç unë. Se unë e kryej këtë punë, por drojë se nuk do të na vyej më vonë!
Hoxha e kishte mendjen që të angazhojë për mihjen e misrit xhindet me të cilët kishte një bashkëpunim shumë të mirë e ku ata ishin në gjendje të bënin gjithçka për hoxhën.
Me t’u kthyer në mbrëmje në shtëpi, hoxha u lëshoi një zë bashkëpunëtorëve të vet, të cilët flytyrym erdhën në dhomën e punës së tij: “Urdhëro baba hoxhë, çka ke të re, çka mund të bëjmë për ty???”
Të shofim!
Por, kësaj radhe ka të bëjë me mua!
Ata u frikësuan mos i ka ndodhë hoxhës diçka e keqe!
Jo, jo! Kam nevojë për mihjen e misrit në arë të gatë!
Aiiii, baba hoxhë, kjo është punë e lehtë, nesër në mëngjes puna është e kryer.
Dhe me të vërtetë këta e kryen këtë porosi të hoxhës.
Të nesërmen para agut, xhindi i parë ftoi edhe njëzet të tjerë dhe të gjithë me shata në krahë drejt e te ara e gatë dhe filluan punën.
Sa çel e mshel sytë, ara ishte mihë.
Ishte kënaqësi ta shihje. Nuk kishte më bar të egër në misër, nuk kishte më egjër, ishte pastruar krejt ara, ishte pastruar krejt misri, kënaqësi ta shihje.
E informuan hoxhën, se puna i ishte kryer dhe se çdo gjë ishte në rregull!
Hoxha me t’u zgjuar në mëngjes, pasi mori informimin për punën e kryer, desh t’i vizitojë djemtë dhe t’i lusë të shkojnë deri në arë, të shofin se ç’punë ka bërë baba.
-O bijtë e mi a keni fjetur mirë?!
-Po babë, por jemi shumë të zënë me mësime.
-O djemtë e mi, desha me ju lutë vetëm të shkoni deri në arë, e të shifni ç’punë ka bërë baba!!!
-Të besojmë o babë, se ke krye një punë të mirë!

Ara me miser...
Ara me miser…

Hoxha mbasi nuk arriti me i bindë të bijtë, u detyrua të shkojë vetë… Por çka me pa.
E kishin punuar arën si hiç ma mirë nuk bëhet, paj dheun e zi e kishin qitë në sipërfaqe.
Misri fluturonte nga qejfi, se i ishin heqë barojat e egra, të cilat ia zinin frymën, ia zinin diellin dhe ajrin e pastër.
-Eh, mashalla!! – po ban hoxha. – Paj qebesa mirë e paska punue topalli, ka respekt ndaj meje!
Hoxhës iu rrit zemra kur e pa arën e tij të punuar si të fqinjëve tjerë, por mendja i shkonte te fjalët që u kishte thënë të bijve: “O, unë e punoj, por drojë se nuk na vyen!” Por nejse puna qe kryer, kjo ishte kryesorja.
Shkon hoxha në shtëpi e flet me të bijtë për punën e mirë që ai kishte bërë, por ata nuk ia vunë fort veshin, pse nuk ishin fort të interesuar.
-Paj të mbushej mendja se misri po fluturonte nga toka dhe, dukej se po rritej ndër këmbët tua. Ja se çka bën puna!
Por, medet qe puna e huaj.
Qebesa e kam dëgjue nga të vjetrit se kush hajrin nuk ia ka pa punës së huaj. E sidomos e të çalit: Kuku medet!
Po drojë edhe unë.
Nuk ka punë pa u lodhë.
E djemtë e mi po kujtojnë se gjithçka bëhet për së gaqmi.
Jo, Jo!! Pa u lodhë, pa u djersë e pa mund nuk arrihet asgjë.
Hoxhës nuk i zinte vendi vend. Nuk i pritej kur të vinte mesi i ditës, kur vapa do kaplojë edhe nën hije nuk mund të zesh vend prej saj.
Kur dielli rrjepë e pjekë në të katër anët.
Kjo ishte ajo çka po e mundonte më së shumti hoxhën.
Ishte mesditë, me siguri ora veç kishte kaluar dymbëdhjetëshin. Kohë dreke.
Hoxha u duk edhe një herë deri tek Ara e gatë, të shofë se si po përparon misri pas mihjes.
Me të mbrritë në skajin e saj më të afërt, hoxhës veç se s’i ra të fikët.
Çka me pa. Pasha një rrënjë misri nuk kishte mbetë në këmbë!!
I tëri qe vyshkë e kishte ra përtokë.
Po, po e thashë edhe ma herët – i thonte vetes hoxha si me gajret.
Medet puna e huaj.
Po, kush ka pa hajr prej dreqit deri me sot??
Po, por punë që e kanë bërë xhindja, ma mirë me thënë, punë që kanë bërë dreqnit, e vallah ata deri më sot nuk kam dëgjuar se kanë bë ndonjë punë të mirë!
Po mor burr, ata e kanë mihë, a e sheh dheun e lagët ia kan qitë mbi sipërfaqe, por medet se kund rrënjë të shëndoshë nuk kanë lënë.
E pa rrënjë si jetohet?!
Pra, do u them djemve të mi se kësaj pune i thonë punë dreqnish e hajr prej saj nuk mund të shohë kush e, as unë vetë që punoj me ta.
Por kisha me thënë se më mirë vetë e me lezet, se punë dreqnish e për gazep.
Po more hoxhë, por pak vonë qebesa!!!
Po more burrë: Më mirë vonë se kurrë!!!
Marrë nga http://gazetadielli.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.