back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Nji kafe me Oshon… Jozef Radi

Gazeta

Osho (Chandra Mohan Jain 1931-1990)
Osho (Chandra Mohan Jain 1931-1990)

Nji kafe me Oshon…

nga Jozef Radi

Për ne shqiptarët, kafja mbetet nji nga ritet ma të randsishme të ekzistencës sonë… Shprehje të tilla si: “A je për nji kafe?”; “Po te pres, për nji kafe!”; “A e ke pi kafen sot?”; “Si s’u bane i gjallë, as për nji kafe!”; “Sa e pi at të shkretë kafe?”; “S’kam pasë kohë, as me pi kafe!”; “Kët javë pihen kafet!”; “A do me ta pa kafen (fixhanin)…?”; “Kafja pa duhan, si turku pa iman!”; “Pa bukë rri, pa kafe s’rri!”; “Po të pres te X kafe!”, “m’ka shkue per nji kafe, ku s’mban!”, “Ma ban nji kafe të fortë, ta mbledh mendjen!”… e plot shprehje të kësaj natyre ku Kafja asht kryefjalë, mbeten pjesë e së përditshmes të shumicës sonë dhe ma merr mendja se janë krejt të paktë ata që munden me i shpëtue këtij zhargoni autentik shqiptar!
Në të vërtetë rituali i kafes, (gjithnji simbas meje), nuk asht thjesht kafja si motiv afërsie dhe komunikim njerzor, po pse aty asht krejt psikollogjia jonë… Te koncepti i kafes asht miqsia, asht e përditshmja e randomtë: “po dal njiherë, se në kafe dikë do të gjej!!”, pse aty asht qamja dhe zgjidhja e halleve, aty asht pathosi ynë politik dhe sportiv, aty janë krushqitë dhe sherret e arthshme,  aty janë dashnitë e gatueme në heshtje, aty janë borxhet e lypuna dhe “faqezinjtë mosdhanës”, aty asht psikoterapia e grupit, aty janë problemet e pazgjidhuna dhe ato pa zgjidhje; pra kafja asht ‘shkolla’ ku shkëmbehen idetë, opinionet, kundërshtitë, pse jo edhe grindjet dhe sherret tona proverbiale; pra asht krejt nji botë e jona me të gjitha imtësitë dhe nuancat që duket sikur vërdallet vetëm rreth fjalës Kafe…!!! Sepse kafe çojmë kur vdiste ndokush; kafe japim kur na lind djalë; kafe jepet ose merret për nji hall, shpërblimet nen dore aty janë, (besoj se njihet prej të gjithëve shprehja: “ia lashë kafen!”) si nji prej nënteksteve ma të rafinueme dhe ma shqiptare… Prandaj marr guximin dhe shprehem se fjala “Kafe”  sublimon krejt historinë e ekzistencës sonë… S’ka shqiptar që e pi kafen në kambë dhe pa kafedashtës përreth, e mandej me ngarendë  ku e thërret halli o detyra… Jo, s’ka shqiptar!! Dhe kur i vjen dekiku i kafes, ai ia mbyll portat krejt botës dhe i dorzohet shenjtërisht Perëndisë së vet: Kafes, këtij riti ende të pastudiuem si dhe sa duhet, dhe që na ban nji ndër popujt ma kafedashtës të botës, e që mungesa e kafes mund t’na deformojë e t’na tjetërsojë deri në humbje të identitetit!!

çohu shqiptar... hahaha
çohu shqiptar… hahaha

U zgjata paksa në kët shkrim… me kafe përpara, ndërsa isha zhytë ndër refleksione në përkthimin e Osho-s…
Mbasi kam kohë që jetoj në miqsinë e tij dhe më ndodh gjithnji e ma shpesh që futem për pak… dhe ndalem e harrohem aty me orë e orë para madhështisë së veprës së këtij njeriu…
Sigurisht, sot nderimi im ndaj tij s’mund të shprehej ma qartë se sa duke e ftue Oshon për nji kafe… dhe kjo rubrikë që sigurisht do të vazhdojë edhe ma tej: “Nji Kafe me Oshon…”, më mbetet mjaft për zemër, sepse të ftosh edhe të tjerë në refleksionet e tij sublime, asht nji kafe e pazhurmë, ashtu në heshtje dhe në konteplim të thellë, ku secili mundet me gjetë diçka që i përket edhe atij e që i vjen mjaft për shtat… prej këtij filozofi indian… tashma të përzgjedhun e të sjellë në shqip edhe prej meje…
Nji Kafe me Oshon… asht nji ftesë me hy në filozofinë dhe shpirtin e njeriut, edhe përmes gjuhës shqipe… Sepse edhe në shqip Osho, (eh, sa afër më rrin me emnin Oso… ‘Oso Kukë, s’e ban ma nana!’) vjen bukur, aq bukur, sa kafja me të, për cilindo që guxon me shpenzue pak kohë në lexim, do të jetë ma shumë se nji e kafe e shijshme… Më besoni… nji kafe magjike!
13 maj 2013

Osho (1931-1990)
Osho (1931-1990)

 Aforizma nga Osho

(Chandra Mohan Jain 1931-1990)

Përktheu Jozef Radi

***
Nëse s’ke nji pasqyrë, kjo s’do me thanë se s’ke as nji fytyrë…

***
Aty ku meditohet asht nji vend ku rreptësisht ndalohet çdo përziemje me aktivitetet e përditshme… pra aty duhet krijue hapsina e zbulimit të botës sonë të mbrendshme!
“Pse duhet vrapue me gulsh sa andej këndej pa ndonji motiv? Ti je ai që vetë jeta ka dashtë… Prandaj ajo duhet marrë veç qetsisht!”

