back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Nji vend në Panteonin e Mos’harrimit – nga Dr. Petro Vuçani

Gazeta

 

Dr. Lazer Radi (1996)
Dr. Lazer Radi (1996)

Nji vend në Panteonin e Mos’harrimit

nga Dr. Petro Vuçani

Ndahet prej nesh shkrimtari, poeti e patrioti Lazër Radi (1916-1998)
.
Mjerisht, nji nga nji po treten në ikjen e ngaherëshme njerëzit ma të ndritur. Nji humbje e pazëvendësueshme, nji dhimbje të pashlyeme, nji pikllim shkaktoi lajmi i kobshëm mbi vdekjen e mikut të dashtun, Dr. Lazër Radi, i cili deri në çastin e fundit të jetës, dijti ta mbajë zemrën e mendjen përhera me ndiesina atdhetare, shoqnore e njerzore.
Në fjalën e tij me flatra shpirti regëtin një zemër demokrate, që shqiptarët i deshi të papranguem nga diktaturat. Mendoj se ky asht trashëgimi i tij ideal shpalosun në veprimtarinë letrare.
Lazër Radi u lind në Prizren më 29 Kallnuer (janar) 1916. Sikurse lexojmë në jetëshkrimin e paraqitun shkurt në librin e parë poetik: “Muret e Muzgut”, e ka qenë i detyruem nga dhuna serbe me e braktisë vendlindjen. Familjarisht vendoset në Shqipni.
Gjatë studimeve në gjimnazin e Shkodrës fillon aktivitetet kulturore në “Besa Shqiptare”. Mbasi kreu gjimnazin më 1938 regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë n’Universitetin “La Sapienza” të Romës ku studimet i kreu më 1942, me rezultate të shkëlqyeshme.
Fatkeqësisht, në Shqipni erdhi komunizmi në pushtet, e kjo solli që Dr. Lazër Radi, për shkrimet dhe pikëpamjet e tij të dënohet me të gjitha llojet e dhunës – sikurse tregon jetëshkrimi i tij – që nga dhjetori i vitit 1944 e deri më 1990, vit ky, ku mbas një Odiseje 46 vjeçare terrori, kthehet në Tiranë. Nuk mund të përshkruhen torturat në burg e në kampet e përqëndrimit. Provoi gjithçka mbi kurrizin e tij, por nuk ia mposhtën karakterin burrnor dhe virtytet e larta t’nji fisniku.
Sa ishte gjallë bototi një sërë veprash, si p.sh. “Muret e Muzgut” (1993), poezi ku është bashkëautor me djalin e tij, Jozefin; përktheu poemën e Jevrem Bërkoviç: “Stalini Moxarti dhe Maria Judina” (1993); “Rrëfim për Dinejt e Dibrës” (1994); “Misteret e një Ministri” (1994); “Shpresa vdes e fundit” (1996) poezi; përktheu prej serbokroatishtes “Jeta dhe zakonete shqiptarëve” të Mark Milanit; “Njeriu i rrugës së gjatë” (1996); shqipëroi “Platoni” (1997), “Anëzave të Sharrit” poezi.
Natyrisht që me veprat e botueme e pasunoi edhe më tej thesarin e letërsisë shqipe.
Unë pata fatin më e njohun e me lidh me të nji miqësi vllaznore. E takova këtu n’Itali, në mos gabofsha, më 1991. Nji ditë, me dëshirën e tij shkuem tek varrezat, ku ai vendosi nji “lule” mbi varrin e Ernest Koliqit. E kur u kthye në Tiranë, patëm shkëmbim korrespondence. Së fundi më shkruante: “Petro i dashtun, nuk po jam mirë me shëndet. Jam i lumtun se disa shkrime i kam krye, e sidomos “Enciklopedia Universale”, tash gjithçka do t’i mbesë Jozefit…”
Së fundi dua të citoj nji pasazh nga shkrimi i poetit Visar Zhiti për librin “Muret e Muzgut”: “Ky libër, poezitë e Atit e të Birit, janë dëshmi tejet emocionante e pamposhtmërisë së njeriut dhe e vlerave të tij. ato janë një mozaik i bukur, tronditës nën baltën e kohës që iku. Ashtu së bashku, At’ e Bir, janë më domethënës e kuptimplotë. Sikur i japin njëri-tjetrit plagët, janë ashtu si thëngjijtë e vatrës, që malsorët ja japin njëri-tjetrit për të ndezur… cigaret. Jo, jo, poezinë!”.
Pa dyshim, se vepra e tij do të zerë vend në Panteonin e mosharrimit.
 .
Dr. Petro Vuçani, Shpend Sollaku – Noe, Ferdinand Laholli 
dhe redaksia e “Bashkimit” i shprehin ngushëllimet e rastit familjes Radi.
Veç gëzime paçi mbas kësaj!
(Revista Bashkimi 1998)
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.