back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Një publicistikë e tërë, kundra padrejtësive të kombit – nga Pertefe Leka

Gazeta

Dr. Agim Leka
Dr. Agim Leka

Një publicistikë e tërë, kundra padrejtësive të kombit

nga Pertefe Leka

Dr. Agim Leka,
protestë Enciklopedisë Britanike,
për origjinën e Skënderbeut,
të manipuluar nga serbët.
 
Me Dom Nikollë Mazrrekun, me Dom Ndre Zadeja… dhe profesorët e Shkodrës, 18 vjeçari, Agim Leka Borshi, bashkoi qëndresën e hapur antifashiste me penë në dorë.
Në Muzeun Historik kushtuar Skënderbeut, duhet të vendoset letra origjinale e Nolit, të cilën ia dërgoi Dr. Agim Lekës sipas kërkesës së tij. Ajo letër i shërbeu Dr. Lekës për të argumentuar dhe dokumentuar protestën drejtuar Editorit të Enciklopedisë më të madhe Britanike për të korrigjuar origjinën e Skënderbeut nga serbe në autentike shqiptare
I ndarë prej më shumë se 74 vitesh nga vendlindja, nuk mungoi të ngrinte zërin dhe të shkruante në organet më të njohura të shtypit botëror; letra, artikuj, peticione, në emër të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre.
Po afron dita përkujtimore e Skënderbeut dhe nuk duhet harruar kontributi i Dr. Lekës me rëndësi kombëtare: Protesta që i bëri asaj Enciklopedie për të bërë ndryshimin nga një gabim i shkruar, në fakt historik.
.
Nikollë Mazrreku & Agim Leka - Borshi,
Nikollë Mazrreku & Agim Leka – Borshi,

.

Në letrën dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave në Tiranë, Prof. Aleks Buda 1988 së bashku me tërë dokumentacionin përkatës, i thekson ndër të tjera, rëndësinë e ruajtjes së letërkëmbimit të tij me Fan Nolin, në kohën kur Ai ishte në komunikim të drejtë për drejtë me te. Ndër të tjera I shkruan Prof. Budës: “Këtu brenda do të gjeni letrën origjinale të Peshkop Nolit të cilit i isha drejtuar në kapacitetin e tij si historian i Gjergj Kastriotit, Skënderbej dhe të cilën letër dhe dokumentim e përdora për Protestën time Enciklopedisë në fjalë.
Letra drejtuar Editorit të Enciklopedisë Britanike është njoftim nga ana Dr. Lekës e një gabimi të shkruar në te, lidhur me prejardhjen e Skënderbeut, në të cilën theksohet se si një legjendë është dhënë si fakt historik. .
Një fragment nga letra origjinale: “I am a subscriber of the Encyclopedia Britannica and upon going over volume 20 page 726 on the topic of Skanderbeg, the national hero of the Albanians, I was surprised to read the assertion that Skanderbeg was of “Serbian origin” It is disconcerting. I believe for the traditional seriousness of the Encyclopedia Britannica that such a legend be given as a historical fact.
In view of the above, i wrote a letter to an Albanian authority on the life of Skanderbeg, his Eminence F. S. Noli. I do enclose here the reply that Metropolitan Noli has given to me with an excerpt of his book in regard to such a legend…”
Kështu filloi një maratonë letrash me Fan Nolin dhe Enciklopedinë Britanike që zgjati nga viti 1961-1967, kohë në të cilën përfshihet edhe vdekja e Nolit që mund të shkaktonte ndonjë paqartësi.
Por Dr. Leka e kishte në dorë letrën e F. Nolit: “Dear Dr. Leka, Many thanks for your letter of August 11-th. The origin of Scanderbeg and the legend of his Serbian descent are discussed in my “Story of Scanderbeg” – pp.19-20. I enclose a cony of these two pages. As you may know, “the Story of Scanderbeg “ was my dissertation for my Ph. D. Degree at Boston University.
It was published in 1947 by Vatra, 30 Huntington Ave., Boston 16 Massachusetts. Author book in which the question is discussed is by Fr. Athanase Gegaj, “L’Albanie et l’Invasion Turque au XV-e Siècle. It was a doctoral thesis, published by the University of Louvain, Belgium, in 1937. All you have to do is call the attention of the editors of the Encyclopedia Britannica to these, which are the latest on the subject, both of them on archival material…”
Këmbëngulja e Dr. Lekës ishte e pandërprerë deri sa pritjes së gjatë i erdhi përgjigjja nga Helen L. Carlock, editorial Assistant I Enciklopedisë Britanike e cila i shkruan se në Janar të vitit 1967 do të rishkruhet artikulli i Skënderbeut, sipas autorit Tajar Zavalani dhe ku citohet edhe libri i Noli në bibliografi:
“Dear Dr. Leka: The rewritten article on Skanderbeg has not yet been published. It will appear in our 1967 edition, to be published in January 1967, and we enclose a tear sheet of the page. The author is Tajar Zavalani, former Program Assistant, Albanian section, B.B.C. you will note that Metropolitan Noli’s book is cited in the bibliography.
we are also returning Metropolitan Noli’s latter and excerpt from his book. We appreciate your continued interest in Britannica.
Sincerely
Helen L. Carlock – Editorial Assistant. November 18, 1966.
Një nderim nga Kongresi për Dr. Agim Lekën
Një nderim nga Kongresi Amerikan për Dr. Agim Lekën

