
Nji figurë poliedrike, nji intelektual vizionar, një artist i pavdekshëm…
Urim për intelektualin dhe piktorin Lekë Pervizi në 97 vjetorin e Lindjes
nga Jozef Radi
Fort i dashtun Lekë,
Sot, në 97-vjetorin e jetës suaj, dëshiroj t’ju baj nji nderim që më buron prej thellsisë së zemrës. Si dëshmitari ma i vyem i nji kohe të mbrapshtë; fati dhe jeta ju dhanë dhuratën e rrallë me jetue gjatë, po edhe barrën e randë me sakrifikue shumë nga rehatia juej, në mënyrë që me dëshmue shumë të vërteta që, pa guximin dhe përkushtimin tuej të nji jete të shumfishtë, kishin me kenë të humbuna prej memories kolektive të krejt nji populli.
Ju po e përmbushni me ndershmëni detyrën e naltë të intelektualit, të artistit, po edhe të kronikanit – detyrën e Njeriut që e me sytë e vet pa tragjedinë e madhe të nji populli dhe nuk reshti së dëshmuemi, me mjetet dhe mënyrat ma dinjitoze, edhe në kushtet e nji kohe barbare, që mbillte vdekje e terror në çdo ditë të jetës së saj. Jeta për Ju e për shumë të tjerë si Ju, kaloi nëpër nji kalvar të egër, ku shumë intelektualë humbën jetën, humbën aftësitë e tyne, humbën mundësinë me qenë të tillë, dhe s’patën as fat e as mundësi me lanë gjurmët e kontributeve të tyne. Po, ishin Njerëz si Ju, Sizifë si Ju që u përpoqën me çdo mjet e mënyrë që ata të mos harrohen, që të jetojnë në përjetësi përmes kujtesës, vlerësimit dhe respektit për sakrificat dhe veprën e tyre. Prandaj falenderimi ndaj jush duhej të ishte një Festë Kombëtare, nji festë e dinjitetit heroik të nji populli që nuk asht i vogël po asht i zvogluem…!
Sot, në të nantëdhjeteshtatin mars të jetës suaj, unë që ju njoh qysh prej fëmisë së hershme e që kam pasur fatin e madh me i jetue nga afër nji pjesë të sukseseve dhe andrrave tueja ndër kohë të vështira, ju konsideroj nji prej modeleve ma të nalta të intelektualit, dhe nji nga modelet ma frymëzuese e ma pozitive të jetës sime, kjo falë edhe mardhanieve tueja të gjata me tim atë, Lazër Radin. Nji figurë poliedrike si Ju, nji intelektual vizionar si Ju, asht i pavdekshëm, edhe në kujtesën dhe ndërgjegjen e nji kombi të damtuem randë bash në kujtesë e në ndërgjegje.
Në këtë urim, s’mundem me lanë pa përmendë me respekt të thellë edhe bashkëshorten tuaj stoike, kelmendasen Angjelinë (Beba për të gjithë ne), e cila ka qenë jo vetëm krahu juej mbështetës në ditët ma të vshtira, po edhe nana e përkushtueme e djemve tuej, mbështetëse e talenteve të tyne, nji grue dhe nji shoqe dinjitoze bashkudhëtare e paepun në gjitha përpjekjet dhe sfidat e jetës deri më sot.
Fort i dashtun Lekë,
në kët 97-vjetor, kisha me dashtë me Ju përqafue fort prej së largu, me Ju urue shëndet e jetëgjatësi tue shprehë bindjen teme ma të thellë se kontributet tueja kanë me mbetë ndër thesaret ma të vyeme të këtij vendi, shpesh të pamëshirshëm ndaj Kolosëve si Ju. Le të mbetet ai shpirt i pashuem pozitiviteti që keni mbjellë ndër vite e ndër ne si dëshmi se e Mira, sado e dërmueme prej së Keqes, ka forcë me qindrue, me mbijetue dhe me triumfue.
Me respekt e mirënjoftje të thellë,
Jozef Radi, 4 mars 2026