
Njeriu në udhëkryq…
refleksion nga Ilirjana Stankaj
Njeriu në udhëkryq nuk e ka luksin e rrëzimit. Të vegjlit e të pakujdesshmit rrëzohen, ky jo. Ky mbart në udhëkryq (e si kryq) – krejt botën, botën e vet që s’din ku me e vù, për me e siguru …
Njeriu në udhëkryq ndalet, mendon, sheh rreth e rrotull dhe e kupton se çdo rrugë ka rreziqet e veta, çdo zgjedhje mundet edhe t’ia shkatërrojë atë botë. Por i duhet me zgjedhë… e zgjedhja bahet bekimi a mallkimi i udhëkryqeve… 🙂
Kemi ndërtu nji sistem udhëkryqesh – vende ku rrugët (vendimet, pushtetet, interesat, njerëzit) ndërthuren, e ndonjëherë ngecin ose përplasen…
Jo rrallë, kur gjithçka rreth njeriut randon tepër (kur shteti s’vepron, kur burokracia e sfilit), njeriu ndjen nji forcë që s’mund ta ndalin dot – shpërthimin!!
Nuk e zgjedh pse e don, por sepse nuk ka rrugë tjetër për me mbrojtë atë që i përket – botën e vet.
Vrasja e nji gjyqtari në sallën e gjyqit s’ishte veçse pasqyrë e asaj që ndodh kur sistemi nuk ndigjon, nuk vepron, nuk mbron.
Dhe individi, i lodhun nga vonesat, padrejtësitë dhe mashtrimet, shpërthen…
Nuk ishte krim kundër nji njeriu, por shenjë e dhunës që lind brenda njeriut nga indiferenca e sistemit.
Kur sistemi nuk mbron individin, kur e shtyn atë në udhëkryq, atëherë shteti e ka humb funksionin e vet. Çdo vonesë, çdo zvarritje, çdo injorim shndërrohet në nji dënim të ngadaltë që mund ta çojë njeriun drejt shkatërrimit (të vedit e të tjetrit)…
Albert Camus thoshte se njeriu ndëshkohet jo për faj, por sepse nuk përputhet me “lojën e sistemit”.
Kur në vend që të dënohen shkelësit, shteti hesht, atëherë dhuna lind nga ajo heshtje.
Çdo padrejtësi e mbetun pa përgjigje, asht “farë” që mbin dhunën e ardhshme.
Sepse, kur shteti e harron qytetarin, nuk bie vetëm njeriu – bie edhe besimi në çdo gjâ që duhet të mbrojë.
E kështu, kur drejtësia vdes në heshtje, njeriu mbetet vetëm (si Zot)… e n’koka Zotash të ndamë e të përçamë lindin fatalizmat…
Kush e mbart fajin?!
Kush don me e mbartë këtë kryq?!
i.s (Reflektim)