
Një takim rastësor mbreslënës, në vigjilje të 7 marsi 2025
nga Klodi Stralla
me Mishel Fundon, profesorin tim të viteve univesitare
Dua të besoj se nuk ishte rastësi që sot, në vigjilje të “Ditës të Mësuesit”, takova pas shumë e shumë vitesh, ish profesorin tim të Analizës Matematike, të viteve universitare – Mishel Fundo. Ishte i shoqëruar nga Jani Frashëri, një i afërm i tij, edhe ai një profesionist i shquar korçar në fushën e mësimdhënies të Matematikës.
Sigurisht u ulëm diku për një kafe mëngjesi dhe kujtuam me mall vitet e bukura universitare, po edhe Korçën tonë, prej së cilës jemi larguar që të tre, prej vitesh: Misheli familjarisht në Selanik të Greqisë, kurse Jani dhe unë këtu në Tiranë.
Mishelin do ta kujtoj veçanërisht për rigorozitetin e thellë shkencor në trajtimin e një lënde të vështirë, siç është Analiza Matematike, por edhe për taktin pedagogjik si lektor, për të mos folur pastaj për vlerësimin korrekt e dashamirës me të gjithë studentët e tij.
Misheli mbetet një intelektual i kompletuar, me interesa të gjera, që variojnë nga historia, letërsia e deri tek muzika klasike; veçanërisht i pëlqejnë ariet e operave, disa prej të cilave i interpreton vetë aq bukur. Jeton prej vitesh familjarisht në Selanik dhe, me sa më tregoi, ndihet aty i kënaqur dhe vlerësuar.
Fatkeqësi që kapacitete të tilla, shkencore dhe intelektuale, që nuk i kanë munguar vendit tonë, nuk u krijuam mundësinë dhe vlerësimin të jetojnë e kontribuojnë në atdheun e tyre.

Jani Frashëri, është edhe ai ndër themeluesit e Universitetit të Korçës, jo vetëm një mësimdhënës i përkushtuar i Matematikës, nga duart e të cilit kanë dalë mijra nxënës, por edhe një njohës i thellë i shkencave sociale si historia, politika dhe arti në përgjithësi. Racional në mendime, tolerant në biseda, dashamirës dhe jashtëzakonisht korrekt – një qytetar i vërtetë.
Që të dy, si Misheli ashtu edhe Jani, i përkasin “genit” voskopojar të Dinastisë të matematicienëve “Fundo”, për të cilët kam shkruar gjerë e gjatë, vite më parë. Krenohem që edhe unë, në tavolinë mes tyre, isha voskopojari i tretë, po ashtu me profesion fillestar nga shkencat ekzakte të Natyrës.
Uroj dhe shpresoj që takime të tilla të jenë më të shpeshta, sepse për to kemi aq shumë nevojë shpirtërore të gjithë.
Mishelit dhe Janit i uroj Gëzuar edhe Ditën e 7 Marsit, shëndet e mbarësi në familjet e tyre!
Me shumë respekt dhe dashuri, miku i tyre – Klodi!
Tiranë, 6 mars 2025