Dr. Leka insistonte në korrigjimin e artikullit të Enciklopedisë Britanike, të vitit 1961, për paraqitjen e një legjende si fakt historik.

Unë them se janë shumë personalitete shqiptare që u është përvetësuar origjina e tyre nga të huajt. Po përmend vetëm një rast, që është afër kohës së Skenderbeut, Mihail Artioti (1480-1556), shenjtori arbëror nga Arta e Çamërisë, që solli në Rusi frymën e ideve të Rilindjes Evropiane dhe historinë e Skënderbeut, duke u shpallë botërisht humanisti i parë në Rusi, që për krenarinë e tyre, rusët e quajtën Maksim Greku.
Ndërsa, për Nanë Terezën, ne qemë me fat, se Ajo e deklaroi botërisht origjinën e saj shqiptare….
Është mirë t’i bindemi thënies së Naimit: “Ç’vleftë t’i verë vetes një komb, atë i venë dhe të huajt…”
Nga kjo marrin vlerë historike letrat e Dr. Lekës drejtuar Nolit dhe Enciklopedisë Britanike, dhe letrat e Nolit drejtuar Dr. Lekës.
Për t’i dhënë këto vlera kombit Agim Leka e mori ushqimin nga rrënjët e familjes.
Dr. Leka, nuk mund të ishte ndryshe, në qëndrimet e tij, sepse Ai ishte djali i Avokat Rakip Lekës, Student i Zosimeas dhe më vonë i drejtësisë në Universitetin e Stambollit. Ishte i dyti në listën e studentëve shqiptarë që firmosën Protestën e dërguar Sulltanit kundër alfabetit arab dhe në favor të alfabetit latin për gjuhën shqipe me 1908.
Po më 1911, kur ndodhi incidenti në Parlamentin Turk, goditja pas shpine e Ismail Qemalit, në kohën, kur Ai po fliste në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, ngjalli revoltë në të gjithë botën shqiptare. Protesta “Një shuplakë për Ismail Qemalin, është një shuplakë për kombin” u shpërnda në të gjitha klubet shqiptare… aty ishte edhe zëri dhe firma e studentit Rakip Leka.
Av. Rakip Leka ishte me origjinë nga Borshi. Një fshat i përmendur për trimëri dhe i shkruar në histori me shkronja të arta, sidomos gjatë periudhës së Skënderbeut. Fatkeqësisht një fshat që ishte bërë shkrumb hi edhe me shumë fshatra të tjera, nga andartët grek me 1914. Megjithate, Av. Leka nuk u step nga kjo mënxyrë, krenar për vendlindjen, erdhi dhe e ndërtoi shtëpinë përsëri në fshat.
Duke parë se sa vlerë të madhe kishte shkolla shqipe në atë vend, Ai mendonte se vetëm përhapja e arsimit në gjuhën shqipe do ta shpëtonte ate vend nga helenizimi i grabitqarëve grekë. Vetëm shkollimi do të çonte përpara emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe përparimin e kombit.
Në këto kushte, shtëpinë e ndërtuar prej tij e la ta përdornin si shkollë, ku përmendet me respekt dhe sot Shtëpia-shkollë e Rakip Lekës.
Me idetë e tij përparimtare, Av. Leka iu bashkua lëvizjes demokratike të Fan Nolit, prej së cilës më vonë pati pasoja, por i përballoi me dinjitet.
Në kohën e okupacionit të 1939-ës, mbajti qëndrim kundër fashizmit duke ruajtur pozicionin e tij si jurist i të drejtës civile.
Në gjyqin komunist u përgjegj me krenari, kur i thanë: “I ndave djemtë, njerin me Ballin the tjetrin me Nac. Çlirimtaren që kush të fitojë, ti të krekosesh si gjel…”- “Unë e di, – u përgjegj R. Leka, – se djemtë e mij kanë shkuar të luftojnë kundër okupatorit dhe jo kundër njeri tjetrit.”