***
Jeta s’përbahet prej gjanash të jashtzakonshme dhe fantastike, përbahet prej vogëlsinash, dhe kur ti s’kërkon të pamundunën, ato gjanat e vogla shëndrrohen në t’vërteta të jashtzakonshme…

***
Nuk ju kërkoj me besue te të tjerët… Kjo ndodh veç si rezultat i mungesës së besimit që keni në veten tuej…

***
Për me pasë nji mendje vërtet të shëndetshme, duhet me kalue nëpër shumë marrina…!

***
Çdo gja e kësaj bote zotnon energji… edhe frika, edhe zemrimi, edhe xhelozia, edhe urrejta…
Vetëm nëse ti s’je i ndërgjegjshëm me e kuptue faktin se të gjitha këto të shtyjnë me e harxhue kotsisht jetën tande!

***
Mundesh me gabue vetëm nëse ke në mendje nji ide, kshtu që e kupton edhe se ku ke gabue.

Unë nuk baj plane dhe s’kam asnji projekt!
Gjithçka që më ndodh shkon absolutisht mirë, sepse s’kam nji mënyrë me gjykue, s’kam kritere gjykimi dhe s’kam as diçka krahasuese…
Dhe kjo asht bukuria vetë… Kjo asht liria!

***
Me u përlotë apo me u ankue asht diçka e natyrshme, asht nji valvul që ndihmon shkarkimin e emocioneve të akumulueme, trishtime,ve që janë impulse të gjendjeve tona; kështu ndodh nji pastrim i thellë. Çdo burrë e çdo grua duhet të mësohet me qa në mënyrën ma të përsosun… dhe me e shijue kët gjendje, sepse asht diçka freskuese, diçka lehtsuese…
Dhe mbas përlotjes, jo vetëm sytë tuej do të bahen ma të freskët, po krejt qenia juej, ka me u ba ma e pastër, ma e thjeshtë dhe ma e pafajshme…
Ke me u kthye te ai virgjiniteti i dikurshëm që t’përkiste veç ty, e që tashma e ke humbë… pra ke me u rikthye prap e papërlyeme…
Mbas nji përlotje të bukur, ke me u ndje si mbas nji banjoje, si t’ishte là shpirti yt dhe jo thjesht trupi yt…

***
Rregullat e përcaktueme mirë sjellin siguri, komoditet dhe përfitime…
Mos e çaj kryet për at siguri, as për ato përfitime dhe as për at siguri…
Fillo ta jetosh at jetën e rrezikshme… Sepse asht nji jetë, nji jetë e vetme dhe kur jeton në teh të rrezikut, e ndjen se asht nji aventurë e madhe, nji zbulim që do të kish mbetë përjetsisht i panjoftun…

***
Mos i vendos kurrë përballë intelektin dhe inteligjencën, pse janë dy pole krejt të kundërt!
Intelekti asht i lidhun me mendjen, na e mësojnë të tjerët, asht diçka që vendoset tek ne. Na duhet me e kultivue! Asht diçka e marrë borxh, diçka e huej, jo e lindun.
Kurse inteligjenca, asht e lindun… Asht vetë qenia jote, asht vetë natyra jote!

***
Nëse dashuron, duhet edhe të kuptosh se gjithçka që nis, gjithçka mbaron nji ditë; dhe nëse ka nji çast fillimi asht edhe nji çast mbarimi, po kjo s’duhet të na krijojë plagë.
Mos u ndje i plagosun, kuptoje se ajo stinë tashma ka marrë fund. Mos u dëshpëroni, po përpiquni me e kuptue dhe me e falenderue njeni tjetrin: “M’ke dhanë kaq gjana të bukura, m’ke dhurue pamje të reja të botës, të cilat vetëm s’do mund t’i zbuloja kurrë, tash ka ardhë çasti i ndamjes dhe rrugët tona marrin tjera kahe!” Aspak me zemërim, aspak me mllef, aspak me ankim, po me mirnjoftje pafund, me dashni të madhe dhe me zemrën përplot me dashamirsi… sepse kush ka ditë me dashtë, sigurisht ke me ditë me e pranue edhe humbjen…

***
Me i qëndrue besnik të vërtetave që shpirti dhe zemra të mësojnë, mundet t’mos jenë fort e leverdishme, në kët botë kaq formale dhe ceremoniale.
Po nëse ke kurajo me ndigjue, ke me gjetë në vetvete diçka mjaft të çmueshme.
E vërteta dhe leverdia s’kanë shkue kurrë dakort mes tyne…
Ki besim në kurajon tande!

