Një shoqëri e traumatizuar e zbulon me vonesë lirinë e vërtetë… – Elsa Demos në ditën e 58 të Protestës

Gazeta

Gazetarja Elsa Demo flet në Protestë
Gazetarja Elsa Demo flet në Protestë
Një shoqëri e traumatizuar e zbulon me vonesë lirinë e vërtetë…
fjala e Elsa Demos në ditën e 58 të Protestës

Elsa Demo është gazetare kulture, kritike arti. E kam njohur nga një emision në RTSH, që quhej “Artes”.
Quhej dhe jo quhet! Sepse, për shkak të lëvizjeve të shpeshta të drejtuesve të atij institucioni, qëlloi që drejtuesit e sotëm, me të drejtë, harruan t’i rinovonin kontratën.
Është e papunë, sot!
Më poshtë, po përcjell fjalën e saj të mbajtur dje, në protestën popullore.
Ps – Jam i detyruar që, duke parë numrin gjithnjë e në rritje të sokratoplatonëve që kam në fb tim, t’iu kujtoj se, nëse do komentojnë duke përgojuar gazetaren dhe nuk do merren me problemet që ajo thekson, do u jap karton të kuq!
Motra dhe vëllezër zegjinarë, nëse doni të zgërdhiheni me batuta idiote, zgërdhihuni në fb tuaj!
shënim nga Arben Imeraj

* * *
“Unë vij nga një vend për të cilin do doja të ishte folur në shesh, sepse edhe ai vend meriton të jetë pjesë e zemërimit dhe të drejtave që kërkoni dhe ju sjellin këtu çdo natë: ai vend është Patos-Marinza me fushat e naftës ku kanë punuar breza gjyshërish, prindërish, vëllezërish e motrash. Pasuritë natyrore janë në kontrast me gjendjen e njerëzve, me papunësinë, pensionimin e parakohshëm, pasojë e administrimit të keq të pronës shtetërore. Më të rinjtë pranojnë kushtet e një mesjete moderne nga kompanitë e huaja dhe drejtësia bën sikur heton evazionin fiskal shumëvjeçar të Bankers Petrolium.
Por, jam sot këtu për një tjetër vend, që m’u bë po aq i dashur sa vendlindja: Teatri.
Nuk do merrem me kujtimet, por me pas-teatrin.
Pas Teatrit njerëzit u ndanë në ata që u zgjuan dhe ata që thanë: teatri? e ç’është kjo gjë? Nuk është halli ynë.
Pas Teatrit, në zonat e mbrojtura si qendra historike në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë morën hov përbindësha betoni për ta nxitur një pakicë të pasurohet më tej dhe turistëve t’u thuhet se bëhet jetë mëse normale në këtë vend, paçka se 80% e popullsisë jeton për mbijetesë, nuk ia del të sigurojë një strehë me kursimet e jetës dhe sa për t’u zbavitur i mjafton një kafe-ujë në ditë.
Pas teatrit u dogjën hektarë pyjesh në Darëzezë dhe Pishë-Poro për t’i bërë gati për resorte për Kushnerët albanezë, ndoshta jo aq luksozë sa projekti i Zvërnecit, por prapë askush e nuk e di çfarë do bëhet me detin, rërën, pishat dhe erën që s’ka kush t’i mbrojë në plazhin tim të fëmijërisë. Kanë shkatërruar pyjet njëlloj si bibliotekat që s’kanë ç’iu duhen më, sepse fëmijët po ikin, do ikin, bashkitë do të shkrihen. Kështu që as varrezave nuk iu dihet. Po për të vdekurit tanë kush do kujdeset?
Pas teatrit, Kinostudioja iu fal mediave që regjimi i ka bërë investitorë strategjik me hektarë tokash në jugun e bukur, mediat që thoni se duhen bojkotuar, por nuk ua zini emrat me gojë atyre klaneve, top kanaleve, neokolonialistëve barezë e të tjerë. Goditini me bojkotin tuaj aty ku i kanë pikat të dobëta: tek plehërat e propagandës që s’ka incenerator t’i djegë; bojkotojuani bigbradherat dhe fermavipët që i duan për vdekjen tuaj mendore, sepse ata besojnë se është injoranca juaj dhe dembelizmi juaj historik që ua xhiron lekun, biznesin, spektaklin, madhështinë, që pastaj të bëjnë biografinë tuaj, të shpifin për ju dhe të thonë se ju nuk meritoni më shumë se një kafe në ditë dhe një ekran telefoni për të vrarë kohën.
[…]
Një shoqëri e traumatizuar gjithmonë e zbulon me vonesë lirinë e vërtetë dhe ky shesh po i jep kuptim kësaj lirie që çmimin e ka të lartë dhe joshjen të fortë e të magjishme.
Në mes jush duhet të ketë nga ata që ju flasin për lirinë që një ditë të kërkojnë pushtet mbi ju, por ju tani keni për t’i dalluar, sepse e keni identifikuar më në fund me gjithçka modelin e tridhjetë e pesë viteve. Po e zhvishni gjuhën e demagogut që ka folur pa pushim për lirinë, emancipimin dhe të ardhmen duke i vrarë përditë nga pak të gjitha këto, sepse e ka menduar veten të paprekshëm.
Zero negociim me këtë njeri që nuk njeh respekt për popullin që drejton, zero tolerancë për gjuhën e tij të dhunës dhe moralin e tij që fyen edhe shtazët.
Pas Teatrit vuajtja e shqiptarëve nuk duhet lënë vetëm në dorë të spitaleve, se aty dihet si shkon. Tek ajo që po kërkoni dhe i keni vënë emrin “Shqipëri e re”, duhet hapur vend në radhë të parë në mendimet dhe dëshirat tuaja për bibliotekat, libraritë, skenat, kinematë, galeritë e artit që janë shkatërruar apo që u premtuan dhe nuk u ndërtuan kurrë, sepse udhëhiqemi nga një njeri që merr kënaqësi kur poshtëron tjetrin, nga një njeri që me shpurën e të ngjashmëve si ai, qeveris duke mashtruar, përçmuar kulturën shqiptare, i kapur pas kultit për artistin dhe turistin e huaj. Ringritja e këtyre vendeve që janë edhe shpirtërore mund ta përpunojnë dhimbjen që u është shkaktuar shqiptarëve, si atyre që e kanë ndjerë syhapur këtë dhimbje edhe atyre që nuk e kanë akoma mundësinë të zgjohen. Revolta juaj do t’i zgjojë ata një ditë, zemërimi juaj i drejtë po se po, aq edhe dashuria juaj”.
Marrë nga Muri i Arben Imerajt, 28 korrik 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit