
“Nji poet i qartë në poetikën e tij…”
nga Denata Rroji
Leon Lekaj prozator dhe nji nga poetët e spikatun. Kritiku, shkrimtari dhe pedagogu Dr. Gazmend Krasniqi, i cili mes tjerave e përkufizon: “Nji poet i qartë në poetikën e tij…”.
Leoni mban nji profil të ulët në rrjetet sociale, dhe as nuk “vrapon” për me promovu vedin dhe as nuk jipet pas qokave mes “kolegesh”.
Ai asht nji poet me nji stil të shkrujtini sa personal, aq bashkëkohor, duke na sjellë poezi të adhurueshme.
Leon Lekaj u lind në vitin 1955, në qytetin e Shkodrës në një familje intelektualësh. Duke ndjerë aftësitë e tija në fushën e artit, prindërit e tij e regjistrojnë në shkollën e Muzikës, në qytetit të lindjes. Detyrohet ta ndërpresë atë, për shkak të largimit të atit të tij nga qyteti i Shkodrës.
Në Kuçovë (ish qyteti Stalin) i nënshtrohet një disipline muzikore dhe më pas regjistrohet në Liceun Artistik, në Tiranë, shkollë të cilën e kryen në vitin 1974.
Diplomohet mësues Muzike, profesion të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej themelimit të saj, arrestohet dhe dënohet politikisht. Kjo ishte goditja e dytë që ai sistem i bëri familjes së tij. Pas çlirimit nëna e Leonit përjetoi tmerrin e tërheqjes së trupit të babait të saj të plagosur rëndë nga muri i gjimnazit të Gjirokastrës, ku bandat e Bedri Spahiut dhe Haki Toskës, kishin rreshtuar një grup intelektualësh për t’i pushkatuar.
Deri në vitin 1991, detyrohet të punojë në guroren e qytezës së Urës Vajgurore, e më pas si mekanik në Uzinën Mekanike të Naftës. Pas rënies së barrierave komuniste, rikthehet në vendlindje, ku ve në jetë njerën prej ëndrrave të tij: kryen fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Mbas diplomimit e lë atdheun për të emigruar në kryeqytetin helen, ku familjarisht vazhdon të jetojë edhe sot. Është autori i romanit “Shpirt i Braktisur” – Shtëpia Botuese Dituria – 2006, monografisë “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa” botuar në vitin 2008 si dhe “Stinët e Andërrueme të Kthimit” shtëpia botuese “Muzgu” 2017. Në vitin 2021, boton romanin e tij të dytë me titull “Murana”, ndërsa dalje e tij më i fundit është “Fisarmonika nuk do të luajë më nesër”, një ribotim i shtëpisë botuese “Globus” me qendër në Londër.

Gjendje – poezi nga Leon Lekaj
Në kodrën e krrusun
prej peshës së dritës
që dremit lumnueshëm,
njerëz lahen me terrin
e kryqit në majë
e shpërfillin kangën e zogut.
Asht pa peshë
zhurma e korit të gjinkallave
që bjen mbi mue
si lot virgjineshash të rreme,
pse mbas pak do të rrzohet muzgu
i kangës së tyne.
E unë gjallnoj në monotoninë e saj
si një molusk i plogët
tue mendue se vdekja nuk ka
udhërrëfyes ma të sinqertë.
Vjeshtë
T’lodhuna nga lufta e verës
Gjinkallat nënshkruen armëpushimin
E kanga e tyne
Asht hjekë vitrinash.
Shall i verdh’ asht rruga
Nën pemët e zhveshuna
Që shenjojnë vedin
N’pasqyra gjethesh të rrzueme.
Dikush mbas xhamit t’errët
Përgjon shiun e radhës:
Asht vend i qetë
Ku msheh lotin e idhtë.
Kaq afër fjalëve që përbajnë thelbin tand
Edhe syt’e verbt i shofin ngjyrat.
Marrë nga Muri Gegnisht, 2 tetor 2025