
“Njeriu nuk e prish shtëpinë e tij…”
Faruk Myrtaj bisedon me paleontologun Efthim Dodona
Efthim Dodona – pedagog në Fakultetin Gjeologji-Miniera
Botuar te “Zëri i Rinisë”, 16 Janar 1991-
F. M. -Profesor, te studentët tuaj përflitet ideja se ju e njihni aq mirë Shqipërinë sa mund ta shkruanit edhe historinë e saj!
Efthim Dodona: Padyshim është një iluzion dashamirë. Mendoj se askush, aq më pak i vetëm, s’mund ta shkruaj historinë e një vendi. Sidomos të Shqipërisë! Kam pasur fatin ta vizitoj tërë vendin, pëllëmbë për pëllëmbë. Në fillim-shtatorët, kur bëj apelin me 30-40-50 studentë, “dalë i njohur me ta”: u njoh fshatrat dhe trojet ku janë rritur, bëj krahasimin mes mjediseve dhe pikërisht njohja gjeografike më ndihmon të arrij edhe njohjen e psikologjisë së secilit. Njeriu është si shtëpia e vet… dhe anasjelltas. Kështu lindin diferencat e korçarit (me kangjellat e shtëpisë së tij – që të lejojnë të shikosh edhe brenda oborrit intim), me atë të një zone të tjetër që e rrethon shtëpinë me mur të padepërtueshëm!
Në fund të fundit kjo është vetë historia e njeriut. Njeriu ka pasur shtëpi të parë shpellën. Sa ka qenë shpella shtëpi, aq edhe njeriu i atëhershëm ka qenë njeri!
F.M. – Por… a s’mendoni se më së shumti njeriu është qenie shoqërore që e shfaq veten në marrëdhënien me të tjerët?
Efthim Dodona: Të mos nxitohemi… Çdo gjë vjen në kohë, duam s’duam ne. Vjen kur ka radhën natyrore, jo kur dëshirojmë unë apo ti! Siç ndodh me rendet shoqërore! Pas komunitetit primitiv vjen skllavopronaria, jo komunizmi!
Shtëpinë nuk e ndërton guri por truri i njeriut, njeriu shumohet, i duhen shumë shtëpi, i duhej pastaj edhe mulliri, edhe kisha. Po mullixhi nuk mund të bëhej kushdo në fshat! Të bëheshe mullixhi duhet të ishe edhe murator, edhe dru-gdhendës, edhe gurskalitës edhe gjeometër… për aq sa duhej.
I paafti, dembeli, i pandershmi, hajduti nuk mund të bëhej dot mullixhi! Në mulli i kishte sytë fshati. Në kishë e xhami shkonte gjithë fshati. Aty duhej të kishte pastërti, kulturë, aty duheshin gdhendur gjërat më të bukura. Në muret e kishës (ku tjetër?!) mund të shfaqeshe si piktor.
Edhe sikur ta shohim kishën thjesht si godinë, dalim te mendimi se nuk kishte arsye të prishej kisha! Pse nuk u prishën edhe mullinjtë e fshatrave?! “Thatësirë, thatësirë”, themi dhe harrojmë traditën, e prishim atë, prishim më punëtorin, më artistin, më të aftin. Të aftët i janë dashur çdo kohe, përse jo edhe neve?!
F.M: Profesor, ju njihni edhe botën, keni shkuar atje dhe…
Efthim Dodona: Dhe kudo ku kam shkuar kam parë me syrin e gjeologut. Kudo gjeologu sheh, të parën gjë: tokën dhe gurin! Çfarë guri ka, qëndrimi ndaj gurit, si është përdorur, kodra, mali, natyra… Natyra është rezultat i luftës tokë-bimësi-atmosferë. Si rregull fiton bimësia, se ajo merr ushqimin nga toka! Nga kjo fitore sigurohet jeta e qenieve të gjalla. Tokën më pjellore njeriu e mbjellë.
Deri këtu s’ka asgjë të keqe!
E keqja fillon kur vihet në dyshim e mira, kur prishet natyra. Njeriu e ka natyrën djepin e vet, shtëpinë e vet. Njeriu nuk e prish shtëpinë e tij!
Hidhet parulla: “Kodrat e malet t’i kthejmë pjellore si dhe fushat!”
Si qëllim s’ka të keqe, nëse kodra dhe mali do ktheheshin në pjellore, pra nëse më parë kanë qenë shterpë.
Por, si ta quash shterpë malin me bimësi, me shkurre, me gjelbërim?!
Prej saj vjen parulla tjetër: “Të hapim sa më shumë toka të reja!”
Por, toka të reja s’ka! Toka të reja mund të sjellë vetëm gjeologjia nga thellësitë, me puset e saj! Filloi tarracimi, pra lufta kundër gjelbërimit, drurëve, shkurreve: ato u zhdukën, u zhduk humusi, u ndryshua relievi, u prish ekuilibri natyror, i cili do dhjetëra vite për t’u rivendosur…
F.M. -Por duhej buka, profesor!
Efthim Dodona: Më lerë të mbaroj një herë! Nga kodrat, bashkë me shkurret u përzu dhia, delja, lopa… po ku shkuan?! Tarracimi u bë gjithandej, pra gjëja e gjallë nuk u zbua: u kërcënua me zhdukje. Tufëzimi i plotë ishte goditja përfundimtare!