***
Dashnia n’fund të fundit asht vetvete, sepse në dashuri s’ekziston ma egoja. Dhe kur s’ka egò, do me thanë dashni. Atherë mund të jepni pa kërkue asgja në këmbim.
Jepni, sepse me dhanë asht e mrekullueshme, ndani sepse edhe me nda asht diçka magjike…

***
Nji person ndjehet i pasun kur ndjehet i vërtetë ose ka disiplinë, asht origjinal dhe i disiplinuem.
Çfardolloj gjaje që ia kërkon situata ai asht në gjendje me iu përgjigjë.
Ka situata që kërkojnë disiplinë, po ka edhe situata në ku disiplina s’hyn hiç në punë, pra duhet me qenë spontan…
S’ka nji mënyrë fikse veprimi.
S’asht nji karakter i vetëm.
Ji i lehtë dhe i rrjedhshëm dhe ke me u ndje plot jetë.
Jeta vërdallet mbrenda teje dhe ti s’duhet me lanë mbas vetes copa kufomash!

***
Asht drita e vetdijes, ajo që i ban gjanat e çmueshme e të jashtzakonshme. Kështu edhe gjanat e vogla, s’janë ma të vogla.
Kur nji njeri shumë i vëmendshëm, me ndjeshmëni dhe dashni prek edhe nji guralec të zakonshëm në breg të detit papritmas e shëndrron atë ne nji xhevahir…
Po nëse ti prek pa vetdije nji xhevahir, ai bahet nji guralec i zakonshëm ose edhe ma keq.
Në gjithë botën njerzit pyesin: “Cili asht kuptimi i jetës…?” Për dreq ai kuptim ka humbë… sepse kemi humbë at instrumentin që u jepte kuptim gjithçkaje, dhe ky instrument asht vetdija!!

***
Ju mund të jeni brezi i fundit, që ende keni mundsinë e rrebelimit…
Nëse s’rrebeloheni, asht e mundun që mos ta keni ma kët shans… Ka shumë mundsi që njerzimi të katandiset në statusin e robotëve… Rrebelohuni, ju lutem, meqë jeni ende në kohë!!

***
S’ka gja ma të kotë o ma të papërcaktueme në fuqinë dhe pasionin tuej, se çasti në t’cilin rresht së sorollatuni sa andej këndej dhe vendos me u angazhue vetë drejtpërsëdrejti.
Janë thjesht parapëlqimet e tua ato që të bajnë të ndjeshëm, dhe me aahpërsi kërkon me gjetë rrugë ansore.
E kësaj here ke gjetë atë që jeta ta ofron me kryenaltsi…

***
I ke ardhë kësaj botë me qenë vetvetja dhe me shprehë vetveten.
Nëse jeta të mban për frenash, ajo e ban kët gja që ti t’kujtohesh për vetveten.. Sigurohu se je duke ndigjue energjinë tande, para se me veshë rrobat e shpresave… Nji kënaqsi e thellë bahet detyrim.

***
Gjithçka që mund ta shkatrrojë lirinë s’asht dashni! Ndoshta asht fjala për diçka tjetër… pse dashnia dhe liria shkojnë krah njena tjetrës, si dy flatrat e së njejtës pulbardhë.
Sa herë ta shofësh dashninë në konflikt me lirinë tande, duhet me e kuptue se je duke bà diçka kundër në emën të dashnisë…

***
Këshilla ime asht e thjeshtë dhe synon me prekë thelbin: Jetoje jetën çast mbas çasti, vdis në të shkueme dhe mos baj asnji projekt për të arthmen… Shijoje heshtjen, gëzimin, bukurinë e çdo çasti…

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Me datë 15/11/13, ora 7.00 dal nga hoteli në Stamboll, për të pi nji kafe. Në përpjekje për me gjetë nji lokal… e gjej vehten “person i humbun” pa e pi kafen (s’kishte vetëm çaj!) Për t’u kthy në Hotel se do niseshim në ora 8.00 mora nji taxi. Nji kafe (e papime) me kushtoj 7 euro!!

  2. Ke bë një punë kolosale… Kam dëgjuar të flitet për Oshon nga një mik i burgut të babait tim, 5 vjet më parë, në Tiranë, Shefqet Kelmendi që me tha tekstualisht: Unë Kafile, kam lexu shumë, po kur zbulova Oshon brenda meje u hap një dritë, fillova ta shikoj botën… ndryshe pse jo edhe pse në ketë moshë ndjehem i dashuruar me jetën dhe me njerzit që më rrethojnë… çdo vogëlsie i jap rëndësi… dhe ata që më dënuan nuk i gjykoj… dhe mbasi ma dha librin te perkthyer nga i biri, Shpëtimi… e kuptova sa bukur dhe sa të pasuronte filozofia e këtij njeriu të madh… Joze po të shkruaj mqs e kam të veshtirë ta them me fjalë ke bërë një punë të vlefshme…!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.