back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Njeriu mund t’i lindë edhe vendet e vdekura… Jozef Radi

Gazeta

Libri i Llazi Gjekos
Libri i Llazi Gjekos

Njeriu mund t’i lindë edhe vendet e vdekura…

nga Jozef Radi

(një skicë për librin e Llazi Gjekos “Kulari – Bukuria që s’është më…”)

Llazi Gjeko është një burrë rreth të tetëdhjetave, me një buzëqeshje dhe mirësi të gdhendur në fytyrë; një i moshuar që ka qetësi dhe urtësi të mjaftë për të dëgjuar këdo, po edhe mjaft kënaqësi për të rrëfyer shtruar kur e gjen me kujdes kohën dhe vendin; nji njeri që jeta dhe vështërsitë e saj i kanë mësuar mjaft, por ai prap vazhdon të mësojë çdo gjë të re dhe të vlerësojë si rrallëkush këdo që ulet të flasë e të diskutojë me të me nji peshore ku gjithkush e ndjen se ka marrë as më shumë dhe as më pak po atë çka i takon…
Komuniteti divjakas është më i madhi dhe më solidi në qytetin e Ankonës. Ky qytet u bë ngulimi i parë i atyre “heronjve” që zbarkuan në bregun tjetër të Adriatikut me fuçia… Historitë e Llamb Priftit, Pal Gjekos dhe mjaft të tjerëve sot tregohen lehtshëm, por ato janë rrënqethëse, tronditëse, ndoshta të pabesueshme, “çmenduri tipike shqiptare”… Të vërtetat e tyre sot duken si fantazi filmash dhe shpesh ndër tavolina mes shisheve te birrës përcillen si subjekte humori dhe qyfyresh… Po ajo çka të mbetet gjatë në kujtesë është klithma e vdekjes e mbetur atje mes detit… dhe ti e kupton se jeta e atyre me të cilët ti flet e bën shaka, s’është veç nji mrekulli e fatit, sepse kushdo që e njeh sado pak detin le ta mendojë qoftë edhe nji çast veten mbi gjashtë fuçia midis dallgëve të akullta të fillimmarsit e ku asnji shpresë s’ka se mund të shfaqet gjëkundi  bregu… Eh… kjo vërtet ndodh rrallë, po jo ndër shqiptarë!!!!

Llazi Gjeko - Autori i librit
Llazi Gjeko – Autori i librit

***
Kur mbaron së lexuari librin rrëfyes “Kulari – bukuria që s’është më…” e kupton sa shumë gjëra interesante të jetës varrosen, pa marrë ndokush guximin t’i shkruaj; sa personazhe shuhen në harresë prej moskokçarjes sone; sa festa, sa ngjarje, sa vende humbasin pa mbetur asnji gjurmë e tyre… sepse askush s’gjen as kohë, as kurajo dhe as urtësi të ulet të rrëfejë dhe të shkruajë, qoftë edhe ashtu thjeshtësisht dhe me zemër në dorë siç ka ndodhur me Burrin e Urtë… Llazi Gjeko…
Kulari ishte nji prej fshatrave që rrethonin Divjakën… po që një ditë të tmerri të vitit 1972, si nji mallkim, furia e Shkumbinit e mori nën vete dhe prej asaj kohe: Kular s’ka më, vetëm kularas! Ka mbetur përpjekja dhe rrëfimi i dhimbshëm si klithmë pulbardhe i këtij plaku të thinjur që përpiqet të kujtojë e të ringjallë me durim gjithçka që ai di, duke e shtrydhur kujtesën të mos harrojë asgjë dhe askënd;  t’i kujtojë të gjithë ata që duhen mbajtur mend për mirë dhe ta rrëfejë pa llustër dhe pa droje at kohë të vështirë kolektivizuese dhe shprishëse, të vlerësojë cilindo që e meriton po edhe të mos harrohen edhe ata që kanë bërë keq, vërtet keq… Dhe këtij misioni të vështirë Llazi Gjeko ia ka dalë me mjaft dinjitet në krye… sepse është krejt një botë që ai na shfaq, jo vetëm dhe thjesht si kujtesë po edhe si ndërgjegje, jo vetëm si rrëfyes po edhe si protagonist, jo vetëm si fshathumbur po edhe si fatgjetur, jo si ish-kularas po si divjakas doc… pra duke u nisur nga vetja, nga familja dhe fisi i tij, nga fshati i përpirë prej ujrave dhe deri tek Divjaka e lagunës, e pyllit dhe e detit… ai gjen jo vetëm bukuritë mahnitëse të vendit, të njerzve dhe të kohës, po edhe forcën për të dëshmuar se: “…nëse nuk do ta shkruajmë të vërtetën tonë, një ditë do të harrohemi sikur të mos kishim qenë kurrë në kët jetë… Ja ashtu si fati i keq i Kularit… ajo bukuri që për një kapriço të natyrës po edhe të vetë njerzve sot nuk është më…!”  Vërtet Kulari s’është më, por mbetet i gjallë si imazh prej këtij libri me pretendime modeste po me nji domethënie të ndjeshme për cilindo që gjen kohë dhe dëshirë për t’i dalë në fund atyre dyqind faqeve të shkruara me shumë dashuri dhe mirësi…
Edhe pse koha bën të vetën, Llaz Gjeko vazhdon ta bëjë të tijën…
Ai është në luftë me kohën që përpiqet t’ia vështërsojë frymën, ndërkohë me shpirtin e tij ende rinor i jep frymë kohës së vet, bile edhe më shumë: u jep frymë kohrave dhe vendeve të vdekura…
Nuk na mbetet tjetër, veçse ta përgëzojmë Xha Llazin për kët shembull dëshmues… dhe  çdonjeri prej nesh duhet t’i mbetet mirnjohës vullnetit të mirë të këtij njeriu që vërtet di të dëgjojë e të rrëfejë bukur të vërtetat e veta… po diti të na e japë aq bukur edhe një këshillë të vyer se: kujtesa mbetet gjithnji nji burim krenarie për cilindo që e dashuron vendlindjen e vet…
2 maj 2013

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të lumtë dora që kujtohesh e shkruan edhe për gjërat ndoshta më të parëndësishme të jetës, por që kane një rëndësi të dorës së parë për autorin Llazi Gjeko, dhe Kularin e humbur tashmë në mjegullnajat e kohës dhe kularasit, subjekt i këtij libri me kujtime. Veç prezantimit të detajuar dhe të shkruar me dashuri nga ana jote, bie në sy edhe gjuha e përdorur prej teje: menyra e ndërtimit te fjalive, rrëfimi këndshëm mbi çka flitet në librin e autorit si dhe një fjalor që i përqaset aq shumë fjalorit të përdorur banorëve të asaj zone, sa herë-herë të shkon mendja se është shkruar nga vetë Llazi Gjeko, nëse nuk do të ishte një gjuhe e përpunuar artistikisht nga një mjeshtër i penës siç je ti, i dashur Jozef.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.