
Nji Histori e Vërtetë e periudhës ma të errët në Shqipni
Libri i fundit i Marçel Hilës “Terror në strofullën e terroristëve” ,
koment nga Arben Borshi
Tashma Marçel Hila ka hy me të drejtë “në katedrën” e letërsisë shqipe të zhanrit historik të Vërtetë. Romani i fundit i tij: “Terror në strofullën e terroristëve” – asht nji tjetër “tullë në murin” e letërsisë denoncuese të krimeve të komunizmit në Shqipni. Njohës i thellë i mekanizmit pervers të funksionimit të ingranazheve të makinës të “grimjes të mishit” komunist, ose “Sigurimit” na bjen ksaj herë nji aspekt që ka karakterizue për 45 vjet burokracinë e kuqe, tuj fillue prej kupolës së saj ose “Byrosë Politike”, e tuj përfundue te nëpunsi ma i pavlerë i ksaj organizatë terroriste e quejtun: Partia Komuniste – (Socialiste) e Shqipnisë: imoralitetin!
Segmenti kohor që përshkruhet në këtë roman historik, asht periudha e krizës dhe ndarjes përfundimtare të Shqipnisë prej Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës. Pikërisht 1955-1962. Gjyqet e organizueme si shfaqje makabre të montueme për të mashtrue popullsinë e vendit për gjoja anmiqt e mbrendshëm si dhe organizmat e hueja, asht shprehja ma e saktë e krimit të organizuem kundra njerzimit ose gjenocidit. Ksaj i bashkangjitet imoraliteti i theksuem që antarë të Komitetit Qendror dhe bashkpuntorë të tyne ushtrojnë tuj shfrytzue pozitat zyrtare. Viktimat janë të shumta: vajza të pafajshme, gra të reja (faji i të cilave ishte vetëm aspekti fizik tërheqës), që bahen preja e këtyne qenieve perverse të strofullave të nëndheshme. Pirrua, Beqiri por ndoshta të gjithë pa përjashtim, tuj shfrytzue pozitën dhe pushtetin e tyne, marrin në qafë me qindra e mija femna të reja në të gjithë territorin shqiptar. Si bisha që kërkojnë gjak, lëshohen për gjah kudo ku janë të vendosun, tuj fillue prej Komitetit Qendror e tuj përfundue në skutat ma të thella të maleve. I plotfuqishmi i zonës, kryetari i Degës, hetuesi apo çdo krymb tjetër i veshun me pushtet, ishte tmerri i tyne. (Marije Tuçi asht emblema e këtyne vajzave, që u mbytën në mënyrë të tmerrshme!) Por edhe kryetarë komitetesh e sekretarë të parë karakterizoheshin prej ktij imoraliteti. Qënie të neveritshme, të korruptueme moralisht, shkaktojshin trauma të pariparueshme viktimave të pafajshme. Asht nji aspekt i padalun ky, deri tash për vetë argumentin delikat që trajton. Ata që kanë mbetë viktima të ktij tmerri, nuk flasin sepse janë në kushte të pamunduna. Shumë prej tyne ndoshta nuk jetojnë ma dhe dhunën e ushtrueme ndaj tyne e kanë marrë me vedi në vorr. Kush jeton ende, ka familje dhe pasardhës, dhe nji deklaratë demaskuese ndaj ktij krimi, do ta çonte në diskreditimin e padiskutueshëm të figurës të saj. Prandej ky roman historik-denoncues, ka vlera të jashtzakonshme.

Jena msue me perceptue korrupsionin si shkëmbim – monedhë për përfitime Në fakt korrupsioni asht nji bashkësi e madhe korrupsionesh, ku ai ma i randsishmi asht korrupsioni i shpirtit, i ndërgjegjes.
Vetë etimologjia e fjalës, rrjedh prej latinishtes së vjetër: corruptio, që don me thanë me prishë, e prishun, i/e zhgatrruem/e, e qelbun.
Kena korrupsion në art, në institucionet arsimore, në shkencë, në sport, në drejtsi, në politikë, në moral etj. në të gjitha aspektet e jetës njerzore. Siç e theksova ma nalt, korrupsioni ma i keq ose ai prej të cilit rrjedhin gjithë të tjerët, asht korrupsioni i ndërgjegjes njerzore. Ky korrupsion eliminon çdo formë të shpirtit njerzor, tuj kthye njeriun në nji përbindësh të vërtetë, nji antinjeri ose “njeriun e ri, si vepra ma e shkëlqyeme e Partisë”!
Realiteti që na shpalos para sysh Marçeli, në figurën e pshtire të kandidatit të byrosë politike, Pirro Polasteri, asht realiteti që kena përjetue edhe na (unë edhe të tjerë që jena bashkohës të Marçelit) në qytetin tonë, Shkodrën. Por mungesa e guximit, trysnia e opinionit, turpi për ta denoncue, kushtet familjare, janë faktorë që kontribuojnë që ky krim makabër si dhe autorët e tij, të mbeten pa u ndëshkue. Jo se të tjerë, kriminela si kta apo ma të kqija, janë dënue prej drejtësisë! Bile ndodh e kundërta që kto kriminela hoqën Tyrben e zezë të inkuizitorave edhe na dolën nëpër ekrane apo tubime si pishtarë të lirisë, tuj dhanë edhe leksione demokracie!!!
Por t’i kthehena romanit. Vrasja e çdo individi që i shkaktonte ndonji dyshim sado të vogël Enver Hoxhës, edhe kur viktima ishte në rrethin e ngushtë shoqnor, pra shok i hershëm, ishte ba vijë e sjelljes të tij. Terrori mbulonte këdo që ishte objekt i shikimit “vëngër” të tij. Gjatë gjithë viteve që ishte gjallë, po edhe kur ngordhi dhe pushtetin e morì në dorë e veja e tijë, një qenie kriminele njashtu si Maria Mandl e kampeve naziste, krimi dhe terrori ishte forma e qeverisjes. Vrasje, burgosje, internime, dëbime, diskriminime ishin format e përdoruna prej bandës politike që udhëhoqi ky kryekriminel, ose partia socialiste e Shqipnisë, kundrejt popullsisë ose asaj pjese të popullsisë, (dhe që nuk ishte e pakët), që ky e konsideroi dhe e epitetoi “anmiqtë e popullit”!
Procesi i montuem gjyqsor kundra Teme Sejkos, ku u përfshinë edhe familjarë të tij, asht shablloni i gjyqeve politike të montueme kundra kujtdo që ky pervers i madh eliminoi! E bashkangjit me perversitetin asht edhe mashtrimi, pabesia si mjet për ta bindë viktimën për bashkpunim dhe kështu të firmosë për dënimin e vet.
Marçeli ka të veçantë se dokumenton historikisht, me baza ngjarjet që shumë prej nesh, “armiqve të partisë”, i kena dijtë. Po edhe përshkrimi në mënyrë artistike e me nji gjuhë të pasun dhe rrjedhse i ngjarjeve ban që ky roman të lexohet me nji frymë.
Nuk po zgjatem mâ, por si përfundim ftoj të gjithë dashamirsit e leximit, e sidomos ata që dojnë me e msue Historinë e Vërtetë të periudhës ma të errët të njerëzimit në Shqipni, ta lexojnë kët libër për me marrë informacion të saktë, atë informacion që “bilbilat e partisë” e kanë mohue, e kanë transformue, e kanë përçudnue me Propagandën mashtruese të tyne!
Të falemnderës Marçel Hila!!
22 prill 2025