Në këtë rrugëtim të familjes Dr. Leka, kurrë nuk harroi edhe kontributin e gjyshërve të tij: Nebi Sefa, Lushnja, firmëtari i Pavarësisë në Vlorë dhe një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, me 1920. Po kështu edhe gjyshi tjetër, Ibrahim Leka, i cili si komandant i Qarkut të Lushnjës nuk e zbatoi urdhërin telegrafik nga Valiu i Janinës që të arrestonte Ismail Qemalin dhe delegacionin që e shoqëronin ate. Për këte lamëroi Nebi Sefën që të hapte një rrugë tjetër që të kalonin nën mbrojtjen e heshtur të tij dhe pa pasoja. Kështu u realizua akti historik i 28 Nëntorit 1912.
Një frymëzim tjetër, i riu Leka e merr nga Shkodra, siç e shkruan vetë: “Shkodra ka qenë nepër shekuj ndriçim diturie dhe një kështjellë krenarie për urtësinë dhe trimërinë shqiptare, për më tepër mishëron lidhjen historike si mburojë e qytetërimit përendimor. Nuk ishte e papritur që gjatë sundimit të Italisë Fashiste, kur penda helmuese e priftit italian Fulvio Cordignano sulmoi bërthamen e ekzistencës shqiptare në revistën famkeqe “Rivista d’Albania” – mars 1941, përgjigjja e rreptë doli nga ky qytet historik, nga Shkodra e Teutës, me dy broshura të cilat me mendimin tim përfaqësojnë fillimin e qëndresës së hapur nga penda shqiptare, kundër sundimit fashist: Broshura “Skandali Cordignano dhe mprojtja e kombit shqiptar” nga Nikë Barcolla, pseudonim i Dom Nikollë Mazrrekut. Dhe broshura nga profesorët e Shkodrës “Cordignano në gjyq përpara botës” frymëzuan rininë e Tiranës të bënin demostrata kundër Italisë Fashiste.” Agim Leka
Atëhere edhe 18 vjeçari Leka bashkohet me protestën e studentëve, profesorve dhe klerikëve patriotë nga Shkodra.
Artikulli: ”Skandali Kordinjano dhe mbrojtja e popullit shqiptar”, nga Nik Barcolla, ishte në momentin e duhur. Si ishte e mundur që Kordinjano, studiuesi i Albanologjisë për 30 vjet, që i kishte ngritur lart vlerat e shqiptarëve, të ndryshojë kahje dhe të shkruaj me neveri për shqiptarët. Si duket shkrimin famëkeq e botoi për të justifikuar pushtonjësit fashist, se kishin ardhur të civilizojnë një popull të prapambetur.
Për këte shkruan Leka, iu drejtova Dom Nikollë Mazrrekut, në Famullinë e Tiranës, ku Ai kishte krijuar një rreth “Veprimi Katolik” ku zhvillonte një veprimtari të gjallë me të rinjtë.
“Ishte viti 1942, shkova t’i merrja leje Dom Nikollës për botimin e librit të tij, që e kisha përkthyer italisht pa ditur se do të lejohesha ta botoja. Isha një student 18 vjeçar dhe përpara meje ishte një burrë i gjatë, i veshur me petkun e thjeshtë fetar, që me penden e tij kishte nxitur mijëra studentë të Demostronin për liri. Fjala e ëmbël e tij dhe idealizmi i tij për atdheun tonë të shtypur ishin mbizotërues në bisedën tonë. Ai e kishte për zemër Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, të cilit i kushtoi shumë këngë, në mijëra faqe…” A. Leka
