back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nuk ka Shqipëri të Madhe, të Vogël, të Mesme dhe as Shqipëri Etnike – ka vetëm dhe vetëm një Shqipëri nga Dr. Arsim Spahiu

Gazeta

Dr. Arsim Spahiu
Dr. Arsim Spahiu

Nuk ka Shqipëri të Madhe,

të Vogël, të Mesme dhe as Shqipëri Etnike

– ka vetëm dhe vetëm një Shqipëri

nga Dr. Arsim Spahiu

Në vitin 1913, gjyshërit tanë nuk arritën të formonin shtetin-komb shqiptar, që të përfshinte hapësirën tonë gjeografike. Ata formuan një shtet të gjymtuar, që nuk përbën as 10% të trojeve të banuara nga paraardhësit e vjetër. Ilirët, gjatë viteve 1500-500 para e.s., bënin ligjin në hapësirën qendrore evropiane, nga Balltiku në Greqi. Ata quhen Hauptvolk nga historianë të njohur. Emrat Europa, Adriatik, Jon etj., janë ilirë…
Çka është më keq, ne sot nuk jemi të vetëdijshëm as për trojet shqiptare, të prera nga mishi i gjallë i Shqipërisë në vitet 1913, 1944 dhe 1946. Sot, as që mund të merret me mend një afirmim i identitetit kombëtar shqiptar, në kuptimin modern të fjalës, pra i lidhur ngushtë me ndryshimin e hartës politike të Ballkanit, në simbiozë të ngushtë me projektet gllabëruese të shteteve kufitare.
Iliro-shqiptarët, të katandisur si kaposhi në thelë dhe, të copëtuar në pesë-pjesë nga Evropa, kërkojnë me çdo kusht të hyjnë në Evropë, që të dalin në selamet. Diplomacitë e dy shteteve të sotme shqiptare që, të marra së bashku, nuk e përfaqësojnë dot kombin shqiptar, kanë zënë radhën në dyert e NATO-s dhe BE-së, krahas shteteve të tjera ballkanike. Evropa dhe bota mbarë bëjnë sehir këta mjeranë në dyert e Evropës, në dyert e asaj Evrope, që e ka katandisur kombin shqiptar në këtë dorë dite.
Po, diplomatët e Shqipërisë shtetërore po mundohen si e si të hyjnë sa më parë në ato organizma Euroatlantike. Mirëpo diplomatë të Shqipërisë shtetërore flasin në emër të të gjithë shqiptarëve, pa pasur asnjë të drejtë a kompetencë. Duke vepruar kësisoj ata provojnë se nuk i përfillin bashkatdhetarët, që gjëllijnë nën shtypjen serbe, apo maqedone, apo greke, ose malazeze. Për disa shqiptarë të Shqipërisë zyrtare, si janë si s’janë bashkatdhetarët e Shqipërisë së jashtme, ku futet dhe Kosova.
Kështu veprojnë dhe intelektualët e tjerë, në përgjithësi. Dy vjet më parë një mendar i mirënjohur shqiptar shkruan se tashmë u kanë ardhur mendtë shqiptarëve, se tani ata përqendrohen në çështjet më të ngutshme madhore, përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe pavarësia e Kosovës.
Meqë çështja e tretë dhe e fundit u realizua sivjet, ai shkrimtar ndoshta do të shtonte: “Dy fjalë të mira për Kosovën, sa për të larë gojën”.
Kombet euroatlantike, më të vegjël qofshin, a më të mëdhenj, përfaqësohen nga një diplomat dhe vetëm një. ShBA-ve e Gjermanisë u mjafton nga një i atillë, kurse kombit shqiptar i duhen dy veta, që përfaqësojnë rreth dy të tretat e kombit të vogël shqiptar!
Dhe duartrokasin shqiptarët, tashmë të përfaqësuar, sikur kanë kapur qiellin me dorë, duke lënë pa mend të huajt. Dhe qeshen John Bull me Jacques Bonhomme e kompani: “Shqiptarët përbëjnë një bashkësi klanesh…”.