Të shpjegohemi, nuk jam kundër sigurimit të bukës në vend, por duhej të ishin llogaritur hallkat e reaksionit zinxhir. U zhduk dhia – d.m.th mishi, u zhduk leshi- pra veshja, u zhduk lëkura – pra këpuca. A s’ishte më mirë të hidhej parulla: Të sigurojmë ushqimin në vend?!
F.M. –T’i linim kodrat dhe pyjet në gjendjen e egër, profesor?!
Efthim Dodona: Jo, kurrë ashtu. Por e gjelbra të zëvendësohej me të gjelbër, gorrica të bëhej dardhë, jam dakord.
Shiko traditën: Ullinjtë e Skënderbeut janë mbjellë në faqet e ngrohta të maleve e kodrave. Poshtë tyre ka patur gjithnjë shkurre dhe barëra. Sipër fryti, poshtë bari, humusi. Tarracat s’kanë asnjërën as tjetrën! Madje as bagëtinë s’e kanë! Kanë vetëm qindra gra që mundojnë veten me shata…!
Pastaj bimësia i duhet edhe industrisë. Tani bie shiu dhe toka nuk e thith dot, që ta rezervojë për hidrocentralin, se s’ka bimën. Uji rrjedh e merr me vete vet tokën e çon në det. Erozioni! Pra, toka u katandis si njeri që e zhveshin në dimër. U dha bagëtia tani, po ku do kullosë ajo?!
F. M: Të vështruarit në sy të realitetit, mos na shtyn drejt pesimizmit, shkrehjes së punës?
Efthim Dodona: Fillimi i kthesës është distancimi me pesimizmin e mpirjen, me mosbesimin për t’i rregulluar shpejt gjërat. Mos-shpjegimi i tyre edhe më tej, do të çonte në të kundërtën. Aq më shumë kur dihet se këto përvoja pa sukses janë importuar nga tjetërkund. Por, si të verifikuara tashmë, nuk ka pse merren në mbrojtje nga politika e askujt.
Do të ishte e njëjta gjë po të këmbëngulnim në autoktoninë e statujave antike prej mermeri sheqeror, kur dihet se të tillë mermer nuk ka në vendin tonë.
F. M. -Më falni profesor, meqë ra fjala për mermerin, për statujat e prodhimet me të, mendoni se nuk kemi traditë në këtë fushë?
Efthim Dodona: E kisha fjalën te një lloj i veçantë mermeri, por edhe në atë rast mund ta kenë sjellë në kolona, dhe mjeshtrit vendas e kanë gdhendur këtu, atë që kanë dashur vet. Mermeri nuk duhej shpërdoruar, kurrë, por artisti ka qenë nevojtar, mëditës!
Ngjan pak a shumë edhe sot e kësaj dite me dhënien e titujve shkencorë! Mjafton të jesh në një post administrativ dhe, zgjat dorën drejt lavdisë dhe emrit!!
Jo, jo! Me mermerin nuk duhet luajtur. Mbase më bie në sy mua si gjeolog që jam, mbase! Por as me fjalët nuk duhet tepruar! Mermeri i fjalës është edhe më i shtrenjtë…
F. M. – Bëhuni më i qartë, profesor!
Efthim Dodona: Ta fillojmë me gurë-gdhendësit e Polenës! Ata janë pak, por duarartë. Ata kanë bërë Korçën, po Korça ç’bëri për ta?! Kush e njeh Kristaq Papargjirin? Pse s’bëhet një film dokumentar për të? Më tregonte një mësues i shkollës 8 vjeçare Polenë: Vija re se disa prej nxënësve i mbanin duart pas shpine. Ndjehej edhe ndonjë lëvizje e lehtë e tyre. Mora vesh se në duar mbanin nga dy gurë: I fërkonin me njeri tjetrin për t’u dhënë formën e rrumbullakët për zbukurimet e ardhme! Në Polenë tradita vazhdon, edhe pse s’kujdesemi për të! Faleminderit Polenë!
Por le të vazhdojmë më tej: Kanë dalë dhjetëra studentë të zotë. Disa prej tyre kanë punuar rëndë në krom, në bakër, në naftë… kanë zbuluar edhe vend-burime por çuditërisht çmimet dhe titujt i marrin të tjerë!
Një drejtor instituti i sapoardhur nga podhimi, për një kohë të shkurtër jep provimet, mobilizohet tërë instituti për t’ia shkruar temën, e mbron në mënyrë euforike, si në një skenar grotesk, promovohet të marrë njëkohësisht titujt kandidat dhe doktor shkencash! Më tej akoma: presidiume, udhëtime jashtë shtetit për probleme regjionale.
Vendi i Shqipërisë në Ballkan, në Evropë, në botë?! Mjerë shkenca, populli, ekonomia. Po s’është vetëm një njeri që vepron kështu: sekretari i partisë, shefi i katedrës, dekani e me radhë!
Shkencëtarët e vërtetë nuk bëjnë dot zë, në këtë kor mburravecësh dhe ziliqarësh. Mezi i njohim vlerat e tyre. Disa prej tyre kanë vdekur: Tomi Kristo, Petro Kati… Disa po i largojmë vet prej mosmirënjohjes, prej aftësisë sonë… për të heshtur…
F.Myrtaj: Ish-studentët tuaj i dinë këto, profesor… Faleminderit juve!