back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Një vizitë në kështjellën e harruar të Vigut” nga Paulin Z. Zefi

Gazeta

Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Kështjella e Vigut (Castrum Vig) 

“Një vizitë në kështjellën e harruar të Vigut”

nga Paulin Z. Zefi

Kështjella e Vigut (Castrum Vig) ndodhet pranë fshatit Vig, Bashkia Vau i Dejës, Shkodër, Mirdita Etnografike.
Është marrë në mbrojtje nga Instituti i Shkencave me vendim nr. 95, me dt.16.10.1948, më pas është vlerësuar si Monument Kulture i rëndësisë së veçantë nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës me vendim nr. 6, dt.15.01.1963 dhe ka marrë statusin si M. K. i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim nr. 1886, dt.10.06.1973. Gjerark Karaiskaj, në librin e tij me titull “5000 vjet fortifikime në Shqipëri”, shkruan se Kështjella e Vigut graviton në një vend të sheshtë, ku bashkohet lumi i Gjadrit me atë të Vomës (përroi i Vomës), me një sipërfaqe prej 5.600 metrash katrorë. Ajo ka formën e një katërkëndëshi të çrregullt me brinjë 75-98 metra dhe është e pajisur me 12 kulla dhe 2 porta. Katër kullat e këndeve kanë formën e një freskoreje, të ngjashme me ato të Elbasanit (Valmit) dhe ndërsa 8 kullat e tjera kanë formë kuadratike.
.
Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Ekspedita e fundit arkeologjike në hapësirën e brendshme të kështjellës, e cila është udhëhequr nga profesori im i nderuar Gëzim Hoxha, është zhvilluar në muajin prill të vitit 2017. Objektet e zbuluara kanë qenë kryesisht fragmente qeramike dhe gërmimet janë kryer në një hapësirë shumë të ngushtë. Siç e shihni nga fotografitë, strukturat murale të kështjellës janë në gjendje rrënojë, pjesën veriore e kanë rrëmbyer ujërat e lumit Gjadër dhe këtu kurrë nuk është zbatuar ndonjë projekt i plotë për konservimin, konsolidimin dhe restaurimin e këtij Monumenti. Kështjella antike e Vigut ndodhet 38 km. nga qyteti i Lezhës, 41 km. nga qyteti i Shkodrës dhe 18 km. nga Vau i Dejës.
.
Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Kështjella e Vigut (Castrum Vig)

Pak Histori…

Etnografi, gjeologu dhe udhëtari francez Ami Boué, para mesit të shek. XIX, shkruante se kishte dëgjuar se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka lindur në fshatin Kastër të Mirditës, në atë kohë krejt i rrënuar, gjysëm ore larg fshatit të sotëm Vig. Këtë informacion e dëgjoi edhe diplomati austriak dhe filologu i specializuar në historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, J. G. Hahn në vitin 1863, gjatë udhëtimit nga Vau i Dejës për në vendbanimin e Komanit. Kështu zë fill edhe teza e origjinës së Kastriotëve nga Mirdita, e cila lidhet me lokalitetin e Kastrit ku ndodhen rrënojat e kësaj kështjelle fushore romake, që është ndërtuar midis viteve 290-310 mbi rrugën e rëndësishme ushtarako-tregtare Lissus-Naissus(Lezhë-Nish) dhe më saktësisht në kryqëzimin e saj me rrugën që lidhte qytetin e Shkodrës me qendrën gravitacionale të Mirditës, Grykë-Oroshin, dhe rrugën e vjetër Lezhë-Pukë-Prizren. Historiani A. Gegaj thotë se familja e Kastriotëve mbiemrin e parë e ka marrë nga fshati Mazrek, i vendosur në krahinën e Hasit, pra nuk bëhet fjalë për fshatin me të njëjtin emër që ndodhet midis Shkodrës dhe Drivastit (Drishtit) në bregun e djathtë të Drinit. Në fakt atje, sipas A. Gegaj, kjo familje kishte një pjesë të pronave të saj, por mbiemri “Kastrioti” që i ka mbetur dhe ka mbijetuar në histori, lidhet padyshim më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave Mnellë, Kashnjet dhe Vig se sa me lokalitete të tjera që kanë të njëjtin emër. Me sa duket, historianët turq janë bazuar kryesisht mbi veprën e A. Gegaj, duke e dhënë origjinën e Kastriotëve nga princat katolikë të Mirditës, duke nisur që nga viti 1943 me historianin S. Kulçe. Më vonë kjo tezë u fut edhe në një tekst mbi Historinë e Turqisë, të botuar ne vitin 1990, por gjithashtu edhe në një tekst tjetër të vitit 1997 me autore N. Bozbora. Mbrojtësi më i zellshëm i kësaj teze është studiuesi mirditor P. C. Lleshi, i cili vazhdon ta risjellë në vëmendje vazhdimisht, por autorë të tjerë si Q. Alushi dhe M. Demiri, në librin e tyre me titull “Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Schmitt” të botuar në vitin 2009, janë të mendimit se Kastri që ndodhet pranë fshatit Vig, nuk është ai i Mirditës, por këtu bëhet fjalë për kështjellën e Stellushit në trevën e Matit, e cila ndodhet në lindje të fshatrave Vig dhe Vinjoll.
.
Vendnodhja Kështjellës së Vigut (Castrum Vig)
Vendnodhja Kështjellës së Vigut (Castrum Vig)
Gjithashtu, sipas historianit Kristo Frashëri, teza e origjinës së Kastriotëve nga Kastri i Mirditës është e padokumentuar, si rrjedhim e dyshimtë, për të mos thënë e papranueshme po të kemi parasysh se prapashtesa “ot” për banorin nuk ndeshet as në Mirditë dhe se Mirdita ndodhej në zotërim të Dukagjinëve, të paktën që në çerekun e tretë të shek. XIV. Në fakt, kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, i cili shtrihej që nga rrethinat e Prizrenit, Tetovës dhe Ohrit në lindje e deri në brigjet e detit Adriatik në perëndim ku siguronte dalje në det pranë qytetit portual e doganor të Shufadës,në grykëderdhjen e lumit Mat. Menjëherë pas vdekjes së princit Dhimitër Jonima në vitin 1409, Shufada do të kalojë nën sundimin e princit Gjon Kastrioti. Asokohe lokaliteti i Kastrit ishte pjesë integrale e Principatës së Dukagjinëve ku përfshihej edhe pjesa më e madhe e territorit të Mirditës së sotme etnografike së bashku me Zadrimën dhe malësinë e Pukës të cilat njihen si zotërimet më të hershme të Dukagjinëve ose “Dukagjini i vjetër”. Në fillim të shek. XV, qendra administrative e Principatës Kastrioti rezulton që të ketë lëvizur disa herë, duke nisur nga Gardhi i poshtëm (Kastriot, Dibër) dhe Sinja (Fushë-Çidhën, Dibër), në Prizren, Stellush (Vig, Mat), Petralba (Guri i Bardhë, Mat) dhe kështjella e Krujës. Për këtë arsye është shumë e vështirë dhe gati e pamundur që të përcaktohet vendi i saktë ku mundet të ketë lindur Heroi jonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu…
Ju përshëndes nga rrënojat e kështjellës së harruar të Vigut, sot me datë 24 tetor 2018.
.
Paulin Z. Zefi te Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Paulin Z. Zefi te Kështjella e Vigut (Castrum Vig)
Marrë nga muri i Fb. i Paulin Z. Zefit 25 tetor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.