Ne, shqiptarët, kemi dhënë prova se nuk dimë të ngrihemi në lartësitë e kërkesave të kohës. Së paku, tani e tutje të mos u tregojmë të huajve se kemi identitet të dobët kombëtar. Në vendet ku ky identitet është i dobët, si në Itali, ta zëmë, nacionalizmi i dytë konsiderohet si krahinarizëm (régionalisme). Në një shtet të ri si Kosova, niveli lokal frymëzon dhe mban të gjallë vetëm identifikimin kombëtar të individëve që banojnë në këtë vend.
Nocioni sovranitet i dytë krahinor nuk do të thotë patjetër sovranitet kombëtar. Në vende më të mëdhenj se hapësira gjeografike shqiptare, vetëm forcat dhe partitë sovraniste të shtetit kryesor mbrojnë pavarësinë e vërtetë dhe unicitetin e shtetit të vetëm kombëtar, sepse vetëm ky mund të përmishërojë të gjitha specificitetet e identitetit të tyre kombëtar. Së paku, kështu thuhet në Parlamentin Evropian.
Sovranitetet dhe vlerat tradicionale kombëtare nuk janë as të dy anët e një medalje. Vetëm shteti mëmë konsiderohet si mbrojtës i të gjitha vlerave, zakoneve dhe mënyrave të jetesës, që përbëjnë themelet e identiteteve kombëtare, kundër çdo cenimi nga “të tjerët”, të cilët kërcënojnë këtë trashëgimi të përbashkët.
Në Evropën e Bashkuar, e ashtuquajtura ITS “Identitet, Traditë, Sovranitet”, në emër të “njohjes së interesave kombëtare, sovraniteteve, identiteteve, dhe diferencave”, u kundërvihet “një Evropë të bashkuar, burokratike dhe një super Shteti evropian”. Prandaj, kjo duhet të kihet parasysh sidomos nga ata vëllezër të Kosovës, që ndoshta pretendojnë botërisht se në Kosovë na qenka formuar një realitet i ri kombëtar, i ndryshëm nga realiteti kombëtar shqiptar.
Nacionalizmat “nacionalë” dhe nacionalizmat lokalë duhet të kenë të njëjtën filozofi: mbrojtjen e asaj, që qytetarët quajnë “atdheu” i tyre i vërtetë, real apo imagjinar qoftë. Kështu thonë shkresurinat e Parlamentit Evropian.
Shqiptarët nuk kanë dy “atdhe”, por një. Republika e Shqipërisë nuk është atdheu ynë. As atdheu i shqiptarëve të Kosovës nuk është Kosova.
Nuk ka as Shqipëri të Madhe, të Vogël apo të Mesme. Nuk ka as Shqipëri Etnike. Ka vetëm dhe vetëm një Shqipëri. Ajo shtrihet në tërë hapësirën gjeografike shqiptare që, mjerisht, është e copëtuar në pesë pjesë. Mirëpo “shqiptarët hanë fiq e kastravecë”; ata bëjnë blabla për pesë pare spec; ata përherë kanë qenë të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde.
Shqiptarët nuk e kuptojnë se, për indiferencën ndaj çështjes së tyre kombëtare, do të bëhen proverbialë në historinë e përbotshme.
Ata “kanë veshë, por nuk dëgjojnë”. Thirrjet e ndonjërit për një kolok në Tiranë, Prishtinë apo Shkup mbi përkatësinë etnike të Kosovës në Mesjetë s’u ndien, si “zëri i atij, që thërret në shkretëtirë”. Evropa dhe Amerika duhej të bindeshin se Kosova ka qenë përherë dardano-shqiptare.
Shqiptarët duhet të mblidhen pa tjetër në një kolok për të analizuar realitetin gjeopolitik shqiptar, çështjen e pakicave kombëtare dhe kufijve shtetërorë në Ballkan. Ata duhet të bindin frëngun se janë “Albanais” shqiptarë.
http://www.gazetainfopress.com E diell, 11 Shtator 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.