back to top
18.8 C
Tirana
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Nji Kongres i tretë, me shqyrtue problemet e gjuhës letrare kombëtare – Deklaratë e gjuhëtarëve të Shkodrës (1995)

Gazeta

Gjergj Fishta midis Intelektualeve Shkodranë 1924
Gjergj Fishta midis Intelektualeve Shkodranë 1924
Nji Kongres i tretë, me shqyrtue problemet e gjuhës letrare kombëtare
Deklaratë e gjuhëtarëve të Shkodrës (1995)

Gjithmonë nji hap para Shkodra, edhe n’diskutim ma liberal, tuj i pranu të tjerët edhe pse janë ndryshe, në emën të kombit e të përparimit… e mandej me kilometera mbrapa se e luftojnë, e shkelin me kambë, i thërrasin edhe malokë…
Kjo deklaratë i ka mbushë 30 vjet!!
Valbona Quku Lishi, 5 gusht 2025

Gjuhëtarët e Shkodrës, mbasi diskutuen lirshëm e pá asnji paragjykim në nji tryezë të rrumbullaktë problemet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe si edhe të gjuhës letrare kombëtare “të njësuar” të vendosun në Kongresin e Drejtshkrimit të mbajtun në Tiranë me 1972, bâjnë këtë deklaratë:
Përpjekjet për ruejtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, për nji alfabet të përbashkët dhe për nji gjuhë shqipe sá mâ të njehsueme kanë qenë tiparet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë amtare.
Kto përpjekje u prinë gjithnji gjatë shekujve nga rrymat mâ pozitive të kohës, të cilat, në kushte mjaft të vështira, dijtën jo vetëm t’orientoheshin drejtë në rrethanat e krijueme, por edhe të nxjerrin përfitime konkrete për të mirën e vendit. Jemi në vazhdën e asaj fryme patriotike që shprehet te Buzuku me fjalët “në së dashunit se botës sanë”, dhe te Bardhi, që ankohet për gjuhën shqipe që “po bdarete e po bastardhohetë”.
Përpjekjet e autorëvet gegë për mbrojtjen dhe lavrimin e gjuhës amtare, për ta ngrejtun atë në shkallën e nji gjuhe letrare të përbashkët, nuk reshtën asnjiherë që nga Bogdani e deri te Komisia Letrare e Shkodrës e vjetit 1917.
Autorët shkodranë, tue shkrue diftongjet ue, ie, ye, si edhe grupet mb, nd, ng, ngi dhe veçanërisht zanoren ë, dhanë shembullin e parë të nji tolerance në dobí t’afrimit të dy dialekteve – bazë të shqipes, gegënishtes letrare dhe toskënishtes letrare. Ndër kto përpjekje shkëlqejnë emnat e nderuem të shkodranve si: Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndré Mjeda, Luigi Gurakuqi dhe sa e sa burrave tjerë, të cilët ecën me durim në rrugën e gjatë të lavrimit të gjuhës sonë amtare.
Gjatë ksaj periudhe u shkrue edhe toskënishtja letrare, që përfaqsohet nga emna të nderuem si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Fan S. Noli, Faik Konica, Andon Zako Çajupi, Asdreni. Krahas me atë u shkrue edhe gegënishtja letrare me autorë po aq të nderuem si Kristoforidhi, Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj. Dy dialektet jetuen pranë e pranë, tue plotsue njeni-tjetrin dhe tue përfaqsue denjësisht shpirtin kombëtar me veçoritë krahinore. Plotësojnë njeni-tjetrin “i âmbli Naim” dhe “i serti” Fishtë; tingëllojne si dy akorde të nji melodie vargjet e Mjedës pranë atyne të Poradecit; shpaloset psikologjia e shkodranit te novelat e tregimet e Koliqit prane mendësisë së pogradecarit te rrëfenjat e Mitrush Kutelit.
Në kto kushte lulëzoi nji letërsí e vërtetë, e shumëllojshme, dhe që shprehte nji mesazh sa të larmishëm aq edhe kompleks. Dialektet nuk penguen aspak lulëzimin e saj.
Kjo letërsí nuk ishte partizane. Me marrjen e pushtetit nga komunistet nën “udhëheqjen e Partise”, nis “politika gjuhësore” e komunistëve shqiptarë, në bazë të së cilës nuk qe atdheu, por ideologjia marksiste – leniniste. Ktu zunë fill të gjitha të këqiat.
Pasqyrë e qartë e ksaj mendësie dhe ksaj politike qe sesioni i dytë shkencor mbajte në Tiranë në vjetin 1952, kushtue problemeve të gjuhës letrare kombëtare. Simbas, Dh. Shuteriqit, që mbajti raportin kryesor, “…kemi avantazhe të mëdha, që të punojme për çështjen e gjuhës sonë kombëtare, sepse jetojmë n’epokën e socializmit triumfonjës, sepse shkojmë edhe ne vetë drejt socializmit, nën udhëheqjen e urtë të Partisë sonë e të shokut tonë te dashur Enver Hoxha, sepse shoku Stalin formuloi në mënyrë përfundimtare teorinë materialiste të gjuhës…”. Komenti âsht i tepërt.
Mâ vonë u vazhduen përpjekjet për shpejtimin e njesimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe, që u konkretizuen me Kongresin e Drejtshkrimit në vjetin 1972.
Ndërsa në parim përpjekja për njësimin e e gjuhës shqipe në çdo kohë ka qenë e do të mbesë dukuní pozitive që i shërben çeshtjes kombëtare, mënyra qysh âsht veprue për ta arrijtë këtë njësim nuk ka qenë e drejtë.
Në Kongresin e vjetit 1972, problemet e drejtshkrimit qëllimisht u ngatrruen me njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Ndërsa konvergjenca për njësimin e drejtshkrimit pat fillue për së mbari të Komisia Letrare e Shkodrës, çâshtja e njesimit të gjuhës ishte komplekse dhe nuk mund të zgjidhej me nji të rame të sëpatës.
Ende në vjetin 1972, mungojshin studimet e plota përgatitore, mbi të cilat do të vendosej mbi ecurinë e mâtejshme të njësimit. Çorientuese në këtë drejtim ishin ideologjia marksiste-leniniste që frymëzonte “politikën gjuhësore” të Partisë” dhe “urdhërat nga lart”.
Që Kongresi i Drejtshkrimit vendosi në bazën e gjuhës letrare të njesueme toskënishten, kjo nuk përbân delikt, mbasi toskënishtja âsht dialekt i shqipes. Delikti i ktij Kongresi qe ndalimi i plotë i gegënishtes letrare. Nji skomunikim i tillë qe jo vetëm i gabuem, por edhe antikombëtar. Koha dëshmonte se gegënishtja vazhdonte të lulëzonte tue i rezistue trysnisë që ushtrohej mbi të. Pikërisht në ketë kohë u përkthyen gegënisht dy kryevepra të letërsisë botnore, lliada e Homerit dhe Komedia hyjnore e Dantes. Ashtu si nuk mund të konceptohen përkthimet artistike të Nolit në gegënishte, ashtu âsht vështirë t’arrihet nji përkthim i denjë i lliadës në toskënishte. Konsiderata të këtilla ligjërojnë të drejtën e bashkëjetesës së dy dialekteve në fushën e krijimtarisë letrare.
Gjuhëtarët shkodranë kuptojnë drejtë zhvillimet demokratike të kohës, ata nuk janë as arkaikë as të ngurtë. Me tolerancën kulturore që i karakterizon qysh motit, ata shprehin mendimin se në t’ardhmen duhet të thirret nji Kongres i tretë, për me shqyrtue problemet e gjuhës letrare kombëtare këto pika themelore:
a)Gjuha letrare “e njesuar” duhet të rishikohet. Fjala âsht me realizue këte njësim, për me e ba të pranueshëm për të gjithë. Kjo gjuhë standarte të jetë gjuha zyrtare e administratës, e shkolles, e shtypit, e radios.
b) Krahas të shkruhet gegënishtja letrare. Të jetë kjo nji koiné gegënishte me rregulla të përcaktueme. Kjo gegënishte të ketë si bazë veprën Ortografí e gjuhës shqipe, botue në Prishtinë me 1964, tue u konkretizue në dy drejtime kryesore: me botimin e veprave t’autorëvet madhorë gegë si: Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj etj., dhe me futjen e detyrueshme të ktyne vepravet në programet mësimore të shkollave.
c) E ardhmja e letrarishtes shqipe t’i lêhet momentit të favorshëm historik, caktue nga pesha artistike dhe nga vlera shkencore e botimeve, dhe mbasi të jenë sigurue mjetet kryesore gjuhësore për këtë punë, ashtu si i rreshtoi Çabej në diskutimin e tij të vjetit 1952: Lexicon i gjithëmbarshëm i shqipes, monografí të dialekteve kryesore n’atdhé dhe në diasporë, fjalor etymologjik, atlas gjuhësor, historí e gjuhës shqipe, gramatikë historike e shqipes, fjalor gjeografik i toponimeve, etj. Ndërkaq të vazhdohet me afrue gegënishten me toskënishten aty ku âsht e mundëshme, simbas parimit të paralelizmes së formavet gjuhësore.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.