back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Nji rrëfim nga jeta e At Shtjefën Gjeçovit (1873-1929)

Gazeta

At Shtjefën Gjeçovi (1873-1929)
At Shtjefën Gjeçovi (1873-1929)

Nji rrëfim nga jeta e At Shtjefën Gjeçovit (1873-1929)

Ja çfarë shkruan At Shtjefën Gjeçovi në vitin 1900!

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave – përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Unaza e Gjeçovit
Unaza e Gjeçovit

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap-çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë-arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger-in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!! Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.
Marrë nga fb i B.D. PSHDK, Zvicër 07.09.2013

At Shtjefën Gjeçovit -Zym
At Shtjefën Gjeçovit – Zym

Shtjefën Gjeçovi (1873 – 1929)

Veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf (kombpërshkrues), arkeolog dhe shkrimtar. Lindi në Janievë të Kosovës, në një familje me prejardhje nga Kryeziu i Pukës. Vazhdoi mësimet në kolegjin fetar të Troshanit (Lezhë) e më pas në Bosnjë. Zhguni i fratit dhe detyrimet ndaj kishës nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori luftarak, me dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën e tij të lashtë. Në Kurbin më 1906 u ngrit me forcë në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë, kur shërbente në Gomsiqe të Mirditës, më 1909-1912 mori pjesë gjallërisht në organizimin e kryengritjes antiosmane në ato anë dhe vetë u radhit në çetat e luftëtarëve të lirisë; u ngrit më 1914 me guxim kundër grabitjeve, përdhunimeve e padrejtësive që bënte në popull ushtria pushtuese austro-hungareze; më 1920 mori pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në Zara të Dalmacisë, në Pejë, në Gjakovë luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këtë arsye e vranë serbomëdhenjtë në Zym të Gjakovës. Shkrimet letrare e shkencore të Shtjefën Gjeçovit i përshkojnë ndjenjat e atdhetarisë, idetë e përparimit të vendit nëpërmjet dijes e kulturës. Më 1910 botoi veprën morale-didaktike “Agimi i Gjytetnisë”. Është ndër autorët e parë të dramës shqipe me Dashtunia e Atdheut (1901). Në shkrimet e mbetura të pabotuara, ndihen shqetësimet e autorit për problemet kombëtare e shoqërore.(Shqiptari ngadhnjyes 1904, Princi i Dibrave apo Mojs Golemi 1904, Mënera e Prezës 1902, Përkrenarja e Skënderbeut, etj).
Ndihmesën ma të rëndësishme Shtjefën Gjeçovi e dha në fushën e etnografisë. Me një punë shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore“Kanuni i Lekë Dukagjinit” (Shkodër, 1933), që e bëri të njohur në botën shkencore. Ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara, për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjëmën, për mikpritjen e besën shqiptare, për përshëndetje e fjalë të urta, por më së shumti u mor me të drejtën zakonore të popullit tonë. Në punimet e tij bëri përpjekje t’i lidhte mitet e besimet e lashta vendase të popullit tonë me ato trako-ilire e pellazge.

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. At Shtjefën Gjeçovi mbetet nji nga kollonat e padiskutueshme të kulturës dhe historisë shqiptare.
    Te Ai binomi fe dhe atdhe, ose atdhe dhe fe ishte i pandamë.
    Si albanologu i parë shqiptar, ai njihet ndër grumbulluesit ma të mëdhenj të objekteve arkeologjike, ose siç i quen ai në kët shkrim vjetërsiena…
    Ku rrëfim jete, mbetet veç nji grimcë nga jeta e këtij Shqiptari të Madh!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.