Edhe pse Dom Nikollë Mazrrekun e degdisën në fshatrat e Malësisë në Pukë dhe librin ia sekuestroi Luogotenenca iItaliane, i riu Leka nuk i ndali përpjekjet për ta botuar përkthimin, për t’i treguar fashistëve se shqiptarët janë popull me dinjitet duke e titulluar “Risposta a Cordignano sui suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi” (Përgjigje Kordinjanos përmbi gjykimet e tij mbi shqiptarët.) Pas shumë përpjekjesh nën terrorin fashist shtypshkronja Kastrioti botoi 2000 kopje të cilat u shpërndanë në mënyrë klandestine nëpër konsullata, nepër zyra italiane në vendqëndrime te tyre, në atë kohë kur libri në gjuhën shqipe ishte i sekuestruar.
Edhe protestën e profesorëtve te liceut të Shkodrës “Kordinjano në gjyq para botës” – e përktheu në italisht dhe e vuri në parathënie të librit të përkthyer, pa ndryshuar asgjë nga shkrimi i Dom Mazrekut.
Libri ishte i shoqëruar me një parathënie “Prefacione e traduzione di Agim Leka Borshi”: “Molte furono le risposte provocato da questo articolo inopportuno, circa il momento e quanto al contenuto, offensivo dei nostri sentimenti nazionali e della nostra Patria”
Parathënien e fillon me vargjet e Fishtës: (Na jem’ t’bijt e nji fisi të përmendun,//n’dorë, qi i ndriti si rrfeja çeliku,//qi e qestisë veç t’u dridhun anmiku,//qi t’tanë bota kah besa e nderon.) vargjet i përktheu italisht.
Ishte reagimi i Fishtës kur u shkrua artikulli i Kordinjanos: “Ç’ka i ka ba Shqipnija Kordinjanos që e urren kaq fort?!”
Po kështu përktheu edhe nga letra e studentëve katolikë të Shkodrës, cilët iu drejtuan rektorit me një peticion me 46 firma, ku kërkonin që At Fulvio Cordignano ta tërhiqte publikisht artikullin në fjalë!” se na ka fye si shqiptarë faqe mbarë botës, ç’ka s’asht aspak e vërtetë. Shqiptarët e kanë mirëpritun në malet tona tash 20 vjet, pa dallim feje dhe ai ngrihet dhe u mohon kombësinë dhe origjinën për të cilën ato aqë fort krenoheshin”
Të gjitha këto Dr. Leka, i ka përmbledhur në artikullin “Nik Barcolla dhe profesorët e Shkodrës në mbrojtje të Kombit Shqiptar (Gazeta Illyria Janar 2001) “Në këtë botim Dr. Leka vendosi në krye fotografinë që i dërgoi Dom Nikollë Mazrreku, pas vitit 1990, me shënimin prej tij: “Të fala, me shumë mall”
Komunikimi pas 90-tës qe i shkurtër me Dom Mazrrekun, sepse Ai ishte në fund të jetës.
Ishte motra e tij, Marija që i shkruante Dr. Lekës. Letrën e saj e ruante si një dokument për ta përjetësuar në vepra letrare, historike, ose në filma me tirazh të gjatë. Letra e Marijes ishte një sintezë e tragjedisë së një populli, gjatë diktaturës komuniste. Sa herë e lexonte atë letër, derdhte lot.
Më ka surprizuar simpatia e Dr. Lekës pas gegërishtës letrare të Dom Nikollës, kur thoshte se Ai: ‘fliste një gegërishte të pastër, të ëmbël, ku mbizotëronte idealizmi i tij për atdheun…” Kjo e ka bërë, që në parathënien e përkthimit të citojë jo vetëm vargjet e Fishtës, që i vendosi në krye, por edhe në mbyllje ka cituar vargjet e të ëmblit, Dom Ndre Zadeja: “Dishmitarë ty të thrras, o e tepruemja// duresë shqiptare, ti që vuen pa za.// e bren pa ndie, e kjan pa ankim// e therr pa vra… (ishte poeti Dom Ndre Zadeja që i drejtoi autorit një letër proteste të hapur me titull “At Fulv Cordignanos” të shkruar në 291 vargje.)
.

Dr. Agim Leka në Universitetin e Harvardit
Dr. Agim Leka në Universitetin e Harvardit
Zoti mos e thëntë që ta humbasim këtë bukuri gjuhësore, plot elegancë e muzikalitet të gegnishtës letrare, t’i njohin brezat këta kollosë të gjuhës së bukur shqipe. Ta kultivojmë e të gjejmë një mesatare për gjuhën letrare që t’i përgjigjemi më mirë bashkimit tonë kombëtar, që po na thërret.
I riu Leka përsëri Apelon kundër atyre që shkatërruan bashkimin kombëtar.
Si pjesëmarrës i Konferencës së Mukjes, si ithtar i ideologut nacionalist Mit’hat Frashëri, si nxënës i profesorit të nderuar në Liceun e Korçës, Abaz Ermenji, bashkoi apelin e tij me heroin e rezistencës, Major Abaz Kupin, i cili në vitin 1943, në malet e Krujës, kërkoi një front të përbashkët me të gjitha grupet nacionaliste shqiptare, për t’i bërë ballë sllavo-komunizmit. Në atë kohë ishte shumë aktiv në shkrime, parulla, trakte, peticione, që botoheshin te gazeta “Liria” e Musine Kokalarit.
Këte qëndrim antikomunist, Agim Leka e mbajti edhe kur ishte jashtë Shqipërisë.
Në shtator të vitit 1957 boton në “The New York Times” me pseudonimin Illyrikus, artikullin “Për lirinë shqiptare kërkohet një politikë pozitive Amerikane” e nxitur nga vizita e Harrison Salisbury në Shqipëri dhe intervista me kryeministrin, M ehmet Shehu, ku ndër të tjera shkruan: “…Integriteti territorial dhe pavarësia e Shqipërisë, ishin ndër tiparet themelore të politikës së SH.B.A-ve në kohën e Woodrow Wilson, emri i të cilit simbolizon përpjekjet pionere amerikane për demokraci dhe drejtësi nëpër botë, me interesim të veçantë për mbijetesën e kombeve të vogla… Kritika e z. Shehu ndaj një miku kaq të sinqertë të popullit shqiptar, z. Harry T. Fultz, ish-anëtar i Misionit Amerikan dhe ish-drejtor i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë, ku z. Shehu pati privilegjin të arsimohej, është një trillim fund e krye. Kjo është tipike e demagogjisë komuniste dhe tregon një mospërfillje të turpshme të mirënjohjes tradicionale dhe të përhershme shqiptare, ndaj miqëve të saj të huaj.” Dr. Agim Leka
Përsëri Dr. Leka Proteston! Me 18 Janar 1969 në “New York Times” me titullin “Shqiptarët e Jugosllavisë” me rastin e vrasjes së një djali kosovar në demostratën e Prishtinës…”
Editorit të gazetës” New York Times, 6.2.1969, “…kërkesa e kosovarëve, që të lartësojnë pozitën politike nga një krahinë autonome brenda republikës serbe, në një republikë të plotë brenda Federatës Jugosllave është plotësisht e drejtë, e merituar, nga populli kosovar që ka vuajtur në dy breza nën sundimin serb…”
Me 17 Korrik 1971, në “New York Times”. kur u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë e Greqisë, ku vuri në dukje përsekutimet greke në Çamëri në mbrojtje të integritetit tokësor të vendit.
Proteston me artikullin “Dilema greke e Shqipërisë” që u botua në shumë gazeta në gjuhën shqipe kundër Nikolla Gage, kryetar i një organizate veriepirote për shkrimin e tij në “Washington Post”, “Kosova, fuçi baroti” në prill të vitit 1993.
Nikola Gage kërkonte të barazonte autonominë e 2 miljon shqiptarëve që përbëjnë 90% të popullsisë në Kosovë, ish krahinë autonome e ish Jugosllavisë me një minoritet të vogël grek të ardhur dhe të vendosur në pjesën jugore të Shqipërisë.
Nuk mund të përfshihen në një shkrim të gjithë artikujt protestues të Dr. Lekës për çështjen kombëtare, por po veçoj dy të fundit në mbrojtje të individëve të përfshirë në aspektin nacional.
Proteston me një shkrim të gjatë drejtuar Ambasadorit Francez në ëashington DC, për çështjen Haradinaj, të trajtuar në planin kombëtar, nga ku merr përgjigje të menjëhershme nga organet kompetente.
Proteston edhe për çështjen Morina, në mbrojtje të djaloshit të arrestuar, që lartësoi dronin në stadium me flamurin e Shqipërisë etnike. Edhe pse ishte me probleme shendetësore, pothuaj në fund të jetës, Leka me entuziazmin që e karakterizonte e botoi shkrimin në shumë gazeta të kohës, shqip edhe anglisht.
Çdo protestë e Dr. Lekës kishte një tematikë, ate kombëtare, kishte një argument, dokumentin historik, të drejtën ndërkombëtare, kishte një qëllim, zgjidhjen e problemeve etnike, Shqipërinë Natyrale, prandaj mund ta themi me krenari, që ishte Doktori, që me publicistikën e tij u përpoq të shëronte plagët e kombit.
 


 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.