back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 26 Mars, 2025

Njeriu dhe Artisti – thirrje për bashkim Ernest Koliqi për Faik Konicën – 150-vjetori i lindjes – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Njeriu dhe Artisti – thirrje për bashkim – Ernest Koliqi 
për Faik Konicën (15 Mars 1875 – 15 Dhjetor 1942) – 150-vjetori i lindjes
nga Frank Shkreli

“Sot kemi mbi krye ca anadollakë
që nuk kanë tjetër mendim dhe tjetër punë
përveç të varfërojnë vendin e të shuajnë kombësinë tonë.”
(Faik Konica)

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Marsi është muaji i Faik Konicës!
15 Marsi, 2025, shënon 150-vjetorin e lindjes së Faik Konicës. Ndërsa numri i parë i revistës së tij të famshme “Albania” ka filluar botimin me 25 Mars, 1897 në Bruksel – një revistë mujore me përmbajtje politike, letrare dhe kulturore – vërtetë një tribunë mendimesh politike dhe historike nga më të dalluarit e elitës kombëtare shqiptare të kohës. Për 12 vjet, që vazhdoi së botuari, “Albania” përfshinte, përveç gjuhës shqipe, artikuj edhe në frëngjisht e turqisht.
Në një shkrim përkujtimor në revistën e tij “Shejzat” (Nr. 5-8, 1967), Ernest Koliqi, vlerëson zotësitë e Faik Konicës dhe kontributet e tija në lëmi të ndryshme të veprimtarisë së tij, por edhe disa të meta: “Ndonëse nuk la nji vepër organike që të pasqyronte përgatitjen e rrallë ditunore dhe vetitë e shqueme artistike me të cilat e pajisi natyra, prap se prap, në letrat shqipe emni i tij mbetet si ai i nji stilisti plot hijeshi, i nji magjistari të shkrimit. Me gjuhën tonë ende në fazën e parë të lavrimit, ai dijti me iu afrue në shprehje shkrimtarvet mâ të përmendun frengë, për zgjedhësi (élégance) e ligjirim fjolluer”. Duke shtuar se Konica, “Fjalinë e lakon me mjeshtri të pashoqe, mendimin e ndryn në nji gëlvozhë a lëvozhgë gastarje, periudhën e gjallnon me nji dèll muzikuer tërhjekës tue u dhurue fjalëve mâ të zakonshme nji theksim të ri pa dalë kurrkund nga hullija e rythmit të natyrshëm idiomatik të shqipes. I thjeshtë e i hollë, i lëvizun e i qartë, styli i tij shtjellohet herë plot andje e gaz, herë plot sarkazëm e maraz, këtu i urtë e i këthiellët, aty papritmas idhnak e sulmues, gjithëkund veç i mbajtun në nji rrafsh të lum artistik pa të rrekun (sans effort), por vijanoz burues me hir të vetvetishëm. Për të kuptue e çmue si e sa duhet këtë shkrimtar të pikatun qi solli në përdorim të shqipes struktura trajtash tejèt të kullueta e të zgjedhuna edhe la mbas vetes në gjuhën tonë letrare gjurmë që përditë mâ tepër bien në sy, lypet të dallojmë në tê njeriun nga artisti…”

Ernest Koliqi
Ernest Koliqi

Ernest Koliqi e cilëson Faik Konicën si një njeri “me të meta shumë të mëdha por dhe artist me vërtyte të jashtzakonshme. Por kadalë… Artisti me lumninë e magjisterit të vet shpesh herë shtie në punë edhe të mbetat e njeriut, të cilat nepër spastrim të flakës së artit shërbejnë me i dhanë stylit at nâmë të veçantë e at fuqi njimtuese (séduisante) që përbân cilsinë kryesore të shkrimeve koniciane. E meta ma në shêj e njeriut ishte nji mburrje diku e haptë, diku e mbulueme për zânafillën aristokratike të tij…” është shprehur Koliqi.
“Asdrêni e Mihal Grameno e paditën si mprojtës anakronik i oxhakizmës e i parësisë, – shkruan ai dhe përemend tjera të meta, si – buzëhollë, e i pakënaqun, i nji natyrë grindavece së cilës iu shtonte nji paqindrueshmëni e çmeritëshme në mendime dhe nji prirje idhnake qi shpërthente me mujshi (prépotence) të pafrêshm e, tue kapërcye çdo cak jo vetëm t’arsyes e t’urtisë por edhe të dêjsisë e të njerzisë. Në polemika, Konica i prénte drût shkurt…”, ka theksuar Koliqi.
Por nga ana tjetër, Koliqi ka shkruar se Konica ishte i vetdijshëm i cilësive të veçanta që posedonte ai vet. Ai ishte i paisur, – shton ai, – me cilësi që kishte marrë e zhvilluar në shkollimet më herët në Kolegjin Saverian të Shkodrës, mâ vonë në Stambollë e në fund në Francë. Ky grumbullim i jashtazakonshëm prirjesh e studimesh e vênte Faikun në nji numër Shqiptarësh të ndritun e të dijshëm që asokohe mund të numrohej në gishtat e nji dore”. “…Ai ishte i vetdijshëm, – shkruan Koliqi për Konicën, – se rrjedhimi aristokratik e naltonte atë mbi turmën; vêtitë gjeniale natyrore dhe kultura e naltojshin atë mbi aristokratë; nji shije artistike, mrekullisht e hollueme anames përvojës së gjallë e banesës së giatë në qendrat mâ të njoftuna të qytetnisë perëndimore, e shqueishin disi edhe ndër ata tre o katër shembra që mund t’i rrijshin për krah në botën shqiptare.
E vërteta âsht që Faiku në polemikat e ndezta të veta, shfrente mëninë e vet të thellë sidomos kundra vogëlsinave shpirtnore që shembtojnë jetën, kundra mendes së madhe të injorantave, ngushtësisë mendore të gjysmakve, verbënisë së fanatikve, e guximit të shpërdoruesave të patriotizmit”, – thekson Ernest Koliqi në shkrimin e tij mbi Konicën botuar në vitin 1967. Duke sjellur një citim zemrimi të Konicës: “Të mos kisha nisur fletën (vaftë n’è djall!) s do tè humhja koh’én t’ime t’u mësonj gomarëve ç’është liria. Dy muaj janë që u nis kjo punë, dhe që tani jam i lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë pleh njeriu se të nisje punë për Shqipëtarët. Janë nja 50 Shqipëtarë që kuptojnë ç’është liria”. Por megjithkëtë, për Konicën, “rrebet i vijnë e shkojnë”, ai vazhdon botimin e revistës “Albania” për gjithsejt 12 vjet (1897-1909).
Por megjithse, ndonjiherë kalêmi i rrëshqiste dhe me zemër të fryt vërvitej kundra ndoj atdhetari të ndershëm dhe cënonte ndoj vlerë të njimendët shqiptare, shprehet Ernest Koliqi për Konicën, ai e mbron atë duke theksuar se cilido të jetë gjikimi për Faik Konicën, si njeri me të meta, “kurrnji grimë ai gjikim nuk ia zvoglon vlerën e tij artistike”, as kontributet e tija të mëdha.
Në artikullin e tij, Ernest Koliqi e lartëson Faik Konicën si një, “Mjeshtër të pashoq”, i cili qëndron veças si zêjtar i shkrimit që i shëndrron fjalët në djamanta, e thur me ta shëndriza (joyaux) vezullore.” Ndërsa Koliqi vlerson revistën “Albania” të Konicës si e para revistë, “e përkohëshme” shqiptare, ku Toskë e Gegë edhe Arbreshë, e Shqiptarë të kolonive të Kajros e të Bukureshtit e të viseve të tjera, shfaqën mendimet e veta pa ndryshim besimesh e krahinash. Mbetet si palestër vërtè kombtare, pasqyrë e të gjitha rrymbave mendore e shoqnore”, ka vlersuar Ernest Koliqi revistën “Albania” të Konicës, Ndërsa ka shkruar se në numrin e parë të revistës, kuptohet qëllimi i dyfishtë që donte të ndjeki me botimin e “Albania-s”: “t’ua tregojë Shqiptarve udhën e shelbimit politik e qytetnuer dhe t’i a bâjë të njoftun të huejvet vêtitë shpirtnore ma te zgjedhuna të gjakut arbnuer.”
Në kujtimin e tij për Faik Konicën dhe revistën “Albania”, Koliqi ka shkruar se në “numër, herë me shprehje të buta, herë me zâ qortues, plot kumbime zemrake, porositen shqiptarët me i lânë m’anesh ndasinat m’u bashkue. Sipas Koliqit, nxitja për bashkim midis shqiptarëve, përsritet “orë e ças si leitmotiv gjatë dymbëdhetë vjetve të jetës së përkohëshmes, “Albania”.
Thirrja e Faik Konicës: “Bashkim, bashkim! M’e madhja nevojë për né Shqipëtarët sot për sot është bashkimi. Pa bashkim nuk vetemi, kurr s’kemi për të vajtur përpara, por as do të na quajnë komb bota. Na duhen shkolla që të mësojmë djemtë tanë dhe t’u zbukurohet mendja, që të bëhen njerëz, dhe njerëz të vërtetë; na duhen udhëra që të lehtësohet tregëtia dhe vobësia të pakësohet, shkurt, kemi nevojë të qytetërohemi dhe ne si të tjerët popuj. Po mëse kërkohen shkollat, si bëhen udhërat, si arrihet qytetëria? Kur të mblidhemi gjithë Shqipëtarët dhe t’i kërkojmë me urtësi; me bashkim, vetëm me bashkim… “Bashkim ç’do me thënë?” sipas Konicës. “…Shqipëtarë, rrojmë të gjithë në Shqipvri, dhe përdorim gjithë një gjuhë. Dhe Shqipëtarët e mençur e të urtë që kuptojnë kët gjë, kanë detyrë t’u japin të tjerë Shqipëtarve ta kuptojnë dhe ata… Le të nisim pra që sot, gjithëkujt sa i mundet, këtë bashkimin aqë të mirë për përparimin tonë. Të duhemi të gjithë si vëllezër; të mos kursejmé as vojtje as té holla pér té mbjellë dashurinë midis bijve të Shqipërisë.”
Mesazh më të bukur nuk ka, sot për sot, për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe anë e mbanë trojeve autoktone në Ballkanin Përendimor, në këtë 150-vjetor të lindjes së të madhit Faik Konica. Bashkim! Bashkim midis shqiptarëve për shpëtim, porosit sot Faik Konica